Minierat e famshme te floririt ne bote

Minierat e famshme të floririt në botë

Në gjithë historinë e njerëzimit, sipas statistikave të vitit 2001 mendohet se janë nxjerrë më shumë se 145 mijë tonë flori nga nëntoka.

Floriri
Për sa u përket rezervave kombëtare të floririt pjesën më të madhe e kanë Shtetet e Bashkuara të ndjekura nga Gjermania. Nëse në rezerva përfshihen dhe bizhuteritë e prodhuara nga floriri atëherë vendin e parë për depozita e zë India. Për sa i përket pronësisë personale të floririt nuk dihet kush ka më shumë, por mendohet se një anëtar i një familjeje mbretërore në Lindje.

Riciklimi i floririt
Floriri është ricikluar gjithnjë për shkak të vlerës së tij të lartë. Prandaj dhe bizhuteritë moderne apo dhëmbët e floririt mund të përmbajnë copëza floriri, i cili është nxjerrë nga nëntoka në kohët prehistorike apo ka qenë i ndonjë pjesëtari të ndonjë familjeje mbretërore. Në kohët e sotme, të paktën 15 përqind e floririt të përdorimit vjetor riciklohet çdo vit.

Monedha e floririt
Një prej monedhave të floririt më të rralla në botë është ajo e vitit 1933, e cila u shit në një ankand nga “Sotheby” në Nju Jork në vitin 2002, për një shumë prej 7.59 miliardë dollarësh. Monedha, e cila nga njëra anë ka Statujën e Lirisë dhe nga ana tjetër një shqiponjë, është prodhuar në vitin 1933 në kohën e Depresionit të madh, por s’ka dalë në qarkullim pasi presidenti Roosevelt e braktisi standardin e floririt. Të 445 500 monedhat, secila me nga një vlerë 20 dollarë u depozituan për t’u shkrirë dhe vetëm në vitin 1940 u zbulua se dhjetë prej tyre nuk ishin kthyer.

Karati 
Karati ka qenë fillimisht një njësi matëse e lashtë e përdorur nga tregtarët në Lindjen e Mesme. Karati përdoret akoma për të matur gurët e çmuar. Për sa i përket floririt, karati filloi të përdorej për të matur pastërtinë e floririt dhe floriri i pastër fare përcaktohet si 24 karatësh. 

SHBA

Alaska
Rajoni i Alaskës ka qenë një prodhues mjaft i madh i floririt dhe ka arritur të prodhojë deri në 248.8 tonë metrikë flori. Sot prodhimi më i madh i floririt në Alaskë vjen nga miniera “Fort Knox” ku në vitin 2006 janë prodhuar 10.3 tonë metrikë.
Arizona
Miniera e fundit që operonte në Arizona është mbyllur në vitin 1998. Në vitin 2006 prodhimi i floririt në Arizona erdhi si nënprodukt minierave të bakrit dhe eksplorimi ka filluar sërish.
Kolorado
Në Kolorado është zbuluar flori fillimisht në vitin 1858 në afërsi të Denverit të sotëm. Sot në Kolorado ekzistojnë tre miniera të cilat vazhdojnë të prodhojnë flori.
Idaho
Në Idaho u zbulua floriri në vitin 1860 në Pirse (Pierce). Në vitin 2006 dy minierat aktive të arit në Idaho ishin “Silver Strand” dhe “Bond”
Montana
Minierat shkëmbore aktive në Montana janë “Montana Tunnels” dhe “Golden Sunlight”. Floriri në këtë shtet prodhohet edhe nga tre miniera platini në kompleksin “Stillwater”.
Nevada
Nevada është aktualisht shteti që prodhon më shumë flori në SHBA duke mbuluar 82 përqind të gjithë floririt që nxirret nga minierat e arit në vend.
Nju Meksiko
Floriri u zbulua fillimisht në Nju Meksiko në vitin 1828 në Santa Fe. Aktualisht gjithë floriri në këtë shtet vjen si nënprodukt i minierave të bakrit.
Dakota e Jugut
Aktualisht në Dakotën e Jugut ekziston vetëm një minierë që prodhon flori, miniera “Wharf”.
Utah
Floriri i prodhuar në ditët e sotme në Utah vjen si nënprodukt i minierës së madhe të bakrit “Bingham Canyon”.

Evropë

Rusi
Rusia është prodhuesja më e madhe evropiane e floririt me rreth 152 tonë vetëm në vitin 2001, Në Rusi minierat janë të përqendruara në Siberi dhe malet Urale. 
Suedia
Suedia është një tjetër vend evropian me prodhim të lartë të floririt. Në vitin 2001 ajo ka prodhuar 5 tonë.
Spanja
Edhe Spanja bën pjesë në hartën e vendeve “të bekuara” me flori dhe në vitin 2001 sipas raporteve ka prodhuar 3.3 tonë.
Turqia
Turqia është kthyer në një zonë fokusi për kompaninë minerare ndërkombëtare dhe ka prodhuar rreth 4.2 tonë flori në vitin 2002. 

Afrikë

Afrika e Jugut ka padyshim rezervat më të mëdha të floririt në gjithë botën. Në Johanesburg janë të përqendruara minierat më të mëdha të arit.

Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama