Kush ishte biznesmeni Isuf Brahimaj i ekzekutuar ne atentatin e dyte me tritol

Kush ishte biznesmeni Isuf Brahimaj, i ekzekutuar ne atentatin e dyte me tritol

Vdes në atentatin e dytë me eksploziv biznesmeni vlonjat Isuf Brahimaj. Pasi i shpëtoi një tentative të mëparshme Isuf Brahimaj, biznesmeni nga Vlora nuk mundi t’i shpëtonte atentatit të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Vlorës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:15, në lagjen 28 Nëntori në Vlorë, kur pas shpërthimit të automjetit të markës “Mitsubishi” Bajramaj, mbeti i vdekur në vend, ndërsa një vajzë mbeti e plagosur rëndë dhe mori djegie të shkallës së tretë nga zjarri i shkaktuar në makinë. Gjithashtu ajo sipas burimeve të policisë veç djegieve kishte marrë edhe plagë të tjera me fraktura në trup. Ngjarja ndodhi në kryqëzimin pranë sheshit “Omonia”, në rrugën trans-ballkanike të qytetit të Vlorës. E plagosura sipas policisë është identifikuar me emrin Ornela  Gjini 19 vjeçe banuese në Vlorë e cila ishte e ulur në ndenjësen e pasagjerit në automjet. Mësohet se 19-vjeçarja Gjini ka pësuar djegie të shkallës së tretë dhe është sjellë në QSUT në Tiranë në repartin e djegieve për një mjekim më të specializuar. Sipas mjekëve të QSUT-së, 19-vjeçarja Gjini është në gjendje të rëndë për jetën. Ajo ka mbërritur në Tiranë me djegie të thella në të dyja këmbët por edhe në fytyrë dhe në shpatullën e djathtë.

Mjekët bënë me dije se ajo i është nënshtruar fazës së ekzaminimit dhe se do të ndërhyhet pasi daljes së analizave. Ndërkaq veç vdekjes së Brahimajt dhe plagosjes së vajëz që ndodhej me të, lëndime të lehta ka marrë edhe një person tjetër që ishte kalimtar i rastit në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e kryer nga policia është konstatuar se automjetit të markës “Mitsubishi” me targa AA848JX , i ishte   vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi, duke shkaktuar edhe shpërthim të telekomanduar në pjesën e përparme të veturës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje mësohet se ka pasur 3 shpërthime gjatë momentit që ka qenë në ecje. Nga shpërthimi i mjetit mbeti i vdekur në vend drejtuesi i mjetit, Isuf Brahimaj, 42 vjeç, pronar i një hoteli në Radhimë, që pritej të inaugurohej këto ditë. Policia në vendin e ngjarjes ka kryer një seri veprimesh hetimore dhe ekzaminuese me qëllim gjetjen dhe identifikimin e sa më shumë gjurmëve që mund të ndihmonin policinë në zbardhjen e krimit të rëndë.

 

Trupi i pajetë u lëviz afërsisht një orë pas ngjarjes nga vetura, ndërkohë që ekspertët vijuan të kryenin veprimet hetimore. Mësohet se eksplozivi ishte vendosur poshtë ndenjëses së shoferit, çka sipas ekspertëve konfirmon dyshimet se objektivi ka qenë drejtuesi i mjetit, Brahimaj. Pista e hakmarrjes është më e mundshme pasi dyshohet se viktima ka pasur konflikte gjatë kohës që ka qenë emigrant në Itali. Ndërkaq për të hetuar rastin është ngritur një grup i posaçëm hetimor në përbërje   të të cilit janë specialistët më të mirë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë, Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë si dhe Prokurorë Kundër Krimeve të Rënda Tiranë dhe Vlorë. Ende nuk ka dyshime konkrete mbi autorë të mundshëm për krimin, por se policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasja mund të ketë lidhje me atentatin e mëparshëm ndaj Brahimajt në Vlorë si dhe ndaj të vëllait të tij. Hetuesit thanë se vrasja mund të ketë lidhje edhe me konfliktet e drogës, ku Brahimaj mund të ishte i përfshirë jashtë vendit.

Brahimaj i dënuar në Belgjikë e Itali

Viktima e atentatit të Vlorës, Isuf Brahimaj ishte dënuar me burg për trafik droge në Belgjikë. Gjykata e Anversës e ka dënuar dënoi me katër vite burg dhe 8250 euro gjobë tre shqiptarë sepse kishin asistuar në importimin e 23 kile drogë nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Anversës. Autoritetet doganore zbuluan drogën më 6 qershor 2009 në një kontejner frigorifer që mbante banane dhe që vinte nga Amerika e Jugut. Droga iu dorëzua personave por policia mbante nën vëzhgim anijen. Më 8 qershor zbuluesit panë katër njerëz që  i rrinin rrotull kontejnerit. Njëri prej tyre e hapi, ndërsa tre të tjerët e dërguan drogën në makinën e tyre. Policia arrestoi Isuf Kokajn (Brahimaj, 38), Indrit Kulaj (19) Flamur Lamaj (39) ndërsa një i katërt ia mbathi, duke i shpëtuar policisë. Veç këtij rasti mësohet se Brahimaj ka vuajtur në Itali edhe një dënim prej 8 vitesh burg. Brahimaj i shpëtoi edhe një atentati të rëndë vitin e kaluar, në të cilin shpëtoi pa marrë dëmtime serioze. Gjithashtu edhe i vëllai i tij Ermal Brahimaj, i njohur ndryshe si Bashkim Brahimaj i ka shpëtuar më 31 gusht të 2013-s një atentati që ka ndodhur në po të njëjtin vend. Dëshmitarët treguan për policinë se shpërthimi ndodhi sapo mjeti tip “Mercedez- Benz” ishte futur në një lavazh dhe drejtuesi i mjetit doli nga automjeti. Nga ai mori plagë të ndryshme pa rrezik për jetën. Eksplozivi ishte vendosur tek motori dhe dyshohet se është aktivizuar përmes telekomandimit dhe moskoordinimi i kohës ka bërë që ajo të shpërthejë në momentin kur pronari i saj sapo kishte dalë nga automjeti. Për atentatin e vitit 2013, policia ka vënë para akuzës vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, i cili nuk ka bërë të ditur emrat e porositësve të vrasësve.

Hetimet e policisë: Shpërthimi me telekomandë  

 Nga hetimet paraprake u tha se shpërthimi ka qenë i telekomanduar me celular, çka e bën të vështirë punën e hetuesve,pasi shpërthime të tilla nuk lënë gjurmë. Paraprakisht është mësuar se viktima 42- vjeçar,ishte pronar një hoteli në ndërtim në zonën e Ujit të Ftohtë dhe kjo është një nga pistat që po ndjek grupi hetimor. Megjithatë emri i Isuf Brahimaj nuk është i panjohur për policinë e Vlorës, nga ku mësohet se i ka shpëtuar edhe atentateve të tjera që janë kryer ndaj biznesmenit dhe familjarëve të tij. Është mundur të mësohet se emri i Isuf Brahimaj dhe vëllait të tij ndodhej në listën e vrasësit serial Julian Sinanaj, i cili ndodhet në qeli. Sipas burimeve nga policia dhe prokuroria, Sinanaj ka refuzuar që të kryejë këtë porosi, sepse kishte njohje me Isuf Brahimaj dhe përveç kësaj ia kishte dhe frikën, pasi ai dhe familjarët e tij ishin persona me influencë në Vlorë. Nga uniformat blu të qytetit bregdetar është pohuar se një atentat i ngjashëm i është kryer edhe ndaj vëllait të tij Ermal Brahimaj, më 31 gusht të vitit të kaluar. Makina e tij ka shpërthyer ne hyrje të një lavazhi, por pa i rrezikuar atij jetën. Ky ishte atentati i katërt ndaj pjesëtarëve të familjes Brahimaj nga fshati Sherisht, i cili për fat të keq u mbyll me një viktimë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama