Leje ndertimi te paligjshme pranga kryekomunarit te Ksamilit dhe vartesit

Leje ndertimi te paligjshme, pranga kryekomunarit te Ksamilit dhe vartesit

Kati shtesë i një ndërtesë 4 plus 1 kat, çon në pranga kryekomunarin e Ksamilit dhe shefin e Urbanistikës së kësaj komune. Ka qenë hetimi në lidhje me ndërtesën e shtetasit M.K, që ka zbuluar 15 raste të dhënieve të lejeve të ndërtimit në shkelje të ligjit. Kështu me kërkesën e Prokurorisë së Sarandës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Besnik Abedini, me funksion kryetar i komunës së Ksamilit, si edhe për shtetasin Fatos Malaj, me detyrë shef i Urbanistikës po në këtë komunë. Gjithashtu, gjykata ka vendosur masën e pezullimit nga detyra për Alban Budon, kryeinspektor i Inspektoratit Vendor Urbanistik të Komunës. Këta persona dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në disa raste të dhënies së lejeve të ndërtimit. Vendimi i gjykatës për ta është ekzekutuar pasditen e djeshme nga policia e Sarandës. Hetimi mësohet se ka nisur në bazë të referimit të Komisariatit të Policisë, Sarandë, mbi një rast ndërtimi të paligjshëm në zonën e Ksamilit. Nga veprimet procedurale të kryera nga Prokuroria, rezultoi se janë aplikuar praktika të kundërligjshme në të paktën 15 raste të dhënies së lejeve të ndërtimit.

Referimi në prokurori

Në territorin në juridiksionin të komunës Ksamil dhe pikërisht në vendin e quajtur “Baxho”, është konstatuar një godinë 4 + 1 kate, me mbishkrimin “ Hotel xxxxxx”, e cila është e raportuar si ndërtim me leje, dhënë nga autoritetet e komunës Ksamil, në kundërshtim me studimin urbanistik. Në këto kushte janë kryer verifikimet paraprake pas te cilave rezulton se është identifikuar personi që ka ndërtuar godinën e cituar me lart dhe ka rezultuar të jetë shtetasi M. K. Për të saktësuar rrethanat, është pronari objektit është pyetur si person që tregon rrethana të hetimit. Lidhur me ndërtimin e këtij objekti, lejen e zhvillimit dhe të ndërtimit, e të tjera sqarime, i cili ka shpjeguar se figuron që prej vitit 2005 i regjistruar pranë QKR-së në Gjirokastër si biznes me objekt “materiale ndërtimi”. Më pas ka ndryshuar destinacionin e biznesit, duke e bërë investitor në ndërtim.

 

Aktualisht ushtron aktivitet tregtar me destinacion shërbime hotelerie, pikërisht në godinën 4 + 1 kate. Për këtë ndërtim, ai ka shpjeguar se është pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi me datë 7 dhjetor 2013, të miratuar nga komuna. Po ashtu ai ka shpjeguar se ka dorëzuar dokumentacionin për të marrë lejen e ndërtimit në fillim të muajit dhjetor të vitit 2012. Leja e ndërtimit për këtë objekt është miratuar më datë 07.12.2012 dhe menjëherë pas miratimit të lejes së ndërtimit në muajin janar të vitit 2013 ka filluar punimet. Ai ka sqaruar se gjatë fazave të ndërtimit të objektit është verifikuar nga ana e INUV dhe punonjësve të zyrës së Urbanistikës së Komunës.

Verifikimi

Në vijim të hetimit është marrë nëpërmjet këqyrjes leja e zhvillimit dhe ndërtimit për objektin e konstatuar. Nga analizimi paraprak i lejes, datë 07 dhjetor 2014 në emër të shtetasit M.K, ka rezultuar se kjo leje është dhënë për ndërtimin e një objekti me tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, fakt qe bie në kundërshtim me gjendjen reale të objektit në fjalë. Sa më sipër konkludohet se shtetasi M.K e ka shkelur lejen e ndërtimit, duke ndërtuar një kat mbi projektin e miratuar. Në vitin 2013 ka aplikuar pranë Zyrës së ALUIZNIT në Sarandë për legalizimin e këtij kati që ka devijuar jashtë projekti. Më datë 12.09.2014 është bërë këqyrja e objektit si dhe fotografimi i tij ku dukshëm pasqyrohen të dhënat e këqyrura për tejkalimin e ndërtimit mbi atë të lejuar. Për rastin konkret që lidhet me lejen e zhvillimit dhe ndërtimit të dhënë në emër të shtetasit M.K nga ana e autoritetit përgjegjës të komunës, ku përfshihet kryetari i komunës së Ksamilit rezulton se janë kryer shkelje të tilla që formojnë elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

 

Për rastin konkret janë konstatuar shkelje pasi përveç dyshimeve mbi dhënien e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit në kundërshtim më studimin urbanistik, është ndërtuar një kat mbi projektin e miratuar. Ndërkohë është konstatuar se nuk janë ushtruar kompetencat ligjore nga zyra urbanistike, INUV-i dhe kryetari i komunës, pasi sipas ligjit për “Inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar, ky objekt dhe pikërisht kati i katërt duhej prishur, veprim i cili nuk është kryer. Hetuesit kanë këqyrur librin e protokollit të komunës Ksamil për mbledhjet për miratim lejesh zhvillimi dhe ndërtimi në periudhën e vitit 2012 deri në vitin 2014. Nga këqyrja dhe analizimi i protokollit, rezulton në tërësi se, gjatë shqyrtimit të kërkesave të personave për leje zhvillimi dhe ndërtimi nuk janë shënuar në protokoll të dhëna për sheshet e ndërtimit dhe kondicioneve urbane.

Dokumentacioni i sekuestruar

Në vijim, nga analizimi i dokumentacionit të administruar në praktikat respektive të personave, për të cilët është miratuar leje zhvillimi dhe ndërtimi, ka rezultuar se janë kryer shkelje flagrante në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe konkretisht për :

Praktika për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit të shtetasit M.K.

Praktika për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit të shtetasit TH.D.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit për bar-kafe të shtetasit DH.C.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit Depo në funksion të hotelit të shtetasit Z.J.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit (mirëmbajtje), objekt i brendshëm të shtetasit N.TH.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit (shtesë kati), të shtetasit R.A.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtim garazhi në emër të shtetases N.S.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit godinë me konstrukte të lehtësuara një kat në emër të shtetases D.P.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtim bar-restorant me investitor XH.SH.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit shtesë kati në objekt ekzistues me investitor K.B

Praktika për dhënien e lejes së ndërtim piceri me konstrukte të lehtësuar me investitor A.O

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit mirëmbajtje (rikonstruksion) me investitor Firmën “B….”.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit kamping veror me investitor D.M.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtimit bar-restorant veror të përkohshëm me investitor A.XH.

Praktika për dhënien e lejes së ndërtim mirëmbajtje (rikonstruksion) çatie me investitor V.M.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama