Platforma antiFacebook

Platforma 'antiFacebook'

Rrjeti social Ello merr 31,000 kërkesa në orë nga njerëz që duan të bashkohen në platformat e tij, pretendon themeluesi. Ishte krijuar fillimisht për t’u përdorur nga rreth 90 miq të krijuesit Paul Budnitz. Por pronari i dyqanit të biçikletave nga Vermont i SHBA-ve, më 7 gusht e hapi dhe për të tjerë. Është quajtur ndryshe dhe rrjeti "antiFacebook" për arsye se zotohet të mos mbajë reklama apo të shesë të dhënat për arsye komerciale. Prandaj disa ekspertë thonë se mund të vendosë pagesa të vogla për disa nga opsionet e tij. Rrjeti ka një dizajn minimalist dhe në pamje të parë mund të duket ndryshe nga rrjetet që jemi mësuar të përdorim. "Ne jemi duke punuar e duke mësuar, por grupin e informatikës e kemi të fortë," shprehej Paul Budnitz.

"Kemi ende disa paqartësi por do t’i riparojmë sa më shpejt që të jetë e mundur." Budnitz tha se ishte i lumtur për përshkrimin "antiFacebook" që i bëhej rrjetit të tij, edhe pse nuk ishte ideja që kishte ndërmend. "Ne nuk e konsiderojmë Facebook-n një konkurrent. Ne e mendojmë atë si një platformë reklamash," shpjegoi ai.

Rrjeti mendon të nxjerrë të ardhura nga aksesi në tipare të veçanta të përdorimit. "Ashtu si shitjet e aplikacioneve në internet, dhe ne do të shesim disa nga opsionet, për pak dollarë," tha ai. Megjithatë modeli tradicional i rrjeteve falas ka qenë çelësi i suksesit, thotë analisti informatik James McQuivey.

"Nga eksperienca të tjera me mediat sociale si Whatsapp, Instagram e Pinterest mësojmë se ato funksionojnë sepse janë falas," shpjegonte ai. "Ti s’mund të ftosh miqtë e tu nëse kjo kushton para. Si në botën e muzikës dixhitale, mund të paguash për shërbimin por shumë njerëz nuk e bëjnë." McQuivey sugjeroi gjithashtu se mendësia e njerëzve ndaj reklamave dhe shpërndarjes së të dhënave mund të mos jetë aq negative sa duket. "Ne mund të mendojmë se nuk na pëlqejnë reklamat dhe besojmë se kalimi i të dhënave është i gabuar, por sjellja jonë tregon se kompanitë na japin atë që duan dhe nuk na bëhet vonë se çfarë bëjnë ata me të dhënat.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama