Mishel Platin Krenar per Evropianin

Mishel Platin: Krenar për Evropianin
FUTBOLLI i VËRTETË

"Më ka entuziazmuar atmosfera shumë e bukur edhe në fushë, vlerat teknike të skuadrave, - nënvizon presidenti i UEFA-s në konferencën për shtyp, të dhënë në "Ernst Happel Stadion". - Më kanë bërë për vete edhe tifozët, vullneti i mirë i tyre, një mënyrë shumë domethënëse e gëzimit në sport; kanë bërë me të vërtetë maksimumin". "Roi" Mishel nuk harron të përdorë ironinë në përgjigjet e tij. Kur një gazetar e pyet nëse është e drejtë apo jo finalja, ai përgjigjet. "E drejtë? Si mund të them se ka drejtësi në futboll; nëse do të kishte, do të kisha fituar edhe unë një Botëror me Francën". Qesh, pastaj shton: "Nëse Gjermania dhe Spanja kanë ardhur deri këtu, do të thotë që e kanë merituar. Frytet e punës i kanë marrë ata që kanë kërkuar gjithmonë të fitojnë. Është një Evropian ku kemi kuptuar shumë gjëra, përfshij edhe faktin e vështirësisë për të shënuar 9 gola në një kompeticion si ky. Dy skuadrat kanë demonstruar një futboll sulmues, prandaj nuk ka fituar ‘katenaco‘, por sulmi".

KRAVATA ZVICERANE

Për moviolën në fushë tashmë duket se është më se i vendosur: "Atëherë kur do të ketë moviola në fushë, - paralajmëron ai, - atëherë nuk do të jetë më e nevojshme që të jenë gazetarët në tribuna, pasi nuk do të ketë më argumente për të bërë debate". Pastaj duke iu referuar medias, ai këshillon: "Prandaj, mbrojeni punën tuaj". Vetëm pak fjalë ka thënë për Italinë: "I zhgënjyer nga italianët? Sikurse e keni parë, ata kanë mundur dhe njëkohësit eliminuar Francën". Një plagë e vogël që fshihet, sepse tani nuk duhet të demonstrojë veten si tifoz. "Tashmë kam kravatën neutrale zvicerane, nuk mund të jem njëkohësisht edhe tifoz edhe drejtues i futbollit".

HULIGANËT

"Lojtari që më ka pëlqyer më shumë? Është e vështirë për ta thënë, do ta vendosë komisioni teknik i UEFA-s". Dhe për hipotezat Evropianit në gusht eliminon çdo dyshim: "Nuk ishte aspak një ide; kurrë nuk kam folur për këtë hipotezë dhe për momentin nuk do të flas". Pastaj kthehet të flasë për tifozët: "Ua kemi dhënë atyre mundësinë të vijnë në paqe dhe të tregojnë civilitet. Policia ka bërë një punë të mirë; shumë huliganë do të kishin dashur që ta prishnin festën, por ne ua kemi ndaluar. U kemi dhënë tifozëve të vërtetë mundësinë për të shijuar futbollin".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama