Orkestra qe kendon shqip ne sheshet e qyteteve italiane rikthehet ne vendlindje

Orkestra qe kendon shqip ne sheshet e qyteteve italiane, rikthehet ne vendlindje

Pas koncerteve të suksesshme nëpër qytete të ndryshme të Italisë, po bëjnë një turne në Ballkan. Orkestra e drejtuar nga fizarmonisti Bardh Jakova dha mbrëmë koncert në Shkodër pas atyre në Prizren (më 18 gusht) dhe Gjakovë (më 19 gusht).

Jakova, i rritur në një familje artistësh shkodranë, bir i Çesk Jakovës dhe nip i Prenkë Jakovës, është diplomuar në fizarmonikë, fillimisht në Tiranë, e më pas në Pesaro. Dashurinë e tij për muzikën tradicionale shqiptare ka ditur t’ua përcjellë më së miri në Itali ku jeton, fillimisht nxënësve të tij e më pas miqve, duke i përfshirë në një laborator muzikor të kthyer sot në një orkestër që ka nga 15 deri në 20 muzikantë, të cilët në sheshet e qyteteve italiane kanë bërë për vete publikun e gjerë me muzikën shqiptare e ballkanike. Është emocionuese të dëgjosh në sheshe të Emilia Romanjës, Friulit, Markeve, Taskanës apo Valle D’Aostës, të rinj italianë që këndojnë këngë si “Mora mandolinën”, “Nënë portokalle moj”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”.

 

“Nuk e kanë pasur të lehtë të shqiptojnë fjalë në gjuhën tonë, – tregon Bardhi për shqiptariiitalise.com – por i futen punës me pasion e ia dalin mbanë”. Më së miri, do të shtonim, kur sheh veçanërisht shqiptarët që këndojnë apo hedhin valle ndërsa Bardhi, Gioele, Sara, Ilaria, Marcello, Angelo, Simone, Giulio, Roberta, Paolo, Pino, Fabrizio, Sabina e Fabio performojnë live. “Spartiti per Scutari Orchestra” ka një repertor të larmishëm që shkon nga këngët kosovare te vallet e jugut të Shqipërisë, duke kaluar përmes muzikës shkodrane, dibrane, vlonjate, beratase, korçare e pjesëve origjinale të kompozuara nga vetë Bardhi. “Njihja ndonjë pjesë tradicionale shqiptare, – thotë Gioele Sindona, violinist profesionist, nëndrejtor artistik i Spartiti per Scutari – por me Bardhin kam pasur mundësi të njoh më mirë muzikën tuaj. Më mahnit shumëllojshmëria dhe pasuria muzikore që ka një territor relativisht i vogël si Shqipëria. Do të më pëlqente shumë të vizitoja edhe fizikisht vendin, ku deri më sot kam ‘shëtitur’ vetëm virtualisht përmes muzikës, e aftë të ngjallë tek unë ndjenja, vende e situata të panjohura”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama