Pandeli Sotiri fati tragjik i drejtorit te Mesonjtores

Pandeli Sotiri, fati tragjik i drejtorit te 'Mesonjtores'

Një nga aktivistët më të njohur të letrave shqipe dhe një veprimtar i shquar për gjuhën shqipe do të kishte një jetë të vështirë dhe një vdekje “aksidentale” që tregonte sesa e dhimbshme është t’i kushtohesh idealeve të vendit tënd...”JAVA” po e boton me rastin e afrimit të 7 Marsit, ditën e arsimit shqiptar...

Pandeli Sotiri lindi në vitin 1843 në Selckë të Lunxhërisë, Gjirokastër. Mësimet e para i mori në Qestoriat nga mësuesi i popullit Koto Hoxhi dhe mësues të tjerë, në shqip e greqisht  që pajisën atë me njohuri dhe kulturë të gjuhëve të huaja.Pas vrasjes së prindërve, detyrohet të largohet në Austri sëbashku me vëllain e tij Koto Sotirin. Studimet e larta i kreu në Vjenë,ku u diplomua për mjekësi. Gjatë shkollimit në Austri, Pandeliu mësoi shumë nga kultura gjermane duke e zotëruar mirë atë, gjuhën frënge si dhe pa harruar dhe gjuhën shqipe.Tërë veprimtarinë e tij, Pandeliu ia kushtoi Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar dhe ndonëse studioi për mjekësi, ai u lidh me arsimin, shkollën, publicistikën, në shërbim të asaj lëvizjeje. Rreth vitit 1870, Pandeli Sotiri u zhvendos në Stamboll ku nëpërmjet Koto Hoxhit bie në kontakt dhe miqësi me vëllezërit Frashëri, Jani Vreton, Kostadin Kristoforidhin etj.Midis 27 patriotëve që themeluan “Shoqërinë e Stambollit” në Bukuresht për të ndihmuar në mbarëvajtjen e Shoqërisë ‘Drita’ ishte dhe ai i Pandeli Sotirit.Pas Bukureshtit kaluan në Egjipt ku hodhën bazat e një pune të mirë për të ardhmen për t’u lidhur me një shoqëri të vetme ‘Bukuresht-Stamboll-Egjipt”.

 

Me kthimin e tyre në Stamboll, Shoqëria e ngritur në këtë qytet 2 vjet më parë, filloi përpjekjet për aktivitetin për shkollën që do të hapej në Korçë.Nëpërmjet një veprimtarie intensive kulturore, Pandeliu formon Shoqërinë ‘ Vëllazëria Shqiptare”, e cila me një pamje kulturore që kishte nxorri revistën “Prometeu”. Duke mos pasur dot lejen për botimin e një reviste shqip, sëbashku me Petro Pogën që drejtori këtë revistë nga 22 qershor 1883 e deri më 15 maj 1884, mundën të punonin rreth kësaj të përkohshmeje  duke nxjerrë 12 numra,duke botuar lëndë historike, studime për fizikën, biologjinë, shkrime për autorë të njohur si Vikto Hygo, Emil Zola, Moxart etj.Në vend të “Prometeut” që u ndalua më 10 gusht të vitit 1884 nisi të botohej revista “Drita-Dituria” që ndihmoi në përhapjen e idesë kombëtare dhe të njohurive shkencore në gjuhën amtare.Kjo revistë u bë organi i dytë shqip i përkohshëm pas ‘Flamuri i Arbrit” që Jeronim De Rada e botonte 1 vit më parë në Kalabri.Pas tërheqjes së Petro Pogës drejtimin e revistës e mori Pandeliu i cili u dallua për shkrimet e tij “ Statistikat Botërore” pjesë nga romani “ Të ngjarat e Telemakut” me kushtin e domosdoshëm që përmbajtja e lëndës së çdo numri të revistës të dërgohej në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë para se të dërgohej në shtyp dhe me këtë rast Pandeliu ia ndërron emrin nga ‘Drita’ në ‘Dituria’. Kjo revistë kulturore mujore e përbërë nga 16 faqe, e shpreh misionin e vet në titull e në përmbajtjen e saj, misionin e madh atdhetar.‘Dituria’ u bë e njohur në Shqipëri, Itali tek arbëreshët e më gjerë duke ngjallur një interesim mjaft të madh.


Kudo që shkoi në Turqi, Rumani, Egjipt, Pandeli Sotiri u shqua për aftësi organizative në krijimin e shoqërive të revistave që kontribuan në zhvillimin e arsimit kombëtar.Qe një nga 27 anëtarët  e grupit që themeluan Shoqërinë e Stambollit.Së bashku me Jani Vreton shkoi në Bukuresht si përfaqësues i kësaj shoqërie për të ndihmuar shoqërinë e atjeshme.. Kjo shoqëri e formuar më 12 tetor 1879 e kryesuar nga Sami Frashëri, pati për drejtues Abdyl Frashërin, Pashko Vasën, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Hasan Tahsini.Ndër emrat e parë që nënshkruan  ‘Platformën e Shoqërisë e të Shtypurit Shkronja Shqip’ ishte dhe ai i Pandeli Sotirit.U miratua dhe alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe sipas projektit të Sami Frashërit, ‘Alfabeti i Stambollit’ me anë të cilit u botua “Alfabetare e Gjuhës Shqipe”.Me botimin e saj u krijua mundësia e librave shkollorë.Pandeliu u mor me krijimin e vatrave për botimin e librave prandaj ngriti e mbështeti idenë për të krijuar ‘Shoqërinë e Stambollit për Vivlla Shqipe’.Në Stamboll kishte vështirësi të ndryshme sidomos nga mos miratimi i shtypjes së tyre dhe faktorë të tjerë çensurorë.Për këtë arsye Pandeli Sotiri bashkë me Jani Vreton dërgohen në Bukuresht ku ishte një koloni e njohur shqiptarësh.Me veprimtarinë e Rumanisë u krijua lidhja nga Sami Frashëri në të cilën u mblodhën 1700 franga për të shtypur libra shqip.Dërgimi i Pandeli Sotirit dhe Jani Vretos i dha një shtytje forcimit të degës që me 24 dhjetor 1884 do të pagëzohej  me emrin “Drita”.Kështu u mblodhën 15.000 franga dhe u krijua vatra e përgatitjes së librave dhe e grumbullimit të dorëshkrimeve dhe porositjen e shkronjave në Vjenë.Dhe kështu u themelua Shtypshkronja shqipe që mori emrin ku u ngrit “ Shtypshkronja e Bukureshtit”.
 
MËSONJËTORJA SHQIPE KOMBËTARE E KORÇËS 7 MARS 1887


Në  hapësirën shqiptare po shtoheshin pa reshtur shkolla të huaja sidomos ato greke si dhe  shkolla fetare të ndryshme. Për të drejtuar “Mësonjëtoren”e parë u thirr Pandeli Sotiri për të punuar së bashku me mësues dhe patriot të tjerë dhe me vëllain e tij Koto Sotirin.Drejtori i ri i shkollës arriti në Korçë me 150 abetaret e para.Dërgimi i Pandeli Sotirit në Korçë ishte një mision i rëndësishëm historik.Misioni Pandeliut ishte : Të drejtonte e të zhvillonte vetë punën e mësuesit të gjuhës  shqipe.Kjo shkollë do të ishte kombëtare në të gjitha pikëpamjet dhe laike njëkohësisht, do të ishte shkolla e të gjithëve.Shkolla mbahej me ndihmën e shoqërive të mërgimit e të qytetarëve vendas e administruar prej një Këshilli të fshehtë të përbërë nga Thimi Mitko, Orhan Pojani,Vani Kosturi. Praktika demokratike e trajtimit të nxënësve duke u dhënë fëmijëve të varfër libra e fletore e pena pa pagesë, flet për një organizim paraprak të Komitetit të shkollës.Pandeli Sotirit iu caktuan 10 lira turke  në muaj sëbashku me Thanas Sinën  ndërsa Hafiz Aliu personalitet kulturor, mësues i gjuhës turke do të zhvillonte mësimin pa pagesë.Dita e parë e shkollës 7 mars 1887 ishte kthyer në një ditë të rëndësishme për të gjithë qytetin.Atë ditë u paraqitën 35 nxënës më vonë arriti në 60 nxënës.Përpara nxënësve, prindërve e atdhetarëve të tjerë që erdhën në këtë ngjarje të shënuar , mbajti fjalim Pandeli Sotiri i cili foli në mënyrë të veçantë për interesimin e fëmijëve, për shkollën e gjuhën shqipe.Ai ishte jo vetëm një mësues i dashur por edhe frymëzuesi i tyre.Të nesërmen më 8 mars 1887, Thimi Marko i shkruante shqiptarëve të Bukureshtit : Dëshira jonë u mbarua, shkolla shqipe u hap…Hapja e kësaj shkolle përbënte një ngjarje të veçantë në historinë e arsimit shqiptar sepse ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të mërgimit.Kjo shkollë fillonte realizimin e programeve për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe.Kjo kërkesë ishte parashikuar  në Programin e Komitetit të Stambollit (shtator 1879) në Programin e Shoqërisë së Prizrenit (nëntor 1878) dhe në programin e Shoqërisë së të Stypurit Shkronja Shqip (tetor1878).Përveç gjuhës amtare, në shkollë mësohej shkrim, këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë,dituri  natyre, gjuhë turke, greqisht, frengjisht.Shkolla u bë një qendër e fëmijëve të klasave të ndryshme.Po në atë vit u hapën edhe shkolla të tjera në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër.Pandeliu arriti të siguronte  botimet “ Abetarja” dhe “ Shkronjëtorja” (gramatika) që Sami Frashëri kishte botuar më parë, “ Numratorë”  dhe ‘Mirëvetia’ të Jani Vretos, “ Këndonjëtorja”; ‘ Historia e Përgjithshme’; ‘Vjersha për mësonjëtoret e para’; Bazat e Bujqësisë si dhe ‘Abetarja” e Gasper Benusit.Me Mësonjëtoren e parë shqipe  të Korçës , filloi të zhvillohej një veprimtari intensive në fushën shoqërore dhe kulturore.Bazën teorike- pedagogjike të saj e përpunoi Naimi, Samiu,Jani Vretoja, me tekstet që hartuan.Ndërsa ecurinë metodike dhe atë praktike të punës së përditshme shkollore e realizuan përveç Pandeli Sotirit edhe Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi.Më vonë sfondin teorik dhe praktik të didaktikës shkollore  e pasuruan  Mati Logoreci, Sevasti e Parashqevi Qirjazi, Lazër Lumezi, Koto Sotiri etj. Shkolla shqiptare hyri në rrugën e vet dhe u afirmua si shkollë kombëtare.Shkolla zgjati e hapur disa vite deri sa u mbyll më 1903.
 
VDEKJA E PANDELI SOTIRIT


Veprimtaria shumëanshme atdhetare e Pandeli Sotirit po i shtonte urrejtje të mëdha armiqve. Në të gjitha burimet historike ,flitet për organizimin e vrasjes aksidentale të Pandeli Sotirit më 1891 nga armiqtë e gjuhës shqipe dhe të Kombit Shqiptar.Lufta midis shqipes dhe greqishtes jo vetëm që nuk ishte ndërprerë por ajo vazhdonte të bëhej çdo ditë e më shumë një luftë e acaruar deri sa Shqipëria të shpallej një shtet i lirë. Profesor Dhimitër Shuteriqi shkruan: kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe. Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas  Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi.I martuar me një grua, e bija e një dhespoti grek me të cilën nuk kishte lindur fëmijë, ajo sëbashku me të atin e saj kurdisën aksidentin e rënies së Pandeliut nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll. Humbja tragjike dhe e parakohshme e tij e kurdisur nga armiqtë e kombit shqiptar shkaktoi hidhërime në të gjithë shqiptarët. Petro Nini ka pohuar se Pandeliu u vra me dhunë prej armiqve. Synimi ishte që bashkë me mësuesin martir do të zhdukej edhe leja e dhënë për shkollën shqipe të Korçës por planet e tyre nuk u realizuan sepse shkolla vazhdoi të qëndronte e hapur edhe për disa vite të tjera.Pandeli Sotiri si atdhetar i shquar zë vendin e nderuar në plejadën e martirëve të kombit shqiptar në radhët e para të dëshmorëve tanë që sakrifikuan jetën e tyre për kombin, arsimin dhe kulturën shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama