Porti Durres rritet numri i udhetareve bie eksporti

Porti Durres, rritet numri i udhetareve, bie eksporti

“7-mujori i parë i 2014-s, 3% më shumë mallra të përpunuar sesa një vit më parë”, raporton Autoriteti Portual i Durrësit. Gjatë periudhës janar-korrik 2014 në kalatat e Portit të Durrësit janë përpunuar 66.7 mijë tonë mallra më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Statistikat e 7-mujorit të vitit 2014 tregojnë, se përgjatë kësaj periudhe janë përpunuar 2,169 mijë tonë mallra gjithsej, ose 3% më shumë sesa në 7-mujorin e vitit paraardhës 2013. Raporti statistikor i bërë publik nga Drejtoria e Autoritetit Portual Durrës pohon se, eksportet në 7-mujorin 2014 janë 2.6 mijë tonë më pak se një vit më parë, duke arritur në shifrën e 1000 mijë tonë mallrave. Zërin kryesor në eksport e zënë klinkeri, kromi, si dhe çimentoja me paleta (lidhje), ndërsa mallrat e eksportuar me kontejner për periudhën e 7-mujorit 2014 kanë shënuar ulje në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit 2013.

 

Duke iu referuar të dhënave të importit, bëhet e ditur, se mallrat që kanë hyrë nëpërmjet Portit të Durrësit kanë pasur një rritje me 6% ose 69.3 mijë tonë mallra të importuara më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku spikasin kryesisht mallra si skrap, çimento dhe melaminë. Gjatë 7-mujorit të vitit 2014, janë importuar 1,169 mijë tonë mallra përkundrejt 1,100 mijë tonë të importuara gjatë 7-mujorit 2013. Duke bërë një analizë më të detajuar në total gjatë 7-mujorit të parë të 2014-s janë përpunuar 1,737 mijë tonë mallra të importuara dhe eksportuara me anije dhe kontejnerë dhe 431 mijë tonë të importuara dhe eksportuara me tragete.

 

Gjatë periudhës janar- korrik 2014, numri i udhëtarëve të cilët kanë preferuar të udhëtojnë me traget ka qenë 325,505 persona dhe po ta krahasojmë me një vit më parë, ka pësuar një rritje 7,093 pasagjerë më shumë, ndërsa numri i veturave, kamionëve dhe trajlerave të përpunuar gjatë 7-mujorit 2014, ka qenë 96,986 mjete. E krahasuar kjo me një vit më parë ka pasur një rënie prej 6,396 mjete.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama