Lame Legalizimet nuk mbyllen gjate ketij mandati

Lame: Legalizimet nuk mbyllen gjate ketij mandati

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame tha dje se procesi i legalizimeve nuk do të mund të përfundojë tërësisht brenda vitit 2017. Sipas tij, rreth 100 mijë deklarime për objektet nuk janë verifikuar në terren. Ndërsa për 33 mijë objekte të ndërtuara pas 1999-ës duhet një amnisti dhe konsensus politik

 

Kalvari i legalizimeve të ndërtimeve pa leje duket se do të mbetet një plagë e hapur edhe për shumë vite të tjera.Vështirësinë më të madhe të formalizimit duket se do ta kenë banesat jashtë zonave informale të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë diskutimit të projektligjit të ri të legalizimeve dje në komisionin e Veprimtarive Prodhuese tha se procesi nuk mbyllet as këtë mandat që përkon me vitin 2017, por së paku synohet që të legalizohen objektet brenda blloqeve informale.

 

100 mijë objekte nuk janë verifikuar në terren

 

Kreu i legalizimeve tha se mbi 100 mijë deklarime për objektet informale nuk janë verifikuar asnjëherë në terren. Nga 270 mijë ndërtime pa leje, vetëm 21 mijë kanë marrë lejen e legalizimit, ndërsa akoma më pak, ndoshta rreth 18 mijë janë pajisur me certifikatë pronësie. Lame përsëriti se ligji përjashton nga legalizimet ndërtimet pa leje të kryera pas vitit 2009, kur kjo u klasifikua si vepër penale. Ai tha se bëhet fjalë për një shifër të përafërt në rreth 33 mijë objekte të tilla. “Përfshirja e këtyre ndërtimeve në proces mund të bëhet vetëm përmes një amnistie dhe një konsensusi të gjerë politik”, – tha Lame. Drejtori i ALUIZNI-t nuk pati përgjigje shteruese ndaj pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me përmirësimin e koordinimit mes institucioneve që përfshihen në këtë proces, afatin brenda të cilit parashikohet të përfundojë, mënyrën sesi do të veprohet për legalizimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare etj. “Në rrjedhën e shumë viteve është deformuar qëllimi i ligjit. Edhe ato rreth 20 000 legalizime do të ishte mirë të mos ishin bërë, pasi Shqipëria do të ishte më e bukur”, tha ndër të tjera Lame, duke shtuar se në masë të madhe këto objekte të legalizuara janë në zona turistike, në parqe arkeologjike etj. Gjatë periudhës 1 mars-15 prill 2014, numri i dosjeve që janë bërë nga e para arrin në 6600. “Siguria në dokumentacion është baza e projektligjit. Ne jemi aq të kujdesshëm për këtë gjë, sa një ndër objektet e para që është futur në proces legalizimi nga ana jonë është ndërtesa e ALUIZNI-t, e cila është ndërtuar pa leje”, – tha Lame.

 

Miratohen ndryshimet

 

Pas diskutimeve dhe komenteve të deputetëve, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese e miratoi në parim projektligjin në fjalë vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita votoi kundër. Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu tha se ndryshimet e propozuara nuk adresojnë një sërë problemesh dhe nëpërmjet tyre qeveria thjesht po përpiqet të fitojë kohë. Nga ana e tij, kryetari i komisionit, Eduard Shalsi duke shprehur keqardhjen për votën kundër të  opozitës, kërkoi nga drejtori i ALUIZNI-t që të paraqiten objektet e ndërtuara para vitit 2009 dhe që kanë kryer pagesën do të legalizohen sipas ligjit aktual, pa ndryshim tarifash. Pjesa tjetër që nuk ka paguar deri në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, do të paguajnë me tarifat e reja. Tarifat e reja janë objekt i një vendimi të ri të qeverisë. Ndërkohë që ligji i ri parashikon ulje dhe lehtësira për familjet me ndihmë sociale dhe personat me aftësi të kufizuara. Kush paguan menjëherë tarifën, e bën 50 për qind me bono privatizimi. Ndërkohë që përfiton 20 për qind ulje për pagesën e menjëhershme dhe 10 për qind e shumës që mbetet, i kthehet mbrapsht për të paguar energjinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama