Manchester City 250 milione Paund per Messin

Manchester City, 250 milione Paund per Messin

Pas raportimeve të ndryshme nga Spanja se Lionel Messi nuk konsiderohet më i paprekshëm e se Barcelona tashmë e mendon si opsion shitjen e tij, nga Anglia vjen një tjetër lajm i bujshëm. E përditshmja “Metro” shkruan se Manchester City është duke punuar për ta kthyer në realitet transferimin e argjentinasit në Angli për një shifër që do të shënonte një rekord të ri botëror, pasi bëhet fjalë për plot 250 milionë Paund. Në përfundim të një sezoni zhgënjyes për blaugranat, Messi aktualisht ndodhet në bisedime për rinovimin e negociatat deri tani nuk janë vendosur ende në shina me dyshimet që sa vijnë e shtohen për të ardhmen e argjentinasit.

 

Drejtuesit e Citizens shpresojnë se Leo dëshiron gjithashtu një ndryshim të ambientit dhe një aventurë të re larg Spanjës. Gjithmonë nëse kjo hipotezë kthehet në realitet, transferimi i Messit do të ishte jo vetëm i shtrenjti në histori, por ai do të bëhej edhe futbollisti më i paguar i të gjitha kohërave. Paratë për klubin e sheikëve nuk janë fare një problem, 4 herë fituesi i Topit të Artë e ka të sigurt se në Manchester do të marrë një pagë faraonike që e kalon shifrën 300 mijë Paund, kaq paguhet për momentin Wayne Rooney te rivalët e Manchester United. Nga Barça shumë zëra kanë dalë se ka ardhur koha që Messit mund t’i tregohet dera, ndonëse mungon një qëndrim zyrtar dhe sidomos në kushtet e bllokadës nga FIFA në merkato, që do të thotë se katalanasit e kanë të pamundur të blejnë më pas pasuesin e numrit 10. Në të shkuarën edhe Paris Saint Germain e ka bërë të qartë se do të tentojë me forcën e parave të joshë Messin, nëse nga Barcelona ai do të nxirret në merkato.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama