Linda Rama Ja pse debatoi Edi me Adi Krasten ne ditelindjen e Papavramit

Linda Rama: Ja pse debatoi Edi me Adi Krasten, ne ditelindjen e Papavramit

Bashkëshortja e kryeministrit në një rrëfim për shtatzaninë dhe reagimin e Ramës në momentin që mësoi se prisnin një fëmijë. Si e përjetoi Linda Rama debatin publik mbi sherrin mes të shoqit kryeministër dhe gazetarit Adi Krasta dhe rrëfimi i saj për këtë ngjarje

 

Mund të them se kam ftuar dy persona në emision, njëra prej tyre është Linda Rama, emrin tjetër e dimë?

 

Jo, sepse nuk dimë gjininë.

 

Unë e kam dëgjuar këtë , që ju e keni mundur tundimin për të marrë vesh nëse është djalë apo vajzë? Pse kjo zgjedhje?

 

Po të ishte e mundur të kuptohej që në fillim nëse bebi ishte vajzë apo djalë, mund ta kishim parë. Zakonisht nuk identifikohet që në momentin e parë që merret vesh si lajm. Edi ka qenë ai që e përcaktoi këtë vullnet, mua më pëlqeu dhe iu bashkova. Mbase dhe për arsyen që ka shumë gjëra që para ’90 që na pëlqejnë. Edhe kjo është nga gjërat e bukura, kur fëmija lindte, ishte një surprizë e shtuar për të ditur nëse është djalë apo vajzë.

 

Ajo periudha e para ’90 ishte një kohë që të pëlqente më shumë, duke përjashtuar kohën politike?

 

Jam e bindur, ne e kuptonim se kush ishin kufizimet e asaj kohe dhe se kush ishin mungesat tona. Këto nga pikëpamja materiale.  Sigurisht, shkenca dhe teknologjia nuk kishin evoluar deri në këto përmasa që kanë evoluar sot. Fjala vjen, për mënyrat e diagnostikimit të shtatzanisë dhe shumë të tjera. Unë i përkas brezit që të gjithë jetën shkollore e ka pasur në atë kohë. Kam mbaruar në vitin 1987. Dhe për të qënë shumë e sinqertë të gjitha këto faza të jetës time i kujtoj me shumë kënaqësi.

 

Për t’u kthyer tek shtatzania, ishte një gjë e kërkuar me insistim?

 

Do të thoja një gjë e dëshiruar. Nuk është vullneti ynë për të përcaktuar këto gjëra, ne kishim vetëm dëshirën për të pasur një fëmijë. Gjithmonë unë kam besuar se është një vullnet edhe më i madh se kaq që kjo dëshirë të bëhet realitet. Të jem  e sinqertë e kemi dëshiruar gjithmonë me Edin të kemi një fëmijë dhe kemi qënë jashtëzakonisht të lumtur në momentin që e morëm vesh që kishte ndodhur.

 

Si ishte situata kur u mor vesh nga ju?

 

Në fillim e mora vesh unë e para, sepse shkova të diagnostikohesha, se që në momentet e para e kuptova që nuk ishte diçka e zakonshme. Pa menduar që kishte ndodhur kjo gjë. Thellë brenda vetes time dhe e mendoja, por kisha shumë frikë ta mendoja, sepse kisha frikë se do zhgënjehesha. E pashë gjithmonë thjesht për të bërë një konsultë me mjekun. Isha unë që e mora vesh e para, por nuk e ndava me Edin, sepse nuk isha në gjendje. Në momentin e parë që ishim bashkë në shtëpi, ja thashë me shumë kujdes. Sepse e ndieja që ishte një lajm i madh. Do ta kujtoj gjithë jetën time kur e ndava lajmin me Edin, sepse Edi u hutua dhe bëri një veprim siç bëjnë sportistët kur bëjnë 3 pikëshin në koshin e basketbollit, më pëlqeu shumë. E kishte një gjë të dalë nga brenda tij.

 

Aneta Rama, është nëna e Edi Ramës. Është një vjehrrë e mirë?

 

Do të thoja që është një grua e jashtëzakonshme, ndihem me shumë fat që e kam takuar në jetë. Përtej të jashtëzakonshmes që ndodhet brenda çdo nëne, ajo që mua me ka bërë të ndihem shumë mirë dhe të habitem, fuqia shumë e madhe që nëna e Edit ka për të përballuar në kohë afatgjatë, vështirësi të cilat një njëri normal nuk do t’i përballonte. Dhe këtu kam parasysh llumin e shpifjeve për njerëzit shumë të dashur dhe shumë të afërt të shpirtit të saj. Gjithmonë e kam pyetur veten se çfarë e bën atë të mos transmetojë asnjë gjë, por të mbajë për vete dhe të mos të transmetojë tek ne, këtë stres të madh që të krijon kjo lloj situate. Mamaja e Edit rrjedh nga një familje shumë patriote e jugut të Shqipërisë, por përtej pjesës gjenetike, është ajo që e njeh më mirë Edin. Ka besim tek ai dhe është plotësisht e bindur se çdo gjë që bën Edi, nuk e bën në të mirën personale por në funksion të besimit të tij për një jetë më të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

 

Bashkëshorti juaj kujt i ka ngjarë?

 

Kjo është një pyetje që ia kam bërë vetes gjithmonë dhe do thoja se nëna e Edit është biblioteka e pasur e imja ku unë rrëmoj. Marr vesh se si ka qenë jeta në atë familje në kohët e hershme edhe nga paraardhësit e tij dhe për të kuptuar në çfarë ambjenti është rritur Edi. Ka shumë ngjashmëri me nënën e tij, energjia, këmbëngulja, etj. Ndihem me fat që kam takuar nënën e Edit, ashtu siç ndihem pa fat që nuk kam takuar babain e Edit. Megjithatë kam dëgjuar shumë rrëfime për të nga njerëz që e kanë rrethuar dhe kanë punuar me babain e Edit dhe e tregojnë për një njeri shumë fisnik, të kulturuar dhe me një elegancë të fortë. Janë ndjerë shumë mirë kur në një libër të Helena Kadaresë, në autobiografinë e saj, ajo shkruan ” megjithëse nuk ishin miq të afërt më familjen e saj, në momentin kur babai i Ismailit u largua nga jeta, babai i Edit ishte aty, megjithëse një pjesë e miqve të ngushtë nuk ishte aty, për shkak se sipas asaj kohe nuk ishin shumë në paqe me regjimin”.

 

Përpara disa javësh ka pasur një diskutim të madh publik, lidhur me një darkë ku ka qënë Kryeministri, ku keni qenë edhe ju,  ku kanë qënë të ftuar të tjerë me të cilët unë kam folur privatisht për të marrë vesh se si është e vërteta, sepse u tha që ka pasur një diskutim të ashpër me tone përtej limiteve midis Ramës dhe një kolegu tim, Adi Krasta. Në këtë sjellje Rama ngjan me nënën apo babain, që nuk ta përton batutën e ashpër?

 

E para, unë jam ndjerë shumë e habitur për ekstremin në të cilën zhvillohet fantazia njerëzore, lidhur me një darkë ku nuk ka patur asnjë arsye që të shkojë në atë gjendje. Ndërkohë që darka bëhej për një mik që ishte Tedi Papavrami, kishte ditëlindjen. Unë kisha qenë në koncert me Gregun dhe vija direkt nga koncerti. Do të thoja këtë se nuk ka ndodhur kurrë në prezencën time që të ketë një moment të kalimit të një kufirit etik nga Edi, por edhe jashtë prezencës time. Këtë nuk do ta imagjnoja kurrë, për një arsye shumë të thjeshtë edhe familja ku është rritur Edi, është një familje dhe një mjedis ku kodi etik është i panegociueshëm. Gjithë pjesën banale dhe etike dua që mos të merremi.

 

Edhe kur ka qënë kryetar Bashkie dhe tani që është Kryeministër, kam përshtypjen që do të këtë ndonje moment ku një rrëshqitje mund t’ia lejojë vetes?

 

Po kam garancinë e padiskutueshme, nuk mund të fshihet diçka me rezervë, kjo mund të jetë momentale, por kurrsesi të cilat cenojnë etikën normale të komunikimit dhe të sjellurit. Ndërkohë që është e vërtetë që në atë tryezë kishte debat, por nuk u zhvillua debat për detaje të cilat ishin të parëndësishme, por për një çështje parimore, e cila qëndronte në rolin e individëve të caktuar apo mediave të caktuara, veçanërisht dekadën e fundit. Unë po jap një përmasë këtij debati për një arsye shumë të thjeshtë. Ne frekuentojmë shumë pak tavolina, por atëherë që e frekuentojmë, e kemi kënaqësi që të shkëmbejmë me të tjerë gjëra që iu shmangen detajeve. Ky ka qënë fakti i asaj nate.

 

Nëse në vendin tuaj do të ishte Krasta dhe do të fliste për atë darkë, ju mendoni se do ta përshkruajë si një Kryministër elegant?

 

Unë po flas për elegancë, sigurisht, por edhe për Edin etik, sepse nuk dua të them se ishte në cilësinë e Kryeministrit, sepse sikur thashë ishim për Tedin aty. Por jam e bindur besoj që edhe Adi këtë pjesën e thelbit të diskutimit, do ta vinte në këtë lloj pozicioni. Çdo gazetar ka të drejtën të shprehë mendimin e tij, por nga ana tjetër, duhet të jetë i hapur që të presë argumente, të cilat mund të mos përkojnë në atë mënyrën se si e shohin ata.

 

Ai ka marrë përsipër të qeverisë vendin, ju keni mundësi të ndërhyni?

 

Përgjithësisht unë e kam si natyrë dhe nuk ndërhyj në punën e tjetrit, nuk merrem me detaje. Unë bëj një jetë shumë të thjeshtë, bëj të njëjtën jetë që kam pasur më parë, kam të gjitha anagazhimet e mia siç i kam pasur më parë. Jam shumë e vëmendshme të kuptoj, sensibilitete të ndryshme të njerëzve të zakonshëm, për fenomene që ndodhin. Jam shumë e kujdesshme përsëri këto t’i transmetoj ashtu siç më vijnë. Në momentin që ka diçka të madhe me interes publik që nuk shkon, sigurisht që i jap absolutisht të drejtën vetes thjesht t’i them Edit që kjo gjë perceptohet në këtë mënyrë dhe nuk shkon. Ai është nga njerëzit që këshillohet me një numër shumë të madh njerëzish.

 

Ajo që bën Mishele Obama ështe një gjë që duhet ta bëjë një “First Lady”?

 

Po të shohim në internet profilet e të gjitha zonjave të para, secila ka mbajtur një profil të vetin. Mishele, përtej atyre çeshtjeve që ka marrë përsipër, si ajo e obezitetit dhe familjeve të ushtarëve amerikanë, ka patur dhe kurajon të sjellë disa risi në profilin e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara. Jam e bindur se publikut i pëlqen, duke parë dhe pikët që mban Mishel Obama në sondazhet e zhvilluara, madje dhe më të larta se presidenti vetë.

 

Ju e keni takuar?

 

Unë e kam shoqëruar dy herë Edin në udhëtimet e tij jashtë shtetit dhe një prej udhëtimeve të tij, ishte udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe aty kemi pasur rastin të takohemi me Presidentin dhe Zonjën e Parë. E kam takuar dhe një herë tjetër  gjatë një takimi që kishte organizuar me gratë e kryeministrave dhe presidentëve në mbarë botën. Kur e kam takuar herën e parë më ka bërë përshtypje, ishte fakti se përtej elegancës së jashtëzakonshme, vështrimi i saj ishte shumë i thellë dhe shumë penetrues. Arrita ta kisha këtë lloj ndjesie.

 

Çfarë mendoni se mendojnë shqiptarët për gruan e kryeministrit Shqiptar?

 

Do doja shumë të më përceptonin kështu siç jam, po ajo që unë bëj kujdes, është të kem një profil që përkon me Lindën e vërtetë dhe sigurisht të jetë në shërbim të Edit, në të gjitha kuptimet. Për t’i krijuar mundësitë që ta bëjë qetësisht dhe sa më mirë punën e tij. Unë mendoj se gjëja e parë dhe më e rëndësishme që pret publiku është një lloj mesazhi dhe stabiliteti, që ju krijon atyre besimin se Kryeministri bën gjënë e duhur.

 

Ju mundoheni të bëni gruan e Kryeministrit?

 

Unë nuk bëj asgjë të veçantë apo të përpiqem të bëj gruan e Kryeministrit, kur vjen puna për jetën publike. Unë Edin e ndjek vetëm në ato aktivitete, ku gruaja e Kryeministrit duhet të jetë prezent.

 

Jeta kam përshtypjen ju ka ndryshuar, me hir apo  me pa hir?

 

Jeta ime nuk ka ndryshuar. Unë bëj të njëjtën jetë, lëviz me të njëjtën makinë të vogël, shkoj në të njëjtën kafe, pi kafe me të njëjtët miq. E vetmja gjë që kam ndryshuar dhe që më ka dhembur fillimisht ka qenë telefoni. Kur Edi mori qeverisjen, pata një fluks shumë të madh telefonatash dhe mesazhesh, të cilët mendonin që nëpërmjet meje mund të zgjidhnin ndonjë problem. Mirëkuptimin që kam ndaj tyre, njerëzve që kërkojnë të zgjidhin diçka, e pashë të pamundur që në mënyrë të përditshme të sqaroja, që nuk jam njeriu i duhur dhe që unë nuk ndërhyj në asnjë lloj rasti. Më ka dhembur shumë në momentin e parë dhe kam ende merakun se mund të më keqkuptojnë, se mund ta marrin si shenjë arrogance, por nuk është e tillë. Edi është në atë zyrë sepse u votua partia e tij dhe koalicioni, nga një numër shumë i madh shqiptarësh dhe është aty me vullnetin e tyre, për të realizuar ato çfarë ka premtuar.

 

Ju çfarë mendimi keni për gruan e ish Kryeministrit?

 

Nuk e njoh nga afër. Nuk ka qëlluar që ta takoj, kam vetëm aq perceptime sa mund të merren në distancë. Të jesh gruaja e një kryeministri , presidenti apo një njeriu që ka një pozicion të lartë politik, është një pozicion shumë i vështirë.

 

Nga 1 deri në 10, çfarë note do t’i vije Kryeministrit , jo si grua, por si qytetare e Shqipërisë për atë që ka bërë gjatë këtyre muajve?

 

Besoj se nuk është ende koha e mjaftueshme për të dhënë një vlerësim të tillë. Duhet të japim kohën e nevojshme, por fillimi është shumë i mbarë. Ka arsyet e veta që është i mbarë. Çdo qeveri do kishte nevojë për më shumë kohë.

 

Cila është periudha më e bukur e jetës tuaj?

 

Dua t’i qëndroj asaj shprehjes që Rexhep Qosja e ka cituar në një nga dokumentarët e tij, që “Njeriu e merr me vete kudo fëmijërinë e vet”. Fëmijërinë time e kam dhe modelin e fëmijës tim. E rëndësishme në rritjen e një fëmije është t’iu japësh mundësinë të ketë besimin se mund t’i bëjë gjërat mirë vetë, t’i japësh dashuri dhe kujdes, mbi të gjitha të formosh fëmijën për të zgjedhur mes të mirës dhe të keqes.

 

Fëmija juaj do të ketë fëmijëri më të bukur se tuajën?

 

Shpresoj shumë! Kam një lloj shqetësimi brenda vetes, se si do të jetë lidhja e fëmijës, mos të jetë lidhja me botën virtuale të mjeteve të kompjeterizuara. E kam përgatitur veten që të kem mundësi t’i mëshoj mënyrës tradicionale të rritjes së fëmijës, deri në një moshë të caktuar.

 

A jeni 100% e gatshme të bëni nënën?

 

Po, nuk lodhet njeriu duke bërë mëmësinë asnjëherë.

 

Po babai është i gatshëm për të ribërë babain?

 

Besoj se po! Edhe Edi është i gatshëm dhe në këtë betejë që them, edhe Edi e beson rritjen tradicionale të rritjes së fëmijës.

 

Ky fëmijë do të jetë i lumtur sepse do të ketë prindër fantastikë?

 

Ne kemi dy fëmijë të cilët janë të mrekullueshëm, Rean dhe Gregun, kemi një familje të bukur dhe besoj se kjo është një arsye e madhe që ky fëmijë të jetë në një mjedis shumë të mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama