Nikolla Jo me mesues jashte profilit te tyre

Nikolla: Jo me mesues jashte profilit te tyre

Ka nisur sot në Tiranë, diskutimi me përfaqësuesit e Bankës Botërore për reformën e arsimit në Shqipëri. Kjo konferencë e nivelit të lartë për politikat në reformën e arsimit, është hapur nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila paraqiti shkurtimisht disa nga zhvillimet më të rëndësishme të reformës. Një nga problematikat e hasura në arsim sipas ministres është fakti që ende ka mësues që japin mësim jashtë profilit të tyre, ndaj ajo deklaroi se duhet t'i jepet fund kësaj situate dhe të rritet niveli i mësimdhënies:

"Stafet akademike kanë një rol të rëndësishëm. Kemi gjetur mësues jashtë profilit, mbi 128 të tillë janë gjetur vetëm në Drejtorinë Arsimore të Korçës, që ofrojnë jashtë profilit të tyre edukimin e nxënësve".

Nikolla u shpreh se është realizuar një reformë shumë e rëndësishme për Maturën Shtetërore. Ajo përmendi një nga zhvillimet më të rëndësishme në vend lidhur me arsimin dhe sidomos atë privat.

“Realizuam një reformë të rëndësishme të Maturës Shtetërore. Ndërhymë në heqjen e licencave për shkollat që nuk plotësonin kushtet e cilësisë.  Si pjesë e pandashme e procesit të edukimit, është përfshirë edhe fusha e edukimit fizik.  Janë shtuar orët e edukimit fizik këtë vit. Jo më pak se tre orë edukim fizik në javë”, tha Nikolla.

Ministra e Arsimit deklaroi se ende ka sfida për reformimin e arsimit siç janë: cilësia e sistemit të arsimit edhe edukimit, kryerja e studimeve të mirëfillta për të mësuar situatën reale të tregut të punës, apo dhe trajnimi i mësuesve. Në përfundim të deklaratës Nikolla shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të ecur në një rrugë të re përgjegjësie, dhe kërkoi ndihmë nga përfaqësuesit e BB-së për të ecur përpara në këtë reformë:

“Na ndihmoni ne duke monitoruar punën tonë duke qenë të rreptë në monitorim, duke bërë transparente gjithçka kemi mundur të bëjmë, por realisht duke parë në sy fëmijët”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama