Lev Gjermania gaboi shume ishte nje fitore me zemer

Lev: Gjermania gaboi shume, ishte nje fitore me zemer

Joakim Lëv e cilëson si një fitore me zemër atë të arritur kundër Algjerisë, duke theksuar se bënë shumë gabime në fushën e lojës, përfshirë edhe mungesën e finalizimit të aksioneve. Gjithsesi, ai i kënaqet kualifikimit për në çerekfinale…


Një fitore e vuajtur, por në fund Gjermania ia doli të sigurojë çerekfinalet…


Po, ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Algjeria e tregoi se është një ekip mjaft i fortë. Gjithsesi, mendoj se fajin kryesor që nuk arritëm ta zgjidhim ndeshjen, e kemi pasur ne. Nuk arritëm të dalim në lojën tonë apo të finalizojmë si duhet aksionet. Në kohën e rregullt mund të kishim shënuar më shumë se një herë, nëse do ishim treguar të saktë para portës.

Çfarë nuk funksionoi te skuadra?


Bëmë shumë gabime. Sidomos në pasime. Duhet të kontrollonim lojën, duke detyruar kundërshtarin të mbrohej dhe të tentonin me aksione të gjata dhe me shumë pasime. Ne humbëm shpeshherë topin dhe i lejuam kundërshtarit që të përdorë armën e vet më të fortë, kundërsulmin.


Futja e Shyrrles ndryshoi ritmin e skuadrës. Pse e bëtë një zgjedhje të tillë?


Andre është një lojtar me karakteristika të ndryshme nga Gëce. Ai mund t’i jepte skuadrës më tepër thellësi në aksionet sulmuese dhe do ishte një ndihmës më i mirë për Mylerin, pasi do luanin më afër njeri-tjetrit. Së bashku me Khedirën, i dhanë skuadrës më tepër ritëm. Gjithsesi, mendoj se arritëm një fitore me vullnet dhe zemër. E thashë edhe më parë që ne bëmë shumë gabime, të cilat mund të na kishin ndëshkuar rëndë, por ekipi nuk u dorëzua për asnjë moment.


Jeni i kënaqur me paraqitjen e mbrojtjes?


Edhe ata patën problemet e tyre. Vuajtën shumë me topat e gjatë të kundërshtarit, duke mos arritur të koordinohen si duhet mes pozicionit dhe kohës së lëvizjes. Jam i kënaqur që Nojer doli shumë herë për të ndihmuar mbrojtjen në momentin e duhur. Ishte e nevojshme që të dilte aq shpesh.


Tani ju pret ndeshja me Francën…


Përballja me Algjerinë tregoi se nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë. Duhet të japësh maksimumin dhe të jesh thuajse perfekt. Ndeshjet e ardhshme sa vijnë dhe bëhen akoma më të vështira. Sfida e sotme (dje) duhet të na shërbejë si “shkundje”, në mënyrë që të mos përsërisim të njëjtat probleme edhe në raundet pasardhëse, pasi mund të na kushtojë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama