Projektet e reja per sportin

Projektet e reja per sportin

Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, njëri kampion dhe tjetri nënkampion në peshëngritje, na bëjnë të ndjehemi krenarë, por për sportin problematika është gjithmonë edhe më e gjerë. 

 

Mazhoranca ka premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 Qershorit se do ta ketë prioritet sportin, por çfarë është bërë deri në këto muaj? 

 

Mbi këto çështje ka foluar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” deputeti Fidel Ylli, i cili në fushatën e PS-së mblodhi të gjithë sportistët duke i premtuar shumë.

 

Pandi Gjata: Kemi folur se kemi pasur gjithmonë kampion, por shteti nuk ka bërë asnjëherë sa duhet për sportistët. Në këto muaj të parë të qeverisjes së majtë cilat janë hapat konkrete nga ato premtime që ju keni bërë? 

 

Fidel Ylli:  Ne nuk kemi bërë një fushatë thjesht për të marrë vota, por një fushatë 2 vjeçare nga Prishtina deri në Athinë, në çdo bashki dhe komunë. Kryeministri Rama e ka mbështetur programin e sportit dhe ka thënë se të gjitha komisionet duhet të marrin shembull nga ai i sportit. Janë marrë mendimet jo vetëm të specialistëve të sportit, por edhe të prindërve dhe të trajnerëve, prandaj ky ka pasur vlerë si program. Tani kemi ardhur në një moment që është ngritur një grup pune për ta implementuar këtë program që kemi shpalosur gjatë fushatës. Programi është bërë nga një grup specialistësh që ja kanë kushtuar të gjithë jetën sportin, duke u marrë në fusha të ndryshme të tij. Ne kemi bërë diçka jo për të qënë e shkruar në letër, por kur flasim për sport nuk kemi parasysh vetëm sportin elitar, politika shqiptare duhet të flas për sportin, të flas Berisha për të, të flas Jozefina Topalli edhe Bamir Topi. Ne kemi bërë të mundur që politika të kthejë vëmendjen nga sporti, por jo nga elitat e tij, por ne flasim për edukimin e rinisë, për sportin e masave, për shtimin e orëve të mësimit nëpër shkolla. 

 

Pandi Gjata: Konkretisht, çfarë jeni duke implementuar? 

 

Fidel Ylli:  Është ngritur një grup punë ndërmjet juristëve të kryeministrit dhe Zyra Juridike e Parlamentit edhe Ilir Meta si një ish sportist dhe kampion i peshëngritjes, i cili kërkon të dërgohen sa më parë projekt-ligjet në mënyrë që ato të bëhen një herë e mirë. Drejtoria e Sporteve po punon fuqishëm dhe një grup pune i udhëhequr nga unë dhe me një studio, të cilët po punojnë për ligjin e ri të sportit ta ndryshojmë që në frymë. 

 

Pandi Gjata: Kur do ta kemi gati ligjin e ri të sportit?

 

Fidel Ylli: Ky legjislacion përpara korrikut do të jetë gati. Njerëzit po punojnë, po shtohen orët e mësimit. I premtoj të gjithë sportistëve elitarë që nuk do të ndodhi më të iki një sportist siç ndodhi me Elis Gurin, për 30 mijë dollarë. Është turp kur sportistët tanë marrin medalje dhe dalin përpara kryeministrisë dhe kërkojnë shpërblimet, kur ka një vendim qeverie që thotë nëse del kampion Europe ke 4 milion lekë të reja shpërblim. Në radhë të parë ne do të heqim uzurpimin politik, sepse është e tmerrshme të mos vinë shokët e tu në draftin e sportit që ti ke gjithë jetën me ta dhe thoshin jemi me ty, por nuk vijmë dot se po na panë na heqin nga puna. Politika nuk ka bërë asnjë gjë, por të majtët nuk kanë bërë si këta. 

 

Pandi Gjata: Keni folur, pas takimit që pati zoti Meta me 2 kampionët, për një qendër multimediale, mund të na jepni disa detaje konkrete se si do të funksionojë? 

 

Fidel Ylli: Bëhet fjalë për ish-klubin Dinamo. Shteti ka detyrë të bëjë disa ligje të mira në Parlament dhe të bëjë infrastrukturë për sportistët. Në një 23 vite nuk është bërë asnjë impiant sportiv. Edi Rama në takimin që pati me mua dhe me një pjesë të grupit të punës na tha të bëjmë projektet gati dhe qeveria do të bëjë një palestër për peshëngritjen dhe një tjetër multifunksionale dhe qendrën tek ish-klubi Dinamo. Do të bëhet një pallat sporti me mbi 1500 ndenjëse. Ky projekt është gati është bërë nga Ministria e Arsimit. Kemi si synim të bëjmë edhe një qendër rajonale në Korçë, që do të rrisë punësimin dhe vlerat kulturore. Nga programi jonë duke shtuar orët e mësimin shtohet 162 mësues të edukimit fizik. Në vitin e ardhshëm do të shtojmë orët e mësimit. Kjo qeveri është e përgjegjshme dhe do të investojë në infrastrukturë. Programi rajonal, i shpalosur nga Kryeministri, që do të investojë në 10 qytete, do të bëhen mbi 5 palestra në çdo qytet . 

 

Pandi Gjata: Çdo të bëhet me talente si Qerimaj dhe Godelli. Çfarë stimuli do të ketë për këta kampionë? 

 

Fidel Ylli: Edhe me zotin Meta diskutuam problematikën e të gjithë këtyre sportistëve të mëdha që duhet t’i mbajmë dhe do të gjejmë rrugët e financimit që ky ekip i përbëra diku nga 15 veta të ketë mundësi të stërvitet në kushte të mira edhe jashtë vendit. Do ta ngre zërin që të kem mundësi që ta bëjë politikën shqiptare të fusë sa më shumë amendamente në Parlament që çdo gjë të bëhet me ligj dhe rregullore. 

 

Pandi Gjata: Për herë të parë kemi kaq shumë sportist në Parlament, por edhe në institucione të rëndësishme, duket sikur është një kohë tjetër. 

 

Fidel Ylli: Sporti ndryshon nga të gjitha sferat e tjera të jetës pasi me të është çdo familje, sporti të ndryshon cilësinë e jetës. Obama në takimin e parë që bërë në zgjedhjet e parë e bëri me elitën e sportit dhe tha-ju jeni e ardhmja, imazhi dhe modeli i Amerikës. Obama krijoi një Task-Force dhe dha 162 mld dollarë për sportin që të ulim shpenzimet në shëndetësi, sepse shoqëria është bërë obeze. Edi Rama është i përgjegjshëm dhe nuk shkova unë, por erdhi ai dhe tha çfarë duhet të bëjmë për sportin që kemi premtuar? I premtoj njerëzve të sportit që së bashku do të marrim frytet e kësaj pune, jam i kënaqur për punën e deritanishme. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama