Magani e pranon Zbehen shanset per titull

Magani e pranon: Zbehen shanset per titull

Trajneri i Tiranës: “Luajtëm shumë mirë. Nuk kam asnjë kritikë ndaj skuadrës, por fati nuk ishte me ne. Europa nuk është në rrezik”

Për trajnerin Gugash Magani, barazimi i djeshëm ndaj Partizanit ka bërë që Tiranës t’i zbehen shanset për titullin kampion, ndërsa Europa sipas tij është e arkivuar dhe nuk ka rrezik që bardheblutë të mbeten jashtë. Në analizën e tij pas ndeshjes, numri 1 i stolit të kryeqytetasve shpjegon edhe ndërrimet e bëra gjatë ndeshjes ndaj Partizanin dhe pranon se gjykimi ishte korrekt. “Lamë dy pikë në këtë takim. Kishim shanset për të dyfishuar rezultatin kur ndeshja ishte 1-0 për ne, pasi ishim superiorë ndaj kundërshtarit. Duhet të tregoheshim më të qetë.

Edhe pse nuk fituam, skuadra u shpreh shumë mirë në fushën e lojës, pasi zhvilloi një lojë shumë të mirë. Ky barazim na e zbeh edhe objektivin e dytë më të rëndësishëm që ne kishim për këtë sezon. Edhe pse Bakaj dhe Morina vinin nga dëmtimet, iu dhashë besim, të cilin e përligjën më së miri. Sefa zhvilloi një paraqitje pozitive, por e zëvendësova për shkak të dëmtimit që pësoi. Nuk kam asnjë kritikë ndaj ekipit, me përjashtim të fatit, i cili nuk ishte në anën tonë sot (dje).

Edhe në momentin e pësimit të golit të parë, ishte një gabim njerëzor i lojtarit tonë që humbi topin, ndërsa kundërshtari doli në kundërsulm dhe na ndëshkoi falë një krosimi pa shumë pretendime. Goli i dytë ishte më shumë fat, edhe pse ekzekutimit ishte i veçantë. Europa në rrezik? Absolutisht që jo. As që e mendoj një gjë të tillë. Do të hyjmë në fushë për të fituar të tria ndeshjet e mbetura, aq më shumë që ndaj Skënderbeut do të luajmë në ‘Qemal Stafa’. Gjyqtari? Ishte mjaft korrekt, jo si në dy derbet e fazës së dytë dhe të tretë”, përfundoi Gugash Magani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama