Llalla ne Kuvend Skemi para pajisjet e pergjimit i kemi me qira

Llalla ne Kuvend: S'kemi para, pajisjet e pergjimit i kemi me qira

Kryeprokurori kërkoi mbështetje financiare për të luftuar krimin dhe korrupsionin. “Na duhen më shumë prokurorë për të përballuar volumin e punës”. Replikat Fino-Halimi për dosjet e korrupsionit 

 

Prokurori  i Përgjithshëm, Adriatik Llalla apeloi për më shumë mbështetje dhe ndihmë nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi institucioni i akuzës është duke përballuar volum të lartë pune me të njëjtin numër prokurorësh si vitet e shkuara. Gjatë raportimit në Kuvend, Llalla tha se për shkak të mungesës së buxhetit, organi i akuzës ka hasur vështirësi në sigurimin e mjeteve për gjetjen dhe kërkimin e provës, si dhe në transportin e prokurorëve, kryesisht drejtuesve të prokurorive në rrethe. “Institucioni ka nevojë për mbështetje financiare nga Kuvendi dhe për shtimin e numrit të prokurorëve.

 

Aktualisht prokuroria mban me qira pajisje për kërkimin e provave apo dhe pajisje përgjimi”, – tha Llalla duke iu përgjigjur pyetjes së kreut të komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, për marrëdhëniet e Prokurorisë me institucionet e tjera. Pas fjalës së tij përpara deputetëve, Llalla u pyet nga një pjesë e mirë e të pranishmëve, ndërsa nuk munguan as replikat. Pyetja e deputetit Bashkim Fino për gjendjen në të cilën janë kallëzimet e bëra përgjatë vitit 2013 për disa zyrtarë të lartë, u kundërshtua nga deputeti Eduard Halimi, i cili tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të flasë për çështje konkrete.

 

“Janë çështje të veçanta këto”, tha Halimi, ndërsa e menjëhershme ishte edhe përgjigja e deputetit socialist, Bashkim Fino. “Pse të djeg ty…”, – u shpreh  Fino, ndërsa iu drejtua Prokurorit të Përgjithshëm duke thënë “e mora përgjigjen”. Më tej, kreu i akuzës u pyet disa herë për bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, duke u nisur nga situata e shpërthimeve të vazhdueshme me tritol. “Kemi parandaluar shumë raste të shpërthimeve me tritol, falë bashkëpunimit me institucionet”, – tha Llalla, duke përsëritur se marrëdhëniet me këto dy institucione janë korrekte dhe institucionale. Kryeprokurori u shpreh kundër ndryshimeve të shpeshta ligjore, të cilat sipas tij nuk sjellin rezultatet e pritshme.

 

Duke iu përgjigjur deputetit demokrat, Ardian Turku, për rezultatet që kanë patur rritja e masave të dënimit apo ndryshimet e shpeshta ligjore, Llalla tha se ashpërsimi i dënimeve nuk është mënyra më e mirë për uljen e kriminalitetit. Gjatë raportimit të punës vjetore, Llalla u përball me mbi 20 pyetje, por vetëm në një rast Prokurori i Përgjithshëm u pyet për luftën kundër korrupsionit. Edhe kjo pyetje u fokusua në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit në radhët e prokurorisë, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm tha se një prokuror është hetuar për korrupsion dhe tashmë ndodhet në gjykatë, ndërsa janë marrë masa disiplinore për të paktën pesë prokurorë në bazë të ankesave të qytetarëve. Prokurori i Përgjithshëm tha se për vitin 2013, institucioni i tij ka përballuar një volum të konsiderueshëm pune krahasuar me vitin 2012, ndërsa numri i prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore ka qenë i njëjtë. Për këtë arsye, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi nga Kuvendi shtimin e numrit të prokurorëve dhe më tepër fonde për shpenzimet e prokurorisë, me qëllim përballimin e ngarkesës së punës që rritet vit pas viti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama