Pr/ligji i arsimit parauniversitar pikat e kontestuara nga ekspertet

Pr/ligji i arsimit parauniversitar, pikat e kontestuara nga ekspertet
Projektligji për sistemin Arsimor Parauniversitar i hartuar nga Ministria e Arsimit është shumë i përgjithshëm dha ka disa mangësi. Disa pika në nene të veçanta duhen ndryshuar apo plotësuar. Koordinatori i programit të arsimit në fondacionin SOROS dhe ekspert në këtë fushë, Dritan Nelaj shpjegon disa nga problemet që ka projektligji të cilat lidhen sidomos me emërimin e drejtuesve të arsimit, emërimet dhe shkarkimet e mësuesve, hartimin e teksteve shkollore, maturës shtetërore etj.

“Së pari dua të shpjegoi se ne përgjatë vitit 2011 Fondacioni Soros realizoi konsultime të gjera me mësues, drejtues shkollash, prindër, nxënës, përfaqësues të drejtorive Arsimore dhe të pushteti vendor në disa qytete të vendit me qëllim diskutimin e draftit të ligjit të hartuar nga MASH. Ky dikaster në fakt është treguar i hapur në diskutimin e rekomandimeve të hartuara në bazë të konsultimeve me aktoret e përmendur por pas një analize të projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave vihet re se ka nevojë për përmirësime të tjera përpara se projektligji të kthehet në ligj”,- thekson Dritan Nelaj. Ndërkohë ai nis shpjegimin e neneve që janë në kundërshti me propozimet e bëra nga MASH dhe sugjerimet nisin me nenin 30 pika 4 ku thuhet se drejtuesi i njësisë arsimore vendore, përgjegjësit e sektorëve dhe specialistët e tyre përzgjidhen me konkurrim të hapur, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil.

“Ky nen nuk garanton depolitizimin e emërimit të drejtuesit te DAR vetë procedurat e përzgjedhjes së nënpunësit sipas këtij ligji nuk e kanë zgjidhur ende problemin e emërimit në baza partiake apo nepotike. Sugjerimi është që të jetë Këshilli Vendor i Arsimit parauniversitar që realizon një konkurrim të hapur dhe që më pas ia propozon ministrit, por ky këshill në këtë rast duhet të drejtohet nga një përfaqësues i këshillit të qarkut” dhe se baza e tij duhet të zgjerohet, pohon Nelaj. Ndërkohë ai shpjegon edhe në lidhje me nenin 48 që është për tekstet shkollore në pikën 2 thuhet se tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese përmes një procesi konkurrimi sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Këtu eksperti thekson se kjo është shumë e përgjithshme dhe se në tekstin më të hershëm të draftit përmendeshin mësuesit dhe prindërit, procedurat mund të përcaktohen nga udhëzimi i ministrit porse aktoret kryesor që realizojnë përzgjedhjen e teksteve besojmë se duhen parashikuar në ligj (në këtë rast mësuesit dhe prindërit).

Një nen tjetër i kontestuar është edhe ai me numër 55 ku flet për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të institucionet arsimor. Në këtë nen eksperti i arsimit, Nelaj shpjegon se në draftet e mëparshme parashikohej mandat 5-vjeçar për drejtorin e shkollës, këtu nuk parashikohet asgjë dhe kjo krijon pasiguri si dhe hapësira për abuzim. “Sugjerojmë që kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit te institucionit arsimor të pasqyrohen në ligj. Kjo konsiderohet me shumë rëndësi”, thekson Nelaj.

Pushimet nga puna e mësuesve, hapësira për abuzime

Pranimet dhe largimet nga puna të mësuesve të propozuar nga Ministria e Arsimit janë përcaktuar në nenin 60 të projektligjit për Arsimin Parauniversitar por ky nen është plot me sugjerime pothuajse në çdo pikë të tij. Kështu në pikën 1 të këtij neni thuhet se në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës.” Këtu nuk shpjegohet se për sa kandidatura bëhet fjalë. Kjo përcakton shumë pasi qartëson në njëfarë mënyre pushtetin e drejtorit dhe të komisionit. Do të ishte më e përshtatshme që Këshilli i Mësuesve të propozonte mësuesin që plotëson kriteret e mësipërme dhe Drejtori institucionit ta emëronte”, pohon eksperti i arsimit pranë fondacionit SOROS, Nelaj. Po në këtë nen pika 2 thuhet se drejtori largon mësuesin nga puna për arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë me këta nxënësa të tjerë analogë.

“Këtu nuk shpjegohet askund se sa të përsëritura duhet të jenë arritjet e ulëta” ndërkohë që përcaktimi i rezultatit te arritjeve te nxënësit duhet te jete produkt i rezultateve nga provime te organizuara nga institucionet te tjera arsimore (si prsh. Matura Shtetërore) dhe vlerësimit të mësuesit, thekson Nelaj. Ndërkohë ai shpjegon edhe problemet në lidhje me bordin e institucionit arsimor ku në nenin 34 pika 3 thuhet se përbërja e bordit, të drejtat, detyrat dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve përcaktohen në udhëzimin e ministrit. Eksperti këtu shpjegon se në rast se bordi i institucionit arsimor konsiderohet një organ i rëndësishëm për institucionin arsimor atëherë detyrat/kopetencat e bordit duhen paraqitur ne ligj ashtu siç ndodh në këtë projekt ligj me organet e tjera dhe drejtuesit e tyre. Gjithashtu është me rëndësi që anëtarët e bordit të shkollës përveç atyre në moshë të mitur të trajtohen me një pagesë në forme honorari kjo pasi shkalla e zhvillimit shoqëror në vendin tonë nuk e favorizon vullnetarizmin dhe kjo e ka dëmtuar mjaft mirëfunksionimin e bordit të institucionit arsimor.

Organizimi i maturës shtetërore të përcaktohet me ligj

Matura shtetërore e parashikuar në nenin 52 të projektligjit të arsimit parauniversitar por edhe këtu mesa duket ka probleme. Kështu në projektligj thuhet se organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore rregullohen me udhëzim të ministrit. “Mund të them se matura shtetërore është një prej proceseve më të rëndësishme në vlerësimin e nxënësve, vlerësimin e sistemit, prespektivës se nxënësve në arsimin e lartë dhe cilësinë e produktit të arsimit të lartë, prandaj është me shumë rëndësi që disa aspekte të rëndësishme të organizimit dhe zhvillimit të maturës shtetërore të parashikohen ne ligj”,- pohon Nelaj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama