Ne emer te luftes kunder islamofobise nenvleresohet urrejtja ndaj cifuteve dhe Frances

Ne emer te luftes kunder islamofobise, nenvleresohet urrejtja ndaj cifuteve dhe Frances

Bisedë me Alain Finkielkraut
FigaroVox, 26 korrik 2014
Përkthyer nga origjinali (frëngjisht)
Urim Nerguti



FigaroVox : Kur bëhet fjalë për konfliktin izraelo-palestinez, disa intelektualë ju qortojnë se ju nuk i denonconi bombardimet izraeliane kundrejt civilëve palestinezë, siç bënit dikur kundër rrethimit të Vukovarit dhe Sarajevës nga Serbët. Si do të përgjigjeshit ju?

ALAIN FINKIELKRAUT : Së pari, një saktësim. E dua Izraelin dhe jam i tmerruar përballë urrejtjes ndërkontinentale ndaj këtij vendi të vogël ekzistenca e të cilit është ende në pikëpyetje. Por unë nuk e kam mbështetur kurrë pa kushte politikën izraeliane. Më 9 korrik, isha në Tel-Aviv me ftesë të gazetës “Haaretz” e cila organizonte një konferencë të madhe mbi paqen. Aty përfaqësoja Jcall* dhe kam thënë se, si intelektual çifut, më duhej të luftoja vazhdimisht në dy fronte : kundër një antisemitizmi të sigurtë në vetvete dhe sundues, aq më tepër që denoncon “përbindëshin sionist “ me gjuhën e panjollë të antiracizmit, dhe në frontin tjetër pro kompromisit, domethënë pro ndarjes në dy shtete të Izraelianëve dhe Palestinezëve. Kam shtuar se duke u vendosur në statukuo, qeveria izraeliane vinte në rrezik vetë projektin sionist. Që më 1991, orientalisti i madh Bernard Lewis shqetësohej ta shihte Izraelin duke u bërë si Libani, “edhe një bashkim tjetër të vështirë ndërmjet etnish dhe grupesh fetare në konflikt “. Dhe shtonte : “Çifutët do të gjendeshin në pozicionin sundues që e kishin pasur dikur Maronitët, dhe me gjasë me një fat alla libanez në fund.“ Për ta penguar përmbushjen e këtij parashikimi, do të ishte e ngutshme që të bëhet ajo që Ariel Sharoni, në fund të jetës së tij, e quante “lëshime të dhimbshme territoriale“. Fakti që pasuesit e tij nuk e duan këtë, vjen ngaqë ata nuk i zënë besë partnerit të tyre, por sidomos ngaqë kanë frikë nga ekstremistët e vet. Ata kanë frikë një luftë civile ndërmjet Izraelianëve, luftë e cila do të shoqëronte prishjen e ngulimeve në Cisjordani. Megjithatë, të mos ngatërrojmë gjithçka. Izraelianët nuk janë më në Gaza. Nuk ka prani çifute në këtë territor. Nëse udhëheqësit e Hamasit do të kishin zgjedhur të ndërtonin aty një filiz shteti dhe, për t’i siguruar një jetë korrekte popullsisë së vet, do të kishin zgjedhur të bashkëpunonin me Izraelin, atëherë nuk do të kishte bllokadë dhe kampi izraelian i paqes do të ishte mjaft i fortë sot për ta detyruar tërheqjen nga Cisjordania. Në vend të kësaj, Hamasi i ka përdorur paratë e dhuruesve të vet bujarë për blerje raketash dhe për ndërtimin e një qyteti të nëndheshëm për ta strehuar këtë arsenal, si dhe për të fshehur drejtuesit e tij dhe duke iu mundësuar luftëtarëve që të përcjellin sulme vrastare në kibutzet e jugut të Izraelit.

A nuk është e ligjshme që të pyesim veten mbi numrin e madh të viktimave midis civilëve palestinezë ?

Kur isha në Tel-Aviv, pashë një film të vogël propagande ku Hamasi iu kërkonte “kolonëve” të Beer-Shevës (në Neguev) që ta braktisnin qytetin sepse do ta bombardonin. S’bëhet fjalë për dy shtete për këtë organizatë, madje as për një shtet palestinez. Hamasi do thjesht që Palestina të ribëhet pronë e Islamit. Në hartën e vet, mësohet se çifutët, të cilët falë parave të tyre kontrollojnë mediat e mbarë botës, janë në zanafillë të të gjitha revolucioneve dhe konflikteve nëpër botë ! Nëse qytetërimi i imazhit s’do të ishte duke e shkatërruar kapjen e kuptimit të kësaj lufte, askush s’do të thoshte se bombardimet izraeliane po synojnë civilët. E keni harruar Drezdenin ? Kur një aviacion tejet i fuqishëm synon civilë, të vdekurit numërohen me qindra mijëra. Jo : Izraelianët i njoftojnë banorët e Gazës me të gjitha mënyrat e mundshme për bombardimet që do të vijnë. Dhe kur më thonë se këta banorë nuk kanë ku të shkojnë, unë përgjigjem se galeritë e Gazës duhet të ishin bërë për ta. Sot ka dhoma të betonuara në çdo shtëpi të Izraelit. Por Hamasi dhe xhihadi islamik bëjnë të tjera llogari dhe kanë të tjera përparësi arkitekturale. Për ta fituar mediatikisht luftën, ata duan që ta bëjnë Izraelin të duket si një shtet kriminel. Çdo viktimë civile është një bekim për ta. Këto lëvizje nuk e mbrojnë popullsinë, por e nxjerrin atë përpara. Nuk i qajnë të vdekurit, por i numërojnë me ngazëllim “martirët”. Dhe bombardojnë sistematikisht spitalin fushor për të plagosurit palestinezë që ushtria izraeliane e ka ngritur ngjitur me Gazën. Vetë unë do të manifestoja në Paris për një armëpushim në Gaza, po qe se në këto parakalime do të kërkohej edhe ndalimi i gjuajtjeve me raketa mbi të gjitha qytetet izraeliane. Unë do ta kërkoja heqjen e bllokadës, po qe se kjo do të shoqërohej dhe me demilitarizimin e Gazës. Në vend të kësaj, ngatërrojmë Gazën me Sarajevën. Aty ka luftë, e këtej flasin për masakra, e meqë jemi aty, jepi dhe për genocid. Nga emocioni, janë fshirë të gjitha dallimet, dhe janë më cinikët, më çnjerëzorët, ata që përfitojnë nga kjo mungesë dallimi humanitare.

Disa madje e krahasojnë Gazën – me një gjatësi pak më shumë se dyzet kilometër dhe gjërësi më pak se dhjetë – me geton e Varshavës, që dihet ç’kujtesë e zezë është. A ju duket i pavend ky krahasim ? Skandaloz ?

Po, po, se në fakt kemi shumë kujtime që Wehrmachti bënte kujdes, si Tsahali sot, që t’i ruante rrugët për në geto, për të siguruar kalimin pa pengesa të kamionëve të përditshëm me ushqime, ilaçe, ndihma humanitare… Do të vijë dita – dhe ajo ka ardhur tashmë në Turqi –, kur s’do t’i referohemi më apokalipsit nazist përveçse për të sharë Izraelin, sionizmin dhe çifutët. Unë nuk arrij të besoj në Zot, por kjo përmbysje e detyrës së kujtesës më duket një provë tejet bindëse e ekzistencës së djallit.

Bashkësi çifute dhe myslimane, ekzistojnë në mjaft vende europiane. Mirëpo, konflikti izraelo-palestinez merr një mprehtësi të veçantë në Francë, ku manifestimet pro-palestineze kanë përfunduar në dhunë. Ky konflikt i jashtëm, a do ta shpërthejë haptas “identitetin fatkeq“ të vendit tonë, siç e keni përshkruar ju në librin tuaj ?

Të formuar nga “viktimizmi” bashkëkohor për të mos kuptuar asgjë, e për të mos ditur asgjë nga ç’ndërmerr Hamasi kundër zgjidhjes së dy shteteve, disa manifestojnë sot, sinqerisht, solidaritetin e tyre me popullsinë e Gazës nën bomba. Por për shumë të tjerë, këto manifestime janë thjesht një rast i mirë për të shprehur urrejtjen e tyre ndaj çifutëve, ndaj Republikës dhe “sionistëve që qeverisin Francën”. Kur nuk iu vërsulen sinagogave, këta persona, me qëllim që t’i kuptojmë mirë, bëjnë gjestin e krahut me raketa kasam prej kartoni. Përgjithësisht, sot në botën arabo-myslimane ka një prirje shumë të fortë për t’i ikur çdo vënieje në pikëpyetje, për të kërkuar me çdo kusht një fajtor. Nëse gjërat shkojnë keq, kjo është për faj të çifutëve. Pra ata duhen luftuar. Kjo zgjedhje e frymës së xhihadit kundër frymës kritike, është një kob për perëndimin dhe islamin. Më tepër do të duheshin mbështetur ata që, nga brenda, kanë kurajën ta fshikullojnë një qëndrim të tillë, si shkrimtari algjerian Boualem Sansal, dhe jo ata që e mishërojnë, si udhëheqësi i Hamasit, Khaled Mechaal.

Kemi dëgjuar në rrugët e Parisit thirrjen “ vdekje çifutëve “. A është e krahasueshme kjo dukuri me antisemitizmin e viteve 30, apo është më tepër shkas për një komunitarizëm “antifrancez “ që e kemi parë të shfaqur tek disa tifozë franko-algjerianë pas ndeshjeve të ekipit të tyre ?

Antisemitizmi i viteve tridhjetë po jep shpirt dhe solidariteti i madh antiracist i viteve tetëdhjetë ka avulluar. Tani kemi të bëjmë me antisemitizmin e atyre që e mbajnë veten për të mallkuarit e tokës, nga ku e ka burimin zënia ngushtë e përparimtarëve. Ata mezi e pranojnë ekzistencën e këtij antisemitizmi, pa dëshirë, dhe kur s’kanë si të bëjnë ndryshe. Kështu, ata flasin sot për një antisemitizëm “të ri”, kur kjo dukuri ekziston që prej më shumë se tridhjetë vjetësh. Veç kësaj, kjo urrejtje nuk synon vetëm çifutët. E kemi parë këtë gjatë manifestimeve që kanë pasuar fitoret e Algjerisë në Kupën e Botës, që nga rodeot me makina e deri tek zëvendësimi i flamujve francezë me flamuj algjerianë në ndërtesat publike, si në Provins, për shembull. Bëhej fjalë për të shprehur njëherësh krenarinë e tyre kombëtare dhe përçmimin për kombin ku jetojnë.

Duke cilësuar si antisemitizëm çdo kritikë ndaj Izraelit, disa anëtarë të bashkësisë çifute, a nuk kanë marrë prej vitesh rrezikun që të ushqejnë konkurrencën viktimizuese ?

Unë e kritikoj politikën izraeliane. Që prej viteve tetëdhjetë, flas papushim për zgjidhjen e dy shteteve. E dënoj vazhdimin e ndërtimeve të vendbanimeve në Cisjordani. Unë them se moslëshimi pe përpara Hamasit duhet të shoqërohet me një mbështetje të vërtetë ndaj autoritetit palestinez. Por kjo nuk pengon që unë të jem sërish një shënjestër e parapëlqyer e antisemitizmit “të ri “.

Sipas Pascal Boniface, mjaft francezë joçifutë, në veçanti myslimanët, kanë ndjesinë se ka një metodë “njëri i nënës, e tjetri i njerkës” në luftën kundër racizmit, dhe se aktet antisemite janë objekt i një trajtimi mediatik më të mirë se aktet e tjera raciste. A jeni dakord me të ?

Përkundrazi, unë besoj se në emër të luftës kundër islamofobisë, nënvlerësohet sistematikisht urrejtja ndaj Çifutëve dhe Francës, në gjithnjë e më shumë territore të Republikës. Duhen manifestime si ato të Barbès dhe Sarcelles që të masim, përkohësisht, realitetin dhe shtrirjen e kësaj dukurie.

Më gjerësisht, një pjesë e së majtës “antiraciste” e ka braktisur luftimin për barazinë e të drejtave, duke i mëshuar mbrojtjes së veçorizmave, madje komunitarizmave. A nuk mban ajo një përgjegjësi të rëndë morale në krizën e thellë identitare që po kalon Franca ?

Kjo është një përgjegjësi që e kanë dhe të tjerët. Edhe tek e djathta ka një tundim të madh për të parapëlqyer marrëveshje gjoja të arsyeshme për mbrojtjen e Republikës, dhe sot janë disa ministra të majtë, Manuel Valls dhe Bernard Cazeneuve që po tregohen të paepur në këtë çështje, duke i shpërfillur interesat e tyre të ngushta elektorale, siç ua ka rikujtuar këtë me shqetësim fraksioni Terra nova i partisë socialiste.

Prapa hedhjes poshtë të Izraelit nga një pjesë e së majtës franceze, a duhet parë një refuzim i identitetit, i shtetit-komb dhe i kufijve ?

Në një artikull të botuar më 2004 në revistën Le Débat, historiani anglez Tony Judt shkruante se “në një botë ku kombet dhe njerëzit mpleksen gjithnjë e më shumë dhe ku martesat e përziera shtohen dita-ditës, ku janë shembur pengesat kulturore dhe kombëtare ndaj komunikimit, ku ne jemi gjithnjë e më të shumtë që kemi identitete të shumta të zemrës, dhe ku do të ndiheshim tmerrësisht keq po të na duhej të zgjidhnim njërin prej tyre ; në këtë botë pra, Izraeli është vërtet një anakronizëm.” Ashtu si shën Pali që zemërohej me refuzimin çifut të fesë universale, edhe multikulturalistët tanë e shohin Izraelin si një pengesë etno-kombëtare ndaj njohjes përfundimtare të Njeriut nga Njeriu. Por bota njerëzore nuk është as supermarket, as hartë turistike. Ç’është multikulturalizmi prapa United Colors of Benneton dhe gatishmërisë së hareshme të të gjitha kuzhinave, muzikave, destinacioneve ? Kjo është përplasja e kulturave, dhe në këtë përplasje, çifutët, kudo që të jenë, çfarëdo që të thonë e të bëjnë, janë në linjën e parë.

* Jcall mbledh qytetarë çifutë europianë që luftojnë për një paqe në Lindjen e Mesme, një paqe të bazuar mbi një marrëveshje ndërmjet Izraelianëve dhe Palestinezëve, sipas parimit “dy popuj, dy shtete”.

Alain Finkielkraut është filozof, shkrimtar dhe eseist. Në shqip, është autor, ndër të tjera, i Një zemër inteligjente (Tirana Times, 2012).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama