Pjesa e II Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (1)

KREU I
NISMA LIGJVËNËSE
 
Neni 68
Propozimi i ligjeve
 
 
1. E drejta për të propozuar ligje i takon Këshillit të Ministrave, çdo deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve.
2. Projektligjet duhet të jenë të hartuara në formën e një akti normativ dhe të jenë të shoqëruara me një relacion, i cili duhet të përmbajë objektivat që synohen të arrihen me miratimin e tij, argumentet se këta objektiva nuk mund të arrihen me instrumentet ligjore ekzistuese, përputhshmërinë e projektligjit me Kushtetutën, harmonizimin me legjislacionin në fuqi dhe legjislacionin e Bashkimit Europian, si dhe efektet e tij sociale dhe ekonomike. Për projektligjet me karakter financiar, relacioni duhet të përmbajë edhe efektet e pritshme financiare që rrjedhin nga zbatimi i tij.
3. Asnjë projektligj joqeveritar, që rrit shpenzimet e Buxhetit të Shtetit ose pakëson të ardhurat e tij, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit. Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda këtij afati, projektligji kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.
4. Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të arsyetuar, mund të kthejë te nismëtari projektligjet e depozituara, në rast se nuk përmbushin kërkesat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni.
 
Neni 69
Shpërndarja e projektligjeve
 
 
1. Projektligjet, pasi regjistrohen sipas rendit të paraqitjes së tyre në një regjistër të veçantë, i kalohen Kryetarit të Kuvendit.
2. Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e tyre deputetëve. Kopje të projektligjeve u vihen në dispozicion, me kërkesën e tyre, medias ose personave të tjerë.
 3. Projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore përcaktohet ndryshe. Projektligjet e paraqitura nga deputetët vihen në rendin e ditës të seancës plenare jo më vonë se 8 javë nga data e paraqitjes së projektligjit.
 
Neni 70
Raporti i komisionit përgjegjës dhe mendimet e komisioneve të tjera
 
 
1. Në përputhje me programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, Kryetari i Kuvendit i dërgon për shqyrtim projektligjet në komisionin përgjegjës dhe në komisionet që sipas kësaj Rregulloreje duhet të paraqesin mendimin e tyre.
2. Komisionet shqyrtojnë projektligjin në mënyrën e parashikuar në nenet 32-38 të kësaj Rregulloreje.
3. Pas shqyrtimit të projektligjit, komisioni përgjegjës harton një raport për në seancë plenare duke bërë propozimin për miratimin e tij siç është paraqitur, miratimin me ndryshime ose rrëzimin e projektligjit.
4. Raporti i komisionit përgjegjës dhe mendimet e komisioneve të tjera ose i Këshillit për Legjislacionin shumëfishohen dhe u shpëndahen deputetëve dhe Këshillit të Ministrave të paktën 2 ditë përpara datës së shqyrtimit të projektligjit në seancë plenare.
 
Neni 71
Propozimi i amendamenteve
 
Çdo deputet ose Këshilli i Ministrave ka të drejtë të propozojë amendamente me shkrim të arsyetuara, të cilat paraqiten gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionin përgjegjës. Përfundimet e komisionit në lidhje me to i paraqiten seancës plenare në raportin që harton komisioni përgjegjës.
 
Neni 72
Tërheqja e nismës
 
 
Nismëtari i projektligjit ose i projektvendimit mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancë plenare.

KREU II
SHQYRTIMI NË SEANCË PLENARE

Neni 73
Shqyrtimi në seancë plenare
 
 
1. Shqyrtimi i projektligjit në seancë plenare përfshin diskutimin në parim për projektligjin dhe shqyrtimin nen për nen të tij.
2. Para fillimit të diskutimit në parim deputetët ftohen nga drejtuesi i seancës t’i drejtojnë pyetje nismëtarëve ose anëtarëve të Këshillit të Ministrave që kanë lidhje me projektligjin. Në seancë plenare projektligji shqyrtohet në praninë e ministrit kundërfirmues të tij në Këshillin e Ministrave dhe të nëpunësve të autorizuar me shkrim nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
3. Diskutimi në parim për projektligjin zhvillohet si në rastin kur komisioni përgjegjës ose Këshilli për Legjislacionin janë shprehur për miratimin e tij në parim, ashtu edhe në rastin kur janë shprehur për mosmiratimin e tij. Në rastin kur komisioni përgjegjës ose Këshilli për Legjislacionin janë shprehur për mosmiratimin në parim dhe Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin e tij, projektligji kthehet në komisionin përgjegjës për vazhdimin e shqyrtimit të tij nen për nen.
4. Projektligji që nuk miratohet në parim në seancë plenare nuk mund të paraqitet përsëri pa kaluar 6 muaj nga data e mosmiratimit.
 
Neni 74
Diskutimi në parim
 
1. Diskutimi në parim për projektligjin fillon me paraqitjen nga nismëtari të arsyeve që kanë çuar në propozimin e projektigjit, si dhe me paraqitjen e raportit të komisionit përgjegjës dhe, sipas rastit, të Këshillit për Legjislacionin. Leximi i raportit bëhet nga kryetari i komisionit dhe mund t’i jepet fjala, me kërkesë të tij, edhe relatorit të projektligjit në komisionin përgjegjës për jo më shumë se 10 minuta.
2. Për diskutimin në parim drejtuesi i seancës u jep fjalën deputetëve që kanë kërkuar të diskutojnë, duke harmonizuar pjesëmarrjen për çdo grup parlamentar. Përpara mbylljes së diskutimit kanë të drejtë të flasin relatori i projekligjit në komisionin përgjegjës jo më shumë se 5 minuta dhe kryetarët e grupeve parlamentare, duke filluar nga grupi me numrin më të vogël të deputetëve.
3. Gjatë zhvillimit të diskutimit në parim nuk mund të paraqiten amendamente.
4. Drejtuesi i seancës, pas përfundimit të diskutimit në parim, deklaron kohën kur Kuvendi do të vendosë nëpërmjet votimit. Punimet e Kuvendit vijojnë me diskutimet në parim për projektligjet e tjera të rendit të ditës.
 
Neni 75
Shqyrtimi nen për nen
 
 
1. Projektligji shqyrtohet nen për nen pas miratimit të tij në parim.
2. Gjatë shqyrtimit nen për nen çdo deputet ka të drejtë të diskutojë për jo më shumë se 5 minuta. Kjo kohë dyfishohet në rastet e diskutimit të projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar për miratimin e tyre.
3. Gjatë shqyrtimit nen për nen mund të paraqiten amendamente të bëra me shkrim. Çdo amendament duhet t’i referohet përmbajtjes së një neni të vetëm. Si rregull, amendamentet duhet të paraqiten dhe të diskutohen fillimisht në komisionin përgjegjës. Autori i amendamentit ka të drejtë ta paraqesë atë në seancë plenare për jo më shumë se 7 minuta.
4. Çdo deputet ose Këshilli i Ministrave ka të drejtë të paraqesë në seancë plenare amendamente për projektligjin ose ndryshimet e propozuara nga komisioni përgjegjës, me kusht që ato të jenë regjistruar paraprakisht në sekretari të paktën 24 orë para fillimit të seancës plenare dhe t’u jenë shpërndarë deputetëve të tjerë.
5. Kur çmohet nga Kryetari i Kuvendit ose kur kërkohet nga kryetari i një grupi parlamentar apo nga një grup prej 10 deputetësh, amendamentet paraqiten për mendim në komisionin përgjegjës, duke pezulluar, në rast se është e nevojshme, edhe zhvillimin e seancës plenare. Në këtë rast autori i amendamentit dhe përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave kanë të drejtë të dëgjohen në mbledhjen e komisionit përgjegjës.
 
Neni 76
Radha e votimit të amendamenteve
 
 
1. Amendamentet hidhen në votim përpara tekstit të projektligjit.
2. Përpara votimit të çdo amendamenti, drejtuesi i seancës u rikujton deputetëve mendimin e komisionit përgjegjës për to.
3. Votimi i amendamenteve fillon me ata që kanë për qëllim ta heqin nenin; të heqin pjesë të tij; ta zëvendësojnë atë tërësisht dhe në fund për të shtuar ose ndryshuar fjalë të tij. Në rast se janë paraqitur dy ose më shumë amendamente për të njëjtin nen apo pjesë të tij, amendamenti që është më larg tekstit të projektligjit votohet i pari.
Kur komisioni përgjegjës ka paraqitur disa amendamente për një nen të projektligjit, drejtuesi i seancës i hedh ato në votim së bashku, me përjashtim të rastit kur të paktën 7 deputetë ose kryetari i një grupi parlamentar kërkojnë votimin e tyre të veçantë.
4. Kuvendi vendos me votim të veçantë për çdo amendament, me përjashtim të rastit kur miratimi i njërit përjashton të tjerët.

 

 
Neni 77
Votimi në tërësi
 
1. Në përfundim të shqyrtimit dhe votimit nen për nen, kalohet në votimin në tërësi të projektligjit.
2. Në rastin kur teksti i projektligjit, gjatë shqyrtimit në seancë plenare, ka pësuar ndryshime të rëndësishme, drejtuesi i seancës kryesisht ose me kërkesën e kryetarit të një grupi parlamentar apo të 7 deputetëve është i detyruar të shtyjë votimin në tërësi në seancën pasardhëse, duke i paraqitur Kuvendit tekstin e plotë të përpunuar.
 
KREU II/1
(Shtuar kreu me Vendimin e Kuvendit nr. 193, datë 7.7.2008)
SHQYRTIMI I NISMAVE LIGJORE PËR RISHIKIMIN E KUSHTETUTËS

Neni 77/a
 
1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancën plenare më të parë dhe u shpërndan deputetëve tekstin e projektligjit. Projektligji futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit.
2. Projektligji shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin jo më parë se dy javë nga data e depozitimit. Mbledhja drejtohet nga Kryetari i Kuvendit.
3. Në mbledhjen e parë caktohen jo më pak se dy relatorë. Mbledhja vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, si dhe thirrjen e ekspertëve konstitucionalistë të fushës.
4. Mbledhjet për rishikimin e Kushtetutës dhe seancat dëgjimore bëhen të hapura për median dhe publikun.
5. Kur gjatë shqyrtimit të nismës së propozuar ka amendamente të reja, ato duhet të respektojnë kërkesat e nenit 177 pika 1 të Kushtetutës dhe përcaktimet e bëra në këtë nen.
6. Në përfundim të shqyrtimit, mbledhja e përbashkët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët, i cili përmban edhe mendimin e pakicës, kur ka të tillë.
 
Neni 77/b
 
1. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit. Seanca e debatit zhvillohet e hapur dhe transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni publik.
2. Shqyrtimi në seancë plenare fillon me diskutimin dhe votimin në parim, shqyrtimin dhe votimin nen për nen dhe përfundon me votimin në tërësi. Në seancë nuk mund të diskutohen amendamente të propozuara gjatë seancës plenare. Ato duhet të shqyrtohen më parë sipas nenit 77/a të Rregullores.
3. Votimi  për miratimin e amendamenteve bëhet i hapur.
4. Amendamentet quhen të miratuara kur kanë votuar pro jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
 
KREU III
SHQYRTIMI I PROJEKTLIGJIT TË BUXHETIT TË SHTETIT DHE I PROJEKTLIGJEVE FINANCIARE

Neni 78
Paraqitja e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe projektligjeve financiare
 
 
1. Kryetari i Kuvendit njofton menjëherë Kuvendin për paraqitjen e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.
2. Nëse projektligji i Buxhetit të Shtetit nuk paraqitet në afatin e përcaktuar ligjor, Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin.
3. Shqyrtimi i projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe i projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të, futen menjëherë në programin e punës së Kuvendit, i cili me këtë rast miraton një kalendar shqyrtimi të tyre të veçantë.
 
Neni 79
Kalendari i veçantë i shqyrtimit
 
1. Komisioni për Ekonominë dhe Financat është komisioni përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Për shqyrtimin e projektligjit të Buxhetit të Shtetit, Kryetari i Komisionit, sipas nenit 29 pika 2 të kësaj Rregulloreje, cakton relatorin kryesor që, si rregull, i caktohet në mënyrë të përhershme një deputeti që drejton të gjithë punën për përgatitjen e raportit të projektligjit të Buxhetit të Shtetit; për çështje të veçanta caktohen relatorë të veçantë.
2. Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, në bashkëpunim me relatorin kryesor, Zëvendës-kryetarin dhe Sekretarin e Komisionit, i paraqesin Kryetarit të Kuvendit projektkalendarin e shqyrtimit të projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të në komisionet e përhershme të Kuvendit dhe në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit, brenda 2 ditëve, thërret Konferencën e Kryetarëve, në të cilën paraqitet fillimisht nga Ministri i Financave projektligji i Buxhetit të Shtetit dhe projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të dhe vendoset për kalendarin e punimeve në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare. Në rast se kalendari miratohet me mirëkuptim, ai i njoftohet seancës plenare; në të kundërt Kryetari e paraqet atë për votim në seancën më të parë plenare të Kuvendit.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama