Piktorja e pare shqiptare mjeshtre e portreteve te njerezve te thjeshte

Piktorja e pare shqiptare, mjeshtre e portreteve te njerezve te thjeshte

86 vepra janë përzgjedhur për të qenë pjesë e ekspozitës vetjake të Sofia Zengo Papadhimitrit, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Veprat janë realizuar gjatë viteve 1936-1976. Arti i piktores së parë shqiptare vjen përmes portreteve, peizazheve dhe natyrës së qetë, në teknikën e vajit. Cikli i vizatimeve në karbon prezantohet për herë të parë në GKA. Sofia Zengo Papadhimitri (1915-1976) hedh dritë me krijimtarinë e saj në pikturën realiste, bazuar në shkollimin akademik, edhe pse vinte nga tradita familjare e pikturës pasbizantine. Ekspozita vjen në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së artistes korçare. Jani Papadhimitri, djali i saj rrëfen për “Shekulli”-n, detaje të jetës dhe krijimtarisë së saj.

Zoti Papadhimitri, si e kujtoni piktoren Sofia Papadhimitri?

E kujtoj si një grua të vogël që nuk kishte kushte për të punuar. Ajo pikturonte në kuzhinë, sepse ne jetonim në një shtëpi me shumë lagështirë. Përveç lugës së madhe, që vazhdimisht trazonte gjellën, në dorë mbante dhe penelin.

Sa vepra ruani prej saj?

Unë ruaj rreth 20 vepra, portrete dhe peizazhe.

Cili është punimi që keni më përzemër?

Është autoportreti i saj i realizuar në vitin 1939, në letër të zezë me laps të bardhë, në dritën e qiririt. Është një gjë unike, një vepër të tillë nuk e kam parë askund.

Bëri kërkesë për një studio, por a e mbështetën?

Mamasë sime asnjëherë nuk i dhanë një studio, madje as motrës së saj. Ato dërguan kërkesën, veç e veç, por nuk morën asnjë përgjigje. Më pas kërkuan një studio të përbashkët, por edhe kjo kërkesë u hodh poshtë. Megjithatë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u dha mundësinë për art të reduktuar, 12 orë në javë mund të zhvillonin artin e tyre. Kishin më shumë mundësi për artin se sa për mësimdhënien. Ky ishte një lehtësim shumë i madh, aq më tepër që mamaja ishte edhe e sëmurë me astmë.

Çfarë virtytesh vlerësoni tek ajo?

Nuk ishin pak, por ajo që e karakterizonte më tepër ishte thjeshtësia. Mamaja jonë ishte shumë e thjeshtë, këtë e ka treguar dhe në shoqëri. Karakterizohej dhe nga të qenit jashtëzakonisht shumë punëtore, ishte një njeri që sakrifikonte. Në momentet e fundit, kur vuante nga sëmundja kanceroze e leucemisë në gjak, 2 orë para se të vdiste, hoqi tubin e oksigjenit dhe ja dha një burri përballë, i cili ishte jashtëzakonisht rëndë. Mamaja u nda nga jeta dy orë para tij, pa tubin e oksigjenit.

A i mbeti diçka peng?

Nuk besoj se pati pengje. Mundet që të kishte peng vetëm, se nuk pa njërin nga djemtë të martuar, por na pa si artistë dhe u lehtësua, që ëndrra e saj pothuajse u realizua.

Në katalogun e dedikuar piktores, shkruani një citat të saj: “Iku dhe një natë, pa bërë asgjë”. Por a ka një këshill të saj, që ju ka ndjekur në rrugëtimin e jetës suaj?

Ajo asnjëherë nuk na jepte këshilla, as babai. Por ata kishin një program për ne, që në një orar të caktuar duhet të studionim violinën, edhe më pas të luanim. Babi ynë na bleu një piano dhe ajo ishte një dhuratë e jashtëzakonshme për ne si artistë të ardhshëm. Me mbështetjen e tyre ne u rritëm profesionalisht.

Çfarë do të veçonit nga marrëdhënia e prindërve tuaj?

Do të veçoja vetëm një gjë, sakrificën që ata bënin për njëri-tjetrin.

Shprehët dëshirën për krijimin e një muzeumi. A keni menduar diçka konkrete?

Jo. Do të jetë një bashkëpunim shumë i ngushtë me institucionet e tjera, që muzeu të jetë sa më i pasur.

Po ndikimi i sistemit komunist a është ndier në familjen tuaj?

Po është ndier. Ishim të kufizuar në shumë drejtime. Nëse nga ana jonë do të luhej një pjesë impresioniste, në atë kohë nuk pranohej. Ndërsa në vitin 1967 e gjithë puna që u bë nga mamaja, motra e saj dhe babai, në kishën pranë rrugës së “Kavajës”, u mbulua me gëlqere. Por, Vangjushit, babai i ka thënë para se të vdiste se, kur mbaroi gjithë kisha i leu me sapunë të gjitha afresket, duke e parashikuar se një ditë mund të lyheshin me gëlqere. Tani nëse qeveria do të aprovojë një fond për të hequr këtë gëlqere, është shumë kollaj heqja e saj.

Pra afresket janë ende?

Po janë të gjitha.

Ju keni bërë një kërkesë për këtë?

Vangjushi ka shkuar në Katedralen e Kishës Ortodokse dhe ka dorëzuar një material të plotë me fotografi, që nëse ata do të kenë dëshirë që ta bëjnë pastrimin, çdo gjë është gati dhe kërkon vetëm të zbulohet.

Biografia

Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj Androniqi Zengo, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Ato vijnë në artin e pikturës realiste të shekullit XX nga piktura ikonografike pasbizantine. Të dy motrat u edukuan artistikisht në një familje ikonografësh korçarë. Babai i tyre, piktori Vangjel Zengo është ndër të parët, që bëri kalimin nga arti bizantin në artin me temë historike dhe tema nga jeta e përditshme, proces që shoqëroi edhe krijimtarinë e Sofias dhe Androniqi Zengos. Së bashku me dy motrat e saj, Androniqi dhe Sotiria, Sofia mori pjesë në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (1944-1945). Koleksioni i punimeve në vaj i Sofia Zengo Papadhimitrit arrin në rreth 300 punime. Në të gjitha këto piktura ndjehet dashuria e artistes për natyrën dhe njeriun e thjeshtë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama