Nis restaurimi i Tomka dhe shoket e tij ne ShBA

Nis restaurimi i 'Tomka dhe shoket e tij' ne ShBA

Edhe pse nuk është ndër filmat e rrezikuar nga degradimi, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka bërë të ditur se, ky është filmi i dytë i përzgjedhur për t’u restauruar pranë këtij laboratori në ShBA, pas filmit “Nëntori i dytë”. Restaurimi i filmave shqiptarë ka qenë një nga projektet më emergjente që është pohuar jo vetëm nga kineastët, por dhe nga AQSHF. Në kuadër të këtij projekti mësohet se, filmi i njohur i regjisores Xhanfise Keko “Tomka dhe shokët e tij” është nisur për t’u restauruar në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center). 

 

Stafi i specializuar teknik i laboratorit të LOC do të verë në dispozicion kohën, profesionalizmin dhe fondet për këtë projekt, si pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në  të gjithë botën. Do të prodhohet një kopje e re 35 mm, pozitiv, bardhë e zi, me titra në anglisht. Në këtë mënyrë filmi do të ketë mundësinë të shfaqet në të gjitha mënyrat e projeksionit, qofshin këto arkivale apo dixhitale si dhe të arrijë një audiencë të gjerë ndërkombëtare. 

 

Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film te publiku ndërkombëtar. Plot 36 vjet pas prodhimit të tij, filmi aq i dashur për publikun shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”, i prodhuar në vitin 1977, do t’i nënshtrohet restaurimit. Pas filmit “Nëntori i dytë” janë në pritje për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit filmat, “Ballë për Ballë”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Ndërkohë që çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave, në bashkëpunim me institucionet partnere të ACP-së dhe pastaj për një publik më të gjerë. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama