Pjesa V Emerimi zgjedhja dhe shkarkimi i organeve

EMËRIMI, ZGJEDHJA DHE SHKARKIMI I ORGANEVE

Neni 109
(Ndryshuar pikat 3 dhe 4, me vendimin e Kuvendit nr. 193, datë 7.7.2008)

Zgjedhja e Presidentit të Republikës
 
1. Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është komisioni i votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit.
2. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.
3. Presidenti i Republikës zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 88 të Kushtetutës. Në rast se në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të dytë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të parë. Për votimin e dytë dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë është tërhequr.
Në rast se në votimin e dytë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të tretë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të dytë. Për votimin e tretë dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë ose të dytë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë ose të dytë është tërhequr.
 Në rast se në votimin e tretë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e votimit të katërt, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të tretë. Për votimin e katërt dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimet pararendëse, ose kur kandidati që ata propozuan në votimet pararendëse është tërhequr.
Në rast se në votimin e katërt nuk arrihet shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Konferenca e Kryetarëve cakton menjëherë datën e votimit të pestë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të katërt. Votimi i pestë zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votimin e pestë caktohet me short.
Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat për konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të nenit 87 të Kushtetutës dhe pikës 2 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi i pestë zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të madh të deputetëve propozues.
4.   Në rast se edhe në votimin  e pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kryetari i Kuvendit shpall shpërndarjen e Kuvendit. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 110
Miratimi i programit politik dhe i përbërjes së Këshillit të Ministrave
 
 
1. Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin.
2. Programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri.
3. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin.
4. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj Rregulloreje.
5. Në rast se Kuvendi nuk miraton programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, Kryetari i Kuvendit vë në dijeni menjëherë Presidentin e Republikës.
6. Në rastin e parashikuar në nenin 96 pika 3 të Kushtetutës, Kryetari i Kuvendit fton kryetarin e partisë ose të koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend që brenda 3 ditëve të propozojë Kryeministrin e ri. Propozimi për zgjedhjen e Kryeministrit të ri shqyrtohet nga Kuvendi në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e propozimit.
 
Neni 111
(Ndryshuar pikat 3-8, me vendimin e Kuvendit nr. 193, datë 7.7.2008)

Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit
 
 
1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.
2. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tre javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni, nëpërmjet raportit të tij, i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje.
8. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.

Neni 112
Shkarkimi dhe pamundësia në ushtrimin e detyrave të Presidentit të Republikës
 
 
1. Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkaqet e parashikuara në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës. Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.
2. Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.
3. Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.
Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
4. Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.
 5. Në rast se kërkohet shpallja e pamundësisë për të ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës, komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Republikës. Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga data e vërtetimit të pamundësisë.
 
Neni 113
Shkarkimi i Kryeministrit
 
 
Shkarkimi i Kryeministrit bëhet nga Kuvendi, sipas neneve 104 dhe 105 të Kushtetutës dhe neneve 100 dhe 101 të kësaj Rregulloreje.
 
Neni 114
(Ndryshuar pika 3, me vendimin e Kuvendit nr. 15, datë 27.12.2005)

Shkarkimi i anëtarëve të organeve kushtetuese
 
 
1. Kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në Kushtetutë dhe nga jo më pak se 28 deputetë, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj. Me paraqitjen e kërkesës, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe anëtarin e organit kushtetues për të cilin kërkohet shkarkimi.
2. Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën me dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se personi për të cilin kërkohet shkarkimi dëshiron të shprehet në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve. Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur nga ky Komision, procedura për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e anëtarit të organit kushtetues, për të cilin kërkohet shkarkimi në lidhje me propozimin e paraqitur. Në rast se kërkohet shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues për paaftësi mendore ose fizike, komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të personit. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë ose nuk ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues.
3. Kuvendi shqyrton me debat dhe voton raportin e Komisionit Hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e debatit dhe të votimit në Kuvend të raportit, në të cilin kërkohet shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues, si dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje.
Në rast se anëtari i organit kushtetues, për të cilin kërkohet shkarkimi, kërkon të dëgjohet në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë.
Raporti i Komisionit Hetimor, që i propozon Kuvendit shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, miratohet nga Kuvendi me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë.
Kur raporti për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues nuk merr numrin e kërkuar të votave, ai quhet i rrëzuar.
Për ato raste që parashikohen në Kushtetutë, vendimi i Kuvendit për miratimin e raportit të shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues i dërgohet brenda 5 ditëve, sipas rastit, Gjykatës Kushtetuese ose Presidentit të Republikës.
4. Kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit paraqitet sipas pikës 1 të këtij neni dhe shqyrtohet nga Këshilli për Legjislacionin, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Në rast se kërkohet, Këshilli për Legjislacionin dhe Kuvendi në seancë plenare janë të detyruar të dëgjojnë Kryetarin e Kuvendit. Në këtë rast seanca plenare drejtohet nga Zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare.
 
Neni 115
Shkarkimi i anëtarëve të organeve të krijuara me ligj
 
 
1. Kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të krijuara me ligj i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në ligj.
2. Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën, së bashku me dokumentacionin shoqërues, komisionit të përhershëm përkatës, i cili duhet të paraqesë një raport për seancën plenare brenda 4 javëve nga data e marrjes së kërkesës.
3. Shqyrtimi i çështjes në komision kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton personit, që kërkohet të shkarkohet, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të shkarkimit dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.
4. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim dhe, në rast se kërkohet nga një kryetar grupi parlamentar, edhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje, e cila në çdo rast duhet të jetë jo më vonë se 3 javë nga paraqitja e raportit të komisionit. Në rast se kërkohet nga vetë personi, nga 7 deputetë ose nga kryetari i një grupi parlamentar, personit, ndaj të cilit kërkohet shkarkimi, i jepet fjala në seancë plenare jo më shumë se 15 minuta.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama