Kontrolli zbulon abuzime ne tenderet e Radio Televizionit Shqiptar

Kontrolli zbulon abuzime ne tenderet e Radio Televizionit Shqiptar

Një raport kontrolli i siguruar nga BIRN thotë se procedurat e tenderimit në radio televizionin publik, RTSH, qenë jokonkurruese dhe madje edhe të paligjshme. Raporti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili mbulon periudhën nga viti 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2013, nuk është publikuar më parë edhe pse televizioni financohet nga një taksë që i ngarkohet çdo familjeje shqiptare.

Të dhënat e hartuara nga BIRN në bazë të raportit tregojnë se në periudhën në fjalë, RTSH zhvilloi 12 tenderë për pajisje dhe kantrata shërbimi me vlerë të përgjithshme prej 168.2 milionë lekësh (1.2 milionë euro).

Dhjetë tenderë u zhvilluan për blerje pajisjesh për stacionet radiofonike apo televizive të RTSH ndërsa ajo përpiqej të transformonte veten nga transmetimi analog në atë dixhital. Dy tenderë u zhvilluan për kompani sigurie për të ruajtur ndërtesat dhe antenat.

Një tjetër, për blerjen e karburantit për ‘flotën’ e makinave, me vlerë 17 milionë lekë (121 mijë euro), u anulua më vonë pa ndonjë arsye konkrete sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas raportit, të gjithë tenderët u karakterizuan nga mosmbajtja e procedurave standard të prokurimit. Dokumentet kyçe në dosjet e tenderëve mungonin. Rezultati qe që konkurrenca reale në tenderë mungoi.

Dy kompani, TBS96 dhe Eurokontakt, fituan shumicën e tenderëve për pajisjet televizive. Shpesh ato qenë kompanitë e vetme konkurruese.

Sipas KLSH-së, në së paku njërin prej tenderëve, TBS96 dukej se kishte njohuri paraprake se ajo do të zgjidhej si fituese.

Megjithëse raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit e cilëson njësinë e tenderimit në transmetuesin publik si përgjegjëse për thyerjen e përsëritur të ligjit të prokurimit, ai nuk ka dorëzuar asnjë kallëzim penal në prokurori. Kjo për arsye se KLSH gjykoi se shkeljet kishin natyrë administrative.

KLSH la vetëm një rekomandim për departamentin e prokurimit të RTSH, ku thuhet se ky departament duhet të ndërmarrë “masat e duhura” për të siguruar pjesëmarrje më të madhe të kompanive nëpër tenderë në të ardhmen.

Në një intervistë me BIRN, ish drejtori i RTSH, Petrit Beci, e vlerësoi raportin si joprofesional dhe akuzoi autorët se po përpiqeshin ta shantazhonin.

Beci, i cili qe drejtor i përgjithshëm i RTSH nga viti 2005 deri më 2013, kur dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, tha se ligji shqiptar i prokurimeve nuk qe i përshtatshëm për institucionet mediatike dhe për kërkesat e këtyre institucioneve.

Themeluar më 1938, Transmetuesi Radiofonik dhe Televiziv shqiptar RTSH është anëtar i bashkimit Europian të Transmetimeve. Ai operon në tre kanale televizive, katër stacione dixhitale dhe katër stacione radiofonike.

Transmetuesi financohet përmes fondeve nga buxheti i shtetit, nga reklamat komerciale, si dhe nga një tarifë shërbimi që mblidhet përmes faturave të energjisë elektrike.

Akuzat për korrupsion, anësia politike dhe keqmenaxhimi nuk janë asgjë e re për kompaninë, të cilën shqiptarët kanë tendencën ta shohin si një mjet propagande për cilëndo qeveri që është në pushtet.

Sipas raportit të KLSH-së, njësia e prokurimit të RTSH nuk qe në standardet e duhura për shkak se gjiganti mediatik pati dështuar të trajnojë stafin siç kërkohet nga ligji.

Sipas një vendimi të vitit 2007 të qeverisë, stafi në të gjitha njësitë e prokurimit në administratën publike, në agjencitë publike apo në kompanitë publike duhet t’i nënshtrohet “së paku një trajnimi në vit” mbi procedurat pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.

Sipas auditorëve, njësia e prokurimit në RTSH, gjatë periudhës së auditimit, dështoi në mënyrë të përsëritur të argumentojë në dokumentet e tenderëve kriteret specifike që pati imponuar mbi palët kontraktuese, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin e prokurimeve.

Në shumë raste, transmetuesi vendosi kritere mbi konkurrentët që mund të kishin interpretime të gjera ose që mund të dëmtonin konkurrencën, duke kufizuar në realitet garën për pajisjet televizive te dy kompani.

Në një tender, të zhvilluar më 2010, për të blerë pajisje video për televizionin TVSH, të dhënat e komisionit të prokurimit tregojnë se tri kompani hynë në garë por vetëm dy u vlerësuan – pa ndonjë arsye të dukshme. “Nuk ka gjurmë të kompanisë së tretë,” vërejtën audituesit.

Në një tender tjetër më 2010 për të bleë pajisje të teknologjisë së informacionit, RTSH e zhvilloi procedurën e tenderimit dy herë, duke anuluar tenderin e parë pasi dy nga konkurrentët nuk u kualifikuan. Gjithsesi, ata nuk shpjeguan se pse konkurrentët u skualifikuan.

Në një tender më 2012, audituesit vërejtën se një nga konkurrentët, TBS96 sh.p.k, qe aq i sigurtë se do ta fitonte tenderin sa vendosi të sigurojë kontratën në të njëjtën ditë kur u hapën ofertat – pra para se ato të vlerësoheshin, duke shkelur gjithashtu ligjin.

I pyetur mbi raportin e KLSH-së dhe për mungesën e konkurrencës në procedurat e prokurimit të RTSH, ish drejtori Beci mbrojti punën e tij në krye të TVSH duke argumentuar se vetëm pak furnitorë të pajisjeve televizive qenë të pranishëm në treg.

“Ka vetëm një kompani e gjysmë për pajisje elektronike këtu,” tha ai.

“Pjesa tjetër ose nuk ka dokumentet e duhura ose janë thjesht dyqane,” shtoi ai duke vërejtur se TBS96 sh.p.k qe furnitori kryesor ndërsa Eurokontakt është kompania tjetër.

“Megjithëse unë nuk e dija se cila kompani do të fitonte një tender, për shkak se dokumentet nuk hartohen nga drejtori, unë gjithmonë e dija se do të ishte njëra nga të dyja,” vijoi ai.

Beci, i cili më herët ka patur eksperiencë të gjatë në kinematografi dhe televizione, pasi ka punuar në Kinostudio dhe si drejtor në dy televizionet më të mëdha të vendit – Top Channel dhe Tv Klan – tha se RTSH qe e vetmja media në Europë që zhvillonte tenderë për pajisje në shkallë të tilla të vogla.

Beci mohoi të ketë përfituar nga tenderët. Gjithsesi, ai pranoi se sistemi i tenderimit qe i hapur për abuzime. Blerja e pajisjeve përmes inxhinjerëve, bazuar në çmime reference, do të ishte mënyra e duhur, këshilloi ai.

“Për sa kohë ka tenderë në Shqipëri, do të ketë gjithashtu vjedhje,” tha ai. “Nëse nuk është drejtori duke vjedhur, do të jenë konkurrentët,” shtoi ai.

Gjithsesi, Beci e cilësoi kontrollin e KLSH mbi RTSH si të paligjshëm dhe kontrollorët si batakçinj.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka autoritet mbi institucionet [e pavarura] që i sigurojnë shumicën e fondeve vetë – ata duhej të kontrollonin vetëm paratë që RTSH merrte nga buxheti,” tha ai.

“KLSH shpesh i kërkon drejtorëve të institucioneve publike të punësojnë 20 vetë [në këmbim të një raporti pozitiv],” pretendoi ai. “Kjo më ka ndodhur edhe mua gjithashtu,” shtoi duke këmbëngulur, gjithsesi, ai ka refuzuar t’i nënshtrohet një presioni të tillë.

Ish drejtori i televizionit tha se prokurimi për pajisje televizive qe kompleks dhe se shkeljet e raportuara në raportin e auditimit qenë vetëm gabime të vogla.

“Nuk mund të them se nuk janë bërë gabime të vogla,” tha ai. “por në krahasim me vështirësitë e drejtimit të institucioneve të tilla, ato janë si thërmija pas buke,” shtoi ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama