Pjesa VI Interpretimi e ndryshimi i rregullores dhe heqja e imunitetit

INTERPRETIMI E NDRYSHIMI I RREGULLORES DHE HEQJA E IMUNITETIT

Neni 116
Interpretimi i Rregullores
 
 
1. Kur ngrihen pretendime gjatë zhvillimit të seancës plenare lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj Rregulloreje, është kompetencë e drejtuesit të seancës për të vendosur për pretendimin e ngritur, vendim i cili nuk është objekt diskutimi.
2. Kur ngrihen pretendime për interpetimin dhe zbatimin e kësaj Rregulloreje gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve, kryetari i komisionit vendos për pretendimin e ngritur, vendim i cili nuk është objekt diskutimi. Me kërkesë të deputetit të interesuar, kërkesa mund t’i paraqitet Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i cili duhet të bëjë, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës, interpretimin përfundimtar për çështjen e ngritur në komision.
3. Për rastet e tjera është kompetencë e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet për të bërë interpretimin e neneve të kësaj Rregulloreje. Kërkesa për interpretim nga ky Këshill mund të bëhet nga çdo deputet.
4. Kryetari i Kuvendit, një kryetar grupi parlamentar, një komision i përhershëm ose 10 deputetë mund të kërkojnë që çështja e interpretimit për një rast të veçantë t’i paraqitet Kuvendit në seancë plenare për të marrë vendim.
 
Neni 117
Ndryshimi i Rregullores
 
Çdo deputet ka të drejtë të paraqesë propozime për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Për shqyrtimin e këtyre propozimeve ndiqet procedura e parashikuar në këtë Rregullore për paraqitjen dhe shqyrtimin e projektligjeve. Ndryshimet në këtë Rregullore miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 118
Heqja e imunitetit të deputetit
 
 
1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë.
2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.
6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 119
Procedura në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar
 
 
1. Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit.
2. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen.
3. Këshilli, brenda 2 ditëve nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit, shqyrton nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të arrestuar ose të ndaluar, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar.
4. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit brenda 2 ditëve nga paraqitja e raportit. Kuvendi me votim të fshehtë duhet të vendosë për heqjen ose mosheqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama