Ndryshon ligji per akcizen e duhanit

Ndryshon ligji per akcizen e duhanit

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik kanë vendosur të ndryshojnë ligjin për akcizën e duhanit dhe korrigjimin i regjimit fiskal për Bio-Dieselin, për t’i ardhur në ndihmë energjisë së gjelbër. Këto nisma janë njoftuar sot nga vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ministri i Shëndetësisë, teksa ka bërë një parantezë të sëmundjeve që shkaktohen nga duhani si ato kardiovaskulare dhe kanceri i mushkërive, prezantoi një vendim të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

“Duhan pirja shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare e kanceri i mushkërive. Jemi të vëmendshëm të mbrojmë shëndetin e qytetarëve për mbrojtjen nga duhani”, u shpreh Beqaj duke shtuar se akti formalisht është fiskal, pasi ndryshohet ligji i akcizës për duhanin.

Sipas ministrit Beqaj, ndryshimi i akcizës do të ketë efekt ekonomik dhe social dhe sipas tij ky efekt do të ndihet vit pas viti deri në 2017-ën. Sa i përket ligjit antiduah, Beqaj tha se që prej 5 javësh ai është zbatuar me sukses, ndërsa më tej ai u ka bërë edhe një apel instancave përkatëse që të vijojnë punën pa tolerime. Ndryshime do të bëhen gjithashtu edhe në masat e regjimit fiskal të Bio-Dieselit. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi angazhimin e qeverisë për energjinë e gjelbër, me synim për ta afruar vendin tonë me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Do bëhen ndryshime në regjimin e Bio-Dieselit. Ligji aktual jo vetëm që nuk e ka ndihmuar energjinë e gjelbër, por e ka dëmtuar atë”, u shpreh Ahmetaj, i cili shtoi se me këto ndryshime do t’i hapet rruga gjetjes dhe zbatimit të normave të kërkuara nga BE-ja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama