Perfaqesuesja e Kosoves vlen 9.1 milione euro

Perfaqesuesja e Kosoves vlen 9.1 milione euro

9 milionë e 175 mijë euro. Kjo është vlera e Përfaqësueses së Kosovës në futboll sipas faqes së njohur për vlerat e futbollistëve “Transfermarket”. Lista përbëhet nga 17 prej 21 futbollistëve të ftuar për miqësoren e parë ndaj Haitit, ku mungojnë katër futbollistët e ri, Bersant Celina, Alban Bunjaku, Enis Bunjaku e Julian Bibelaj, të cilët nuk kanë çmime në këtë sajt. Shikuar vendet e rajonit në këtë aspekt, Kosova është e fundit, por shumë afër Shqipërisë e Maqedonisë.

 

Shikuar në përgjithësi futbollisti më i shtrenjtë i Kosovës është portieri i Palermos, Samir Ujkani. Vushtrriasi kushton 2.5 milionë euro, derisa menjëherë pas tij është sulmuesi gjilanas i Kaiserslauternit, Albert Bunjaku, me 1 milionë euro. Treshen e të shtrenjtëve e kompleton Enis Alushi, me 900 mijë euro, për të vijuar më pas Loret Sadiku e Ilir Azemi, me nga 800 respektivisht 500 mijë euro. Albert Bunjaki ‘sfidon’ shifrat duke marrë shembuj konkret. Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës thotë që kështu nuk matet forca e një kombëtareje.

 

“Mendoj që shifrant janë më shumë çështje marketingu. Ka shumë kombëtare që kanë vlerë të vogël ekonomike por kanë rezultate të mira dhe anasjelltas”, ka thënë Bunjaki për “Arenën”. Ai merr dy shembuj konkret, duke folur për SHBA-të dhe Uellsin, “Për shembull SHBA-të e kanë vlerën 25 milionë, ndërsa janë në vendin e 14-të në FIFA, ndërsa Uellsi kushton 124 milionë por është në vendin e 48-të. Pra, këto vlera mund të jenë edhe mashtruese”, vazhdoi ai. Sipas përzgjedhësit tonë, vlera e Kosovës do të shënojë rritje në të ardhmen. “Kjo vlerë sigurisht që do të shënojë rritje, në momentin e pranimit të plotë të Kosovës në FIFA dhe UEFA”, theksoi Bunjaki.

 

Krahasuar me vendet e rajonit, ashtu siç pritej, vlera e Kosovës është më e vogla. Gjithsesi, ekipi i Bunjakit mund të ‘shtyhet’ me disa fqinjë. Për shembull Maqedonia vlen 15 milionë e 250 mijë euro, Shqipëria rreth 20 milionë, ndërsa Mali i Zi 31 milionë e 250 mijë. Tri përfaqësueset më të shtrenjta të rajonit janë Kroacia (mbi 193 milionë), Serbia (147 milionë) dhe Bosnja e Hercegovina (112 milionë). “Mendoj që edhe shtetet e rajonit sillen aty diku, por sigurisht nëse nuk flitet për Kroacinë dhe Serbinë, të cilat natyrisht janë shumë më lart”, deklaroi Bunjaki.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama