Prinderit shqiptare te painteresuar per shkollen e femijeve

Prinderit shqiptare te painteresuar per shkollen e femijeve
Pjesëmarrja e prindërve të nxënësve në shkollë është tepër e ulët. Sipas një studimi të kryer nga Qendra për Arsim Demokratik (CDE) dhe Unicef, përfshirja e prindërve ka disa dobësi. Një prej tyre është niveli i ulët i ndërgjegjësimit të prindërve mbi rolin e tyre dhe detyrimet si edukatorë të fëmijëve të tyre dhe prirja për t’ia deleguar këtë rol shkollës. Një nga treguesit e pjesëmarrjes së kufizuar të prindërve është fakti që në takimet e shkollës marrin pjesë më pak se gjysma e tyre. Gjithashtu cilësia e pjesëmarrjes është e ulët, duke nënkuptuar pasivitet në vend të aktivizimit dhe të qenit pro aktiv. Një tjetër dobësi është edukimi i mangët i mësuesve dhe drejtuesve të shkollës në lidhje me komunikimin dhe bashkëpunimin me prindërit. Gjithashtu ka një dobësi të dukshme të prindërve në lidhje me aftësitë për t’u vetë organizuar në këshillat e prindërve.

Studimi

Një tjetër studim nga Fondacioni Soros, me 300 drejtorë shkollash nga shkollat e vendit nxjerr të njëjtat përfundime. Që do të thotë se pjesëmarrja e prindërve në shkollat ku mësojnë fëmijët e tyre është shumë e ulët dhe jo cilësore.  Sondazhi i drejtorëve të shkollave hulumtoi mbi çështje si: veprimet e shkollës për përfshirjen e prindërve në jetën e shkollës; qëndrimet e drejtorëve të shkollave mbi përfshirjen e prindërve në jetën e shkollës; pengesat në krijimin e bashkëpunimit shkollë-prindër; dhe praktikat e pjesëmarrjes. Nga ana tjetër, sondazhi i prindërve u përqendrua në dimensionet e pjesëmarrjes si takimet e prindërve në shkollë, informacioni i shkruar për prindërit, mbështetja për të nxënit, vullnetarizmi, pjesëmarrja në vendimmarrje, bashkëpunimi shkollë-komunitet; si dhe në variabël të tjerë parashikues si p.sh. pengesat në komunikim, perceptimi nëse shkolla është e hapur, përfaqësimin e prindërve, si edhe perceptimin mbi rezultatet që sjell përfshirja në shkollë.

Prindërit

Sipas Dispozitave Normative, prindërit kanë të drejtën t’i kërkojnë institucioneve të arsimit; për të siguruar kushtet normale të arsimit, të kontribuojnë në progresin e procesit të arsimit, të kërkojnë informacion mbi programet, objektivat, rregulloret dhe aktivitetet e arsimit, të kërkojnë informacion mbi progresin e fëmijës së tyre, të zgjidhen dhe të zgjedhin në bordin e shkollës, të marrë pjesë në aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore, të ankohen dhe të propozojnë tek drejtori i shkollës, stafi i shkollës apo bordi i shkollës dhe të marrin një përgjigje jo më vonë se 30 ditë nga dorëzimi i ankesës.

Mësuesit

Sipas gjetjeve të sondazhit të drejtorëve të shkollave të ndërmarrë nga Projekti “Përparimi i përfshirjes dhe cilësisë në arsim në Evropën Juglindore” 2008, mësuesit nuk janë të prirur t’iu kërkojnë prindërve të marrin pjesë në organizimin e aktiviteteve më tepër se një herë në muaj. Ata priren t’i kërkojnë prindërve të përfshihen një herë në tre muaj ose një herë në semestër. Aktivitetet ku prindërit kërkohen të kontribuojnë më pak sipas drejtorëve të shkollave janë ngritja e fondeve për shkollën, ndihma për prindërit e tjerë mbi edukimin e fëmijëve të tyre dhe ndihma në mësimdhënie.”

 Sipas të dhënave grupet me prindërit e nxënësve, të ndërmarra nga i njëjti Projekt, “ndërtimi i një shkolle ku të gjithë fëmijët të trajtohen në mënyrë të barabartë duhet të jetë prioritet, këta prindër thonë se nuk janë pjesë e reformave në arsim, pasi nuk iu është marrë kurrë mendimi. Prindërit, sidomos ata të përjashtuar nga ana sociale si minoritetet dhe të varfrit, nuk janë të ndërgjegjësuar për situatën e pjesëmarrjes së prindërve në shkollën e tyre. Sipas tyre, ata nuk kanë qenë aktivë pasi nuk iu është kërkuar kurrë të ndihmojnë, por edhe pasi janë të zënë me punë.” Sipas të dhënave nga grupet e fokusuara me prindër, prindërit në përgjithësi, sidomos minoritetet dhe nga grupet e varfra, nuk kanë një të kuptuar të plotë të pjesëmarrjes së prindërve në shkollë.

Ata besojnë se është roli i shkollës për t’i përfshirë ata në jetën e shkollës dhe identifikojnë vetëm disa nga mënyrat e shumta se si mund të përfshihen dhe të kontribuojnë me burimet e tyre. Nisma më e rëndësishme e Këshillit te Prindërve, e përmendur nga drejtorët e shkollave, ishte restaurimi dhe përmirësimi i mjediseve të brendshme apo të jashtme të shkollës (31.7 për qind), si dhe nisma tjetër më e përmendur është puna shtesë me nxënës problematikë në sjellje apo ecuri mësimore (22.3 për qind e rasteve).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama