Lutfi Nuri pjese e aksionereve te Tiranes

Lutfi Nuri, pjese e aksionereve te Tiranes

Ngjarja që ndodhi në Shkodër, ka kërkuar që një përfaqësi e skuadrës së Tiranës të shkojë në Shkodër për të rikthyer edhe një herë normalitetin e marrëdhënieve mes skuadrave dhe klubeve. Në lidhje me këtë ngjarje, faqja zyrtare e skuadrës bardheblu ka bërë me dije edhe përfaqësinë e Tiranës. Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, është shkruar se Refik Halili dhe Lutfi Nuri kanë shkuar në cilësinë e dy drejtuesve të lartë të klubit bardheblu. Në këtë mënyrë, është vetë skuadra bardheblu që njofton futjen e Nurit si një prej personave që do të ketë një përqindje të caktuar të aksioneve të privatizuara. Për momentin është ende e paqartë mënyra e ndarjes së aksioneve dhe përqindjet e sakta që do të kenë drejtuesit bardheblu, por dita e djeshme dhe postimi në faqen zyrtare të skuadrës ka njoftuar opinionin publik se Nuri është një prej personave që do të jetë pjesë e drejtuesve të skuadrës kryeqytetase. Disa ditë më parë është bërë edhe ndarja e 66% të aksioneve të skuadrës, ku zoti Halili ka të drejtën ligjore të pasjes së tyre në përdorim. Sipas njoftimit të klubit, zëvendëspresidenti aktual i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lutfi Nuri do të jetë një tjetër person që të do të ketë në administrim aksionet e privatizuara të skuadrës. Prej kohësh, familja Nuri njihet si një prej kontribuuesve në skuadrën kryeqytetase dhe një gjë e tillë është bërë vazhdimisht. Sa herë që ka pasur nevojë Tirana, familja Nuri ka kontribuar me shumë të ndryshme parash, në mënyrë që Tirana të jetë një skuadër e mirë paguar dhe një skuadër që nuk mbetet pas me të ardhurat. Tashmë që Tirana do të nisë një periudhë të re administrimi dhe menaxhimi, ku skuadra do të drejtohet nga sponsorët privatë, priten edhe emrat që do të jenë përfundimisht aksionarët e skuadrës për të ardhmen. Përpara ndarjes së aksioneve nga bashkia, në sezonin e kaluar, Refik Halili dhe Julian Morina kanë qenë njerëzit që kanë kontribuuar zyrtarisht për skuadrën kryeqytetase. Ligjërisht, është Halili ai që e ka të drejtën për të mbajtur aksionet që janë privatizuar nga bashkia, por një marrëveshje mes palëve, do të përcaktojë edhe ndarjen që do të ketë me përqindjen e aksioneve.

Halili: E ndjemë për detyrë këtë vizitë

Refik Halili ka deklaruar se skuadra e tij e ka pasur për detyrim moral që të bënte vizitën në Shkodër, për të vijuar me marrëdhëniet normale dhe miqësore mes klubeve. Sipas tij, miqësia që ekziston mes klubeve, nuk mund të prishte për shkak të një incidenti që ka ndodhur. “E ndjemë për detyrë të vinim në Shkodër për të sheshuar çdo gjë. Ky duhet të jetë një shembull edhe për gjithë ekipet e tjera të cilët nuk duhet t'i kushtojnë rëndësi acarimeve të momentit por të punojnë për rritjen e bashkëpunimit. I falënderoj shkodranët për mikpritjen dhe ju garantoj se edhe në Tiranë do të jenë gjithnjë të mirëpritur”, ka deklaruar Refik Halili. Sipas sponsorit bardheblu, të dyja skuadrat do të dalin në një vendim të përbashkët dhe në një kërkesë të përbashkët për të kërkuar ulje të ndëshkimit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Sa i takon dënimit, ne do të dalim me një deklaratë të përbashkët bashkë me klubin Vllaznia dhe do t'i drejtohemi Federatës për të kërkuar zbritjen e dënimit. Futbolli është për tifozët dhe nuk ka kuptim të zhvillojmë ndeshje pa to", është shprehur Refik Halili gjatë takimit me përfaqësuesit e skuadrës shkodrane. Një takim që ka shërbyer për rikthimin e marrëdhënieve miqësore mes klubeve, pavarësisht të gjithë skandalit të dhunës që ndodhi në ndeshjen e mesjavës së kaluar mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Pritet takim për t’i kërkuar FSHF-së uljen e dënimit

Takimet mes drejtuesve të Tiranës dhe atyre të Vllaznisë nuk kanë përfunduar këtu. Dy palët do të takohen sërish për të bërë një konferencë të përbashkët për t’i kërkuar FSHF-së uljen e dënimit që mori për ngjarjen e shëmtuar që ndodhën pas ndeshjes Vllaznia-Tirana. Kjo gjë u bë e ditur ditën e djeshme, pas takimit të parë të një delegacioni nga Tirana në Shkodër. Sipas zyrtarëve të Vllaznisë dhe atyre të Tiranës, dënimi që mori Komisioni i Disiplinës ishte shumë i ekzagjeruar dhe të gjithë presin përgjysmimin e tyre. Drejtuesit e Tiranës dhe ata të Vllaznisë janë gati t’i bëjnë thirrje Federatës dhe Komisionit të Apelit, që këto dënime të mos jenë kaq të ashpra dhe të reduktohen. Ende nuk ka një datë të përcaktuar se kur do të ritakohen sërish drejtuesit e Tiranës dhe të Vllaznisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama