Matura Shteterore nxenesit refuzojne oret e konsultave

Matura Shteterore, nxenesit refuzojne oret e konsultave

Ndërkohë që datat e provimeve për maturantët po afrojnë, duket se për të ndjekur orët mësimore shtesë nuk ka një interes masiv nga ana e tyre. Këtë fakt nuk e bëjnë të ditur vetëm mësuesit, por edhe një pjesë e madhe e maturantëve të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” me të cilët “Shekulli” kontaktoi ditën e djeshme. Ata shprehen se dëshirojnë të mësojnë në mënyrë individuale ose të ndjekin kurse private. Fakti që këto orë mësimore shtesë zhvillohen menjëherë pas përfundimit të orarit mësimor, i bën ata të mos i përkushtohen këtyre seancave për shkak të lodhjes. Udhëzimi i Ministrisë rreth një muaj më parë, i cili ka shkuar në të gjitha shkollat e vendit, vendosi përpara përgjegjësive të gjithë mësuesit për të organizuar konsultime pa pagesë, pas orarit të mësimit për të gjithë nxënësit që kanë nevojë për sqarime, për asistencë dhe për leksione plus.

 

 Të gjitha këto janë pa pagesë dhe duhet të merren parasysh nga shkolla të gjitha detajet e organizimit, plotësimi i grafikut të punës pas shkolle për të gjithë arsimtarët, si dhe përcaktimi i orareve dhe datave fikse për secilën lëndë. Ky udhë-  zim, i hartuar nga Ministria e Arsimit me qëllimin për të ndërprerë kurset private që shumica e mësuesve e aplikojnë në shtëpi dhe ambiente të tjera, synon të ndihmojë maturantët në përvetësimin e lëndëve ku kanë vështirësi apo pamjaftueshmëri. Janë gjithsej 5 lëndë, që zhvillohen nga mësuesit përgjegjës, përkatësisht 1 orë në javë. Në lëndët e detyrueshme, aty ku prania e nxënësve duhet të jetë më e lartë, vihet re një bojkotim i madh, ndërsa për lëndët me zgjedhje, numri i maturantëve që frekuentojnë këto orë është edhe më i vogël dhe jo të gjithë ata që i kanë zgjedhur qëndrojnë. Mësuesit thonë se preteksti i tyre është lodhja mendore e akumuluar gjatë ditës dhe mund të ndodhë që orët shtesë të mos zhvillohen në disa raste. 

 

Kurset private 

 

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pak muaj më parë në një letër të hapur urdhëroi gjithë mësuesit që të bëheshin pjesë e reformimit në arsim dhe të mos bëheshin pjesë e mënyrave abuzuese me kurset private me nxënësit. Megjithatë, ende në gjimnazet e kryeqytetit për të pasur mesatare të mirë dhe njohuri më të thelluara, duhet që të paguash mësimet private te mësuesit e shkollave. Ky sezon  shihet nga mësuesit si një periudhë e artë për zhvillimin e kurseve private. Vetë nxënësit tregojnë se ka mësues që mungesën në kurse e kthejnë në hakmarrje, të cilën e shprehin në vlerësimin dhe notat që vendosin.

 

Kurset private nuk janë një fenomen i ri në sistemin parauniversitar, por pas urdhrit të ministres së Arsimit Lindita Nikolla mësuesit që kryenin kurse filluan t’i zhvillonin ato në mënyrë më të kontrolluar. Shqetësimi i gjimnazistëve bëhet më i madh kur njëkohësisht me lëndët e shkollës, u duhet të ndjekin njëkohësisht edhe kurse të gjuhëve të huaja. Duke mos u mjaftuar me punën që bëjnë në institucionet publike, mësuesit e shkollave kryejnë edhe 4-5 orë mësime private kundrejt pagesës me nxënësit që kanë në shkolla. Sipas maturantëve, kostoja për kurset private është në varësi të profesorëve dhe lëndëve që ata japin. Çmimi për 1 orë e 30 minuta, për lëndën e matematikës dhe fizikës shkon deri në 1000 lekë për gjimnazistët kryeqytetas. Por duke dashur që nxënësit të jenë çdo herë të pranishëm në kurse, ka edhe mësues të cilët praktikojnë pagesa mujore. Reforma që ka nisur në arsim prej kohësh ka favorizuar shumë prej mësuesve që zhvillojnë kurse private. 

 

16 maj

 

 Provimi i parë do të jetë në këtë datë. Do të jetë gjuha e huaj, e cila këtë vit nuk është programuar për të qenë lëndë me zgjedhje, por e detyrueshme për të gjithë maturantët.   

 

Datat 

 

Gjuhë Shqipe dhe Letërsi më 30 Maj Matematikë në 9 Qershor Provimet me zgjedhje do të zhvillohen më 18 Qershor Këto data janë përzgjedhur që të gjithë maturantët që do të garojnë dhe në universitetet e huaja, pra jo ato shqiptare të mos penalizohen për nevojën që ata kanë për pritshmëri. Shifra 51255 përbën shifrën e të gjithë kandidatëve që synojnë një vend në universitet.      

 

Sondazhi, 99 për qind e maturantëve njohin Maturën Shtetërore 

 

Inspektorati i Arsimit dhe Komiteti i Maturës Shtetërore kanë ndërtuar planin e aktiviteteve që ndjek hap pas hapi zhvillimin e nevojshëm që duhet të ketë çdo maturant për procesin e Maturës Shtetërore, por njëkohësisht dhe ka monitoruar situatën e njohjes, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Sondazhet e zhvilluara me maturantët gjatë kësaj periudhe kanë treguar edhe të dhënat, për ecurinë dhe informimin e maturantëve për procesin. Nga një anketim i pyetësorit të përmbledhjeve që është bërë, ka rezultuar se njohja e Maturës Shtetërore në rang republike njihet nga rreth 99 për qind e maturantëve , që janë pjesë e procesit. 75 për qind e nxënësve janë njohur nga mësuesit kujdestarë duke krijuar pikërisht edhe atë që quhet qendra, këndi apo grupi i Maturës Shtetërore në çdo shkollë. 55 për qind e nxënësve janë njohur nëpërmjet drejtuesve të shkollës, informimit mediatik dhe 22 për qind e nxënësve nga orët e konsultimit. 88 për qind e nxënësve realizojnë orët e konsultimit, të vendosura mbi planin e një grafiku të qartë.

 

 Zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit është shprehur se për pjesën e nxënësve që nuk kanë realizuar orët e konsultimit, janë marrë masat që këto orë, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme, si për provimet e lëndëve me zgjedhje, ashtu edhe për provimet e detyruara, të jenë pjesë e programit të Maturës Shtetërore. Një lajm shumë i mirë  është fakti se 97 për qind e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën e dytë, si gjuhë alternative dhe kështu bie poshtë e gjithë problematika që u shfaq në momentin e parë nga debatet e ndryshme, për sa i përket gjuhës së parë, si lëndë detyruese dhe kjo tregon që tashmë nxënësit e mirëpresin dhe jam e bindur që ky rezultat do të jetë shumë i mirë në nivelin e pritshmërisë që ata kanë. 

 

Njëkohësisht, rreth 90 për qind e nxënësve kanë informacion për sistemin e kreditimeve dhe për mënyrën sesi do të bëjnë përzgjedhjen e lëndëve në listën e Maturës Shtetërore. Vetëm 10 për qind e tyre është ende e panjohur dhe kjo tregon se është një shifër, ku informacioni është dhënë i saktë dhe i plotë”, - është shprehur Malaj. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të publikojë këto ditë edhe strukturën e testit të gjuhës italiane dhe gjermane (provim i detyruar D3). Struktura e këtyre testeve është në vazhdën e publikimit të formateve të testeve të gjuhës angleze dhe franceze. Për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që përfundojnë sivjet shkollat e mesme, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të shpërndajë “Guidën e Maturantit”. Kjo guidë u lançua pak kohë më parë nga zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj dhe pritet që të bjerë në dorë të maturantëve këto ditë. Ky manual përmban të gjithë informacionet që lidhen me Maturën Shtetërore dhe i përgjigjet shumë pyetjeve apo paqartësive, me të cilat nxënësit përballen në ecurinë e rrugës drejt universitetit. 

 

 Konkurs për piraterinë në arsimin para-universitar 

 

 Në shkollat e sistemit parauniversitar vijon Konkursi Kombëtar mbi konceptet dhe parimet e të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me to. Më datë 21 -22 prill 2014, ora 13:00 në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, do të organizohet Konkursi Kombëtar “Të mbrojmë Pronësinë Intelektuale, të edukojmë gjeneratën që po rritet” me shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe ato të mesme. Aktualisht, janë zhvilluar këto konkurse respektivisht në këto DAR-e, duke përfshirë shkollat e sistemit para-universitar, për Qarkun Lezhë, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat dhe Kukës, duke dalë kështu dhe shkollat fituese. Ky aktivitet vjen në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, ditë e cila festohet në mbarë botën nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale çdo 26 prill. 

 

Për sa më lart, në kuadër të kësaj dite të rëndësishme për respektimin dhe mbrojtjen e krijimtarisë së mendjes njerëzore, ZSHDA ndër të tjera ka vendosur të organizojë këtë aktivitet, i cili konsiston në një konkurs me rreth 50 pyetje nga fusha e të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale në tërësi, që do të zhvillohet  në qarqet kryesore të vendit me shkollat e mesme dhe ato të ciklit 9-vjeçar (klasat e 8-ta dhe të 9-ta) në nivel Drejtorie Arsimore Rajonale. Aktiviteti zhvillohet nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe Ministrinë e Kulturës, Drejtoritë Rajonale Arsimore dhe do të kryhet gjatë gjithë muajit prill, me qëllim sensibilizimin e publikut të gjerë me koncepte dhe çështje të së drejtës së autorit. Edukimi dhe informimi për gjeneratën e re që po rritet sjell uljen e nivelit të piraterisë dhe shkeljeve në një vend të caktuar, përvojë kjo e provuar në shumë vende të zhvilluara. 

 

Pikërisht, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe i shoqërisë në tërësi si dhe arsimimi në këto çështje, janë ndër shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Zbatimit të të Drejtave të PI 2010-2015. Sa më i madh të jetë informimi i konsumatorit për rëndësinë dhe rolin e të drejtave të PI-së, aq më i ulët do të jetë niveli i piraterisë dhe shkeljeve të tjera në vend. Konkursi final midis shkollave të vendit do të finalizohet në Tiranë më datë 25 Prill 2014, ku do të shpallen dhe fituesit e kësaj gare dhe do të shpërndahen dhe çmime simbolike. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama