Kriza e futbollit italian 3 miliarde euro borxhe

Kriza e futbollit italian, 3 miliarde euro borxhe

Kriza që ka mbërthyer futbollin italian nuk ka nevojë për shumë komente. Gjithçka është shumë e dukshme për të gjithë, me skuadrat që çalojnë kur bëhet fjalë për futbollin europian e me stadiumet në shumë raste që ndjejnë mungesë të madhe të tifozerisë për të ndezur atmosferën që ka karakterizuar gjithmonë futbollin në Itali. Me kërkesë të Federatës Italiane është hartuar një raport që zbulon në mënyrë të detajuar gjendjen financiare në Serinë A dhe shifrat e dala nga ky raport nuk janë aspak premtuese për një të ardhme të afërt më të mirë. Kështu, në lidhje me borxhin total të klubeve për sezonin 2012-2013 ka patur një rritje prej 1.9% në raport me sezonin paraardhës, duke kapur shumën e rrumbullakosur prej 3 miliardë eurosh, ndonëse humbjet kanë pësuar rënie në 202 milionë euro nga 280 milionë që ishin sezon më parë.

Një tjetër element që pasqyron vështirësitë që po kalon futbolli italian është edhe prezenca në rënie të ndjeshme e tifozëve në stadiume. Gjatë sezonit të kaluar ka patur në total 900 mijë më pak tifozë në takimet e Serisë A, në raport me sezonin 2011-2012. Pastaj, nëse flasim për një krahasim në nivel europian, prania e tifozëve italianë në stadiume është më e lartë vetëm në raport me francezët, ndërsa nuk ka asnjë surprizë me vendin e parë që e mbajnë gjermanët, të ndjekur nga anglezët e më pas spanjollët. Ashtu si shumë tregues që pasqyrojnë këtë gjendje jo shumë të mirë financiare të futbollit italian në ditët e sotme, edhe të ardhurat nga marketingu gjithashtu kanë pësuar rënie. Të gjitha këto të dhëna të mbledhura me kërkesë të Federatës pritet t’i prezantohen më pas qeverisë italiane gjatë një diskutimi në Romë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama