Konferenca Ipeshkvnore Axhenda ne prag te vizites se Papes. Mesha e shenjte ne oren 1100

Konferenca Ipeshkvnore: Axhenda ne prag te vizites se Papes. Mesha e shenjte ne oren 11:00

Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga vizita historike e Papa Françeskut në Tiranë, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka publikuar axhendën e detajuar të vizitës një ditore që nis me mbërritjen në aeroportin e Rinasit në orën 9:00 ku Papa do të pritet nga kryeministri i vendit, për të vijuar me pritjen në presidencë dhe për të kulmuar në orën 11:00 me meshën e shenjtë që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës.

Axhenda e plotë e vizitës së Papa Françeskut
Dita e ardhjes së Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, më 21 shtator, do të shoqërohet me një program të ngarkuar, por në të njëjtën kohë, të shtjelluar dhe të organizuar në çdo detaj të saj.
Sipas itinerarit të lëvizjeve të Papës, do të spostohet edhe vëmendja dhe përqendrimi i të interesuarve.
Programi i detajuar i kësaj vizite:
7.30 NISJA me avion nga Aeroporti i Romës, Fiumicino, për në Tiranë

9.00 MBËRRITJA në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës
PRITJA ZYRTARE NGA KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike.

9.30: CEREMONIA E MIRËSEARDHJES në oborrin e Presidencës
VIZITË KORTEZIE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS.

10.00 TAKIM ME AUTORITETET në Sallën e Pritjes së Presidencës – Fjalim i Atit të Shenjtë.

11.00 MESHA E SHENJTË në Sheshin “Nënë Tereza”. Predikimi i Atit të Shenjtë
LUTJA E ENGJËLLIT TË TËNZOT dhe fjalët e Atit të Shenjtë.

Në orën 11:00, Papa Françesku, do të kremtojë Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”. Do të bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë.
Në meshë janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë besimtarët dhe dashamirësit që kanë dëshirë të jenë pranë Atit të Shenjtë. Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.
Në lidhje me mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje, janë marrë të gjitha masat e duhura nga institucionet shtetërore në bashkëpunim me Kishën Katolike.
a. Këshillohet që hyrja dhe vendosja e pjesëmarrësve në shesh të kryhet sa më herët, për të shmangur konfuzionin dhe për të respektuar udhëzimet organeve të sigurisë, para mbërritjes së Atit të Shenjtë.
b. Ministria e Shëndetësisë do të vërë në dispozicion disa ambulanca dhe ekipe mjekësore, që do të ndodhen në sheshin pas stadiumit “Qemal Stafa”.
c. Për të asistuar pjesëmarrësit do të jenë në shesh një numër i madh vullnetarësh të Kishës Katolike dhe të Shtetit Shqiptar, si edhe do të vendosen disa tenda për të shpërndarë ujë.
e. Vendet e caktuara për parkim janë:
– Automjetet që vijnë nga Veriu do të parkohen në krah të rrugës së ish-Fushës së Aviacionit.
– Automjetet që vijnë nga Jugu do të parkohen në sheshin “Garibaldi” dhe në stadiumin “Selman Stërmasi”.
– Automjetet që vijnë nga Juglindja do të parkohen në rrugën “Gjeneral Nikols”.

13.30 TAKIM DHE DREKË ME IPESHKVINJTË SHQIPTARË dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.

Në mjediset e Nunciaturës Apostolike Ati i Shenjtë do të takojë Ministrin e Brendshëm Z. Sajmir Tahiri me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.

16.00 TAKIM ME KRERËT E BESIMEVE TË TJERA DHE KOMUNITETEVE TË KRISHTERA në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” . Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti musliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.

17.00 KREMTIM I LUTJES SË MBRËMËSORES me Meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët dhe lëvizjet laikale në Katedralen e Tiranës . Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri. Përveç lutjes së Mbrëmësores, gjatë këtij takimi do të ketë edhe dy dëshmi nga një meshatr dhe një motër që i kanë mbijetuar periudhës së egër të komunizmit.

18.30 TAKIM ME FËMIJËT E QENDRËS BETANIA dhe me një përfaqësi personash të qendrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri në Qendrën Betania. Qendra “Betania” në Bubq do të jetë ndalesa e fundit e Atit të Shenjtë para nisjes drejt aeroportit të Rinasit. Në këtë qendër janë të strehuar aktualisht rreth 70 fëmijë, ndër të cilët shumica janë jetimë, ka fëmijë të braktisur dhe me probleme të shumta sociale. Pjesë e këtij takimi do të jenë përfaqësues nga qendra të shumta Caritas nga mbarë Shqipëria, të cilët ushtrojnë veprimatrinë e tyre bamirëse në zona të ndryshme.

19.45 CEREMONIA E LARGIMIT në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës.

20.00 NISJA me avion nga Tirana drejt Aeroportit të Roma Ciampino-s.

21.30 MBËRRITJA në Aeroportin e Roma Ciampino-s.

Me vendim të Bashkisë së Tiranës, gjatë gjithë ditës së diel, 21 shtator, e gjithë hapësira brenda unazës së mesme të Tiranës do të kthehet në rrugë pedonale, pra do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në pjesët kryesore të qytetit. Transmetimi i momenteve të ndryshme do jetë drejtëpërdrejt me regji qendrore. Gazetarët dhe mediat e akredituara, në ditët në vijim, do të kenë një takim me përgjegjësit e shtypit në Pallatin e Kongreseve, ku do të jetë edhe qendra e shtypit dhe nga ku do të marrin të gjitha detajet teknike të transmetimit dhe të mundësisë për të lëvizur atë ditë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama