Mungojne dramat provokative

Mungojne dramat provokative

Nis sot në Teatrin Kombëtar, Takimi Mbarëkombëtar i Dramaturgjisë shqipe. Regjisorë, aktorë dhe dramaturgë në një diskutim të gjatë mbi problemet e dramaturgjisë kombëtare dhe të ardhmen e saj

A kemi sot një dramaturgji të mirë shqipe? Cilat janë temat dhe roli i dramaturgjisë sot? Dilemat dhe problemet që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë; ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë? Një mori pyetjesh që janë ngritur këto vite mbi dramën shqipe, do të gjejnë përgjigje në “Takimin Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë shqipe” që do të hapë siparin sot në Teatrin Kombëtar, me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Takimi do të hapet nga dramaturgu Bashkim Hoxha, i cili do të jetë dhe moderator i takimit, më pas do të përshëndetet nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli.

 

Tema e parë e diskutimit do të jetë “Dramaturgjia shqipe dhe problemet me të cilat ndeshen autorët”. Regjisorët Mihal Luharasi dhe Haqif Mulliqi do të sjellin një tablo të përgjithshme të dramaturgjisë bashkëkohore sot. Pavarësisht kritikave që i janë bërë këto vite dramaturgjisë shqipe, nuk kanë munguar dramat e shkruara. Kemi një mori dramash të shkruara. Vetëm në konkursin e 100-vjetorit të Pavarësisë u paraqitën 31 drama, në një konkurs të shpallur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ish-Teatri i Komedisë) për dramën shqipe u paraqiten 15 vepra, në konkursin e përvitshëm për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi” në Prishtinë për çdo vit konkurrojnë autorë të ndryshëm me mbi 50 vepra; pra numri i dramave të pretenduara është goxha i madh. Pyetjeve që do t’u jepet përgjigje është se “Si ndodh që shumë pak vlera evidentohen kur kemi një numër kaq të madh shkrimesh nga dramaturgët shqiptarë? …Kush konkurron në konkurse dhe a konkurron elita e dramaturgjisë në këto konkurse! Prof dr.

 

Emin Kabashi dhe Josif Papagjoni do të flasin mbi temat e rëndësishme të historisë dhe aktualitetit në këtë fushë. Padyshim që vendi ynë, ofron një pafundësi temash që do të mirëpriteshin nga publiku. Përgjithësisht prurjet dramatike qasen jo natyrshëm, shpesh abstrakte, dhe nuk krijojnë asnjë alkimi me lexuesin apo spektatorin. Historia e Shqipërisë, biografitë e udhëheqësve, luftërat e panumërta që shqiptarët janë përballur, shumë pak janë trajtuar në shkrimet e dramaturgëve tonë. Drama e mirëfilltë investiguese, drama e mirëfilltë biografike, drama provokuese historike, janë me pikatore në fondin e dramaturgjisë shqipe. Pyetjet që lindin: A i përgjigjet dramaturgjia shqipe kërkesave të kohës? A kemi ne krijimtari përfaqësuese për zhvillimet dramatike që kanë përjetuar dhe përjetojnë shqiptarët? Çfarë duhet bërë për ta sjellë gjuhën dramatike më pranë temave të aktualitetit? Çfarë duhet bërë për të paraqitur historinë e Shqipërisë në skenat shqiptare?…

Autorët nga Kosova sa dhe si i kanë trajtuar temat historike, qoftë nga e kaluara e largët, qoftë e afërt? A janë inskenuar ato? Kritiku i dramaturgjisë prof. dr. Nebi Islami do të flasë mbi teknikën e shkrimit dhe degën e dramaturgjisë. Dramaturgjia ndërthur elemente të letërsisë dhe i përkthen në gjuhën e skenës. Gjuha skenike është e varfër, skema profesionale e ndërtimit të veprave dramatike është në kufijtë e instinktit. Dramaturgët shpesh janë konvertuar në shkrues nga komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve. Kjo është një praktikë e njohur që funksionon me sukses absolut edhe në botë, por atje ka një sërë hallkash që e përpunojnë profesionalisht dialogun. Ndërkohë, kemi shumë pak të rinj që shkruajnë. Shkolla jonë nuk e ka degën e dramaturgjisë. Sa vlejnë këto konstatime dhe pyetje për realitetin në Kosovë? Sa ka ndikuar shkolla e dramaturgjisë për këto 20 vite në Kosovë për krijimin e dramës. Pyetjet që lindin: A e njohin skenën autorët që vijnë nga letërsia, dhe a i kanë të gjitha cilësitë letrare autorët q vijnë nga arti skenik?

 

A ka ardhur koha që të krijohen kushte të tjera për njohjen e teknikës në shkrimin e dramës shqipe? A ka ardhur koha që të investohet te të rinjtë? A duhet ndërtuar një program konkret për kultivimin e talenteve në këtë gjini? A duhet përpunuar një strategji afatgjatë (UA-Ministri-Teatër)për një zhvillim të qëndrueshëm të dramaturgjisë shqipe?…Dr. Përparim Kabo dhe Prof.dr. Besim Rexhaj do të diskutojnë mbi identitetin përmes teatrit në një botë që globalizohet dhe raportin mes zhvillimet në dramaturgjinë botërore. Është konstatuar se krijimtaria jonë dramaturgjike është gati e pavënëshme në raport më dramaturgjinë aktuale botërore. Ka pasur disa shenja domethënëse në përballjet ndërkombëtare (veprat e Stefan Çapalikut, Haqif Mulliqit, Anton Pashkut, Milazim Krasniqit, Fadil Hysajt etj), por e përgjithshmja është jo shumë optimiste. Ne vëmë në skenë drama serbe, ruse, greke, italiane, kroate ndërkohë që asnjë teatër i rëndësishëm nuk ka vënë në skenë drama shqipe. A vihen në skenën e Kosovës drama serbe, greke etj., dhe pse jo? A mundet dramaturgjia jonë të tërheqë vëmendjen si një vlerë e shtuar në dramaturgjinë aktuale botërore?

 

Sa dhe ku është inskenuar drama shqipe e Kosovës jashtë hapësirës sonë gjuhësore? A ka krijuar dramaturgjia shqipe identitetin e saj mbarëkombëtar? Mos kemi mbetur të kufizuar në preferencat lokale të Tiranës Shkupit e Prishtinës? A kemi ne një këndvështrim origjinal që do të na bashkonte dhe do të na bënte të dallueshëm prej të tjerëve? A ka ardhur koha të diskutojmë gjerësisht për një përballje të dramaturgjisë shqipe me dramaturgjinë bashkëkohore botërore? A i qëndrojnë krijimet tona trendit të dramës së shekullit XXI me të gjitha veçoritë e veta? Një mori temash do të ndalen te drama shqipe, pasi është konstatuar se përgjithësisht mungon diskutimi midis nesh; dikush që shkruan në Tiranë është pak i njohur në Shkup a Prishtinë dhe anasjelltas. Por edhe në një këndvështrim më të ngushtë, lokal, debati përgjithësisht është personal dhe jo institucional. A ka ardhur koha për një bashkëpunim më gjithëpërfshirës midis vetë krijuesve, për diskutime serioze e debate që lidhen me krijimtarinë, duke shmangur vështrimet lokale? A ka ardhur koha e integrimit midis vetes? Mos ka ardhur koha të ngrihet e të funksionojë si një shoqatë e dramaturgëve shqiptarë një forum i dramës shqipe? Për dramën shqipe do të diskutojnë prof. dr Emin Kabashi, dramaturgët Fadil Kraja dhe Ferdinant Hysi, kritiku Vehap Shita, Sesilia Plasari, Anxhela Çikopano, Mexhit Prençi, Agron Gërguri, Arjan Krasniqi, Naser Shatrolli. Janë një mori diskutimesh për dramën shqipe. A ka ardhur koha të rivlerësohet tradita? A mund të kemi Teatër Kombëtar pa ngjitur në skenë Çajupin, Pashkun, Dervishin, Haxhiademin e shumë të tjerë? A ka ardhur koha që teatrot të shpluhurosin historinë zyrtare dhe të zbulojnë veprat e lëna në harresë nga ideologjia e së kaluarës? A duhet rishkruar historia e re e dramës shqipe përmes rivlerësimeve? A duhet rishkruar historia e vërtetë duke u shkëputur nga diktati i historisë zyrtare? Drama shqipe është nga më të preferuarat për publikun shqiptar. Këtë fakt e vërteton më së miri salla e Teatrit të Metropolit e cila është plot me spektatorë. Nën një këndvështrim të ri veprat shqipe janë dominuese në programin e këtij institucioni.

 

Vepra me regji të Mihal Luarasit e shkruar nga Ruzhdi Pulaha “Streha e të harruarve” nuk do harrohet për kënaqësinë estetike që i solli publikut kryeqytetas, komedia “Pas Vdekjes” e Çajupit pas dy dekadash nxori tabelën “Biletat u shitën” në dyert e teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës, drama “Gishti” e Doruntina Bashës në të gjithë veniet e veta ka sjellë spektatorë në sallat e teatrove, komedia e Erion Kames në Teatrin e Komedisë e mbushi sallën plot me spektatorë. Publiku e do dramaturgjinë shqipe kur tërhiqet nga problematika serioze personazhet e skalitur apo dialogu domethënës. Një nga pyetjet që pritet të marrë përgjigje është dhe në ka ardhur koha që të funksionojë si një institucion i mirëfilltë, i mirëfinancuar, i përqendruar dhe i përvitshëm “Festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama