Kolec Traboini Skender Daja martiri i Spacit qe kendonte Celentanon ne burg

Kolec Traboini: Skender Daja, martiri i Spacit qe kendonte Celentanon ne burg

Regjisori i dokumentarit “Djaloshi me kitarë” rrëfen historinë e 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. “Të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste”.

Thirrja “E duam Shqipërinë si Europa” është artikuluar për herë të parë në vitin 1973 në burgun e Spaçit. Për regjisorin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, Kolec Traboini, ky ishte një zbulim teka hulumtonte në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ai ndodhej aty për të mbledhur material për realizimin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, ku rrëfehet historia e Skënder Dajës, 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. Dokumentari u shfaq disa ditë më parë premierë në Kinema Milenium në Tiranë. I realizuar nga Kolec Traboini, me bashkëskenarist Ilir Çumanin, filmi rrëfen anën njerëzore të 22-vjeçarit Skënder Daja, që të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste. Por ç’ ka ndodhur ato tri ditë (21-23 maj) të vitit 1973 në Spaç? Kolec Traboini tregon çfarë zbuloi në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Është folur dhe shkruar shumë për Revoltën e Spaçit. Ju, përse u ngacmuat të realizonit dokumentarin “Djaloshi me kitarë”?

Sa herë që është folur dhe shkruar për revoltën e Spaçit, në çdo përkujtim, libër, shkrime, intervista etj., emri i frymëzuesit të kësaj revolte përmendej fare pak. Asnjë nuk e njihte se kush ishte Skënder Daja, i cili ishte vetëm 22 vjeç kur e pushkatuan si frymëzues i revoltës. Sa herë që lexoja për revoltën e Spaçit më kujtohej Skënderi. Prandaj vendosëm që në bashkëpunim me Institutin e Fëmijëve Jetimë të realizonim një film dokumentar për të treguar se kush ishte ky djalë. Cilat ishin ëndrrat e tij, cila ishte historia e jetës së tij…

Kush ishte Skënder Daja?

Ai ishte një djalë me shumë talent. Ishte artist, i pëlqente të këndonte dhe i binte kitarës. I pëlqenin sidomos këngët italiane, të cilat dhe i dëgjonte. Prandaj ai kishte ushqyer një ëndërr të madhe. Ëndërronte të këndonte një herë në skenë me Adriano Çelentanon. “Ah, të këndoja një herë me Adriano Çelentanon…”, – thoshte shpesh. Por këto ishin ëndrrat e një fëmije.

Kur ishte ushtar, këtë dëshirë dhe ëndërr të fëmijërisë ai ia tregoi një shoku. Ky, një shoku tjetër e kështu me radhë, deri sa shkoi në veshin e gabuar. E raportuan se donte të arratisej për të realizuar ëndrrën e tij që të këndonte me Çelentanon. U arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg. E çuan në burgun famëkeq të Spaçit.

Si u bë Skënder Daja frymëzues i Revoltës së Spaçit?

Revolta e Spaçit nuk ishte e planifikuar. Ndodhi diçka. Një prej të burgosurve, Pal Zefi ishte dënuar me 30 ditë në izolim. Kur mbaroi 30-ditëshi, ai u kërkoi gardianëve që ta nxirrnin dhe t’u bashkohej shokëve, sepse e kishte kryer dënimin e tij. Por gardianët nuk donin ta nxirrnin. Atëherë ai doli dhe iu bashkua vetë shokëve. Në këtë moment gardianët kanë shkuar për ta marrë dhe shokët e burgut janë përplasur me ta. Kjo ndezi revoltën e të dënuarve në burgun e Spaçit. Të revoltuar nga mënyra çnjerëzore me të cilën trajtoheshin, të burgosurit e revoltuar shkruan një promemorie ku parashtronin kërkesat e tyre. Skënder Daja, që njihej mes tyre si një i ri me zërin e fortë dhe kumbues, u thirr që të lexonte me zë të lartë promemorien për t’ua bërë të ditur të gjithë të burgosurve. Për t’iu ngritur moralin të tjerëve në burg këndonte këngët e Adriano Çelentanos. Në fund, kur revolta po shtypej dhe morali i të burgosurve kishte rënë, Skënder Daja u ngjit në tarracë, filloi t’i binte kitarës dhe të këndonte. Për mua ky ishte një akt i madhërishëm, sepse tregon se sa fuqi morale ka njeriu mbi krimin. E vetmja armë për të mposhtur barbarinë për të ishte kënga. Skënder Daja është simboli më i fuqishëm i Revoltës së Spaçit, sepse ai ka qenë i pari në Shqipëri që ka thirrur publikisht “E duam Shqipërinë si Europa”. E ka thënë këtë në vitin 1973 dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentet që ndodhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Por ajo çka më ngacmoi mua si regjisor nuk ishte thjesht rrëfimi i një historie të fshehur që unë po e zbuloja. Përtej kësaj, e rëndësishme për mua ishte mesazhi artistik që do të përcillja me këtë film. Ne e ndërtuam këtë film që publiku të ngacmohet të mos rrijë indiferent ndaj kësaj ngjarjeje, por ta përjetojnë atë dhe në fund të shfaqjes të dalë me një lloj katharsisi. Ky film nuk është realizuar për t’ia përplasur në fytyrë njërit apo tjetrit. Në filmin tonë nuk bërtitet, nuk tregohet me gisht askush. Nuk kemi bërë retushim të asnjë emri që u implikua në këtë ngjarje. Të gjithë emrat e atyre që kanë marrë pjesë në këtë masakër janë të shënuar në film dhe janë të lexueshëm. Njeriun duhet ta vrasë ndërgjegjja vetë. Unë do kisha dëshirë që në shfaqjen e këtij filmi të ishin të pranishëm si bijtë e atyre që kanë qenë pjesë e asaj revolte, ashtu edhe bijtë e atyre që i kanë dënuar.

I ftuat?

Po, i ftuam të gjithë. Asnjëri nuk erdhi nga asnjë krah i politikës, sepse siç ju thashë, ky nuk është një film që buçet urrejtje. Ky film nuk i shërben asnjërës palë. Njëra palë do që t’ia përplasë në fytyrë tjetrës, e tjera palë thotë, obobo… janë baballarët tanë. Kështu që të dyja palët refuzuan. Ky është turp! Qëllimi i këtij filmi nuk ishte as për të gjykuar njeri e as për të mohuar njeri.

Hasët vështirësi për të gjetur materialet e nevojshme për këtë film?

Filmi ishte thuajse i pamundur për t’u realizuar, se nuk kishte qoftë edhe një foto të Skënder Dajës dhe dokumentet nuk flisnin për të si njeri. Megjithatë, gjëja e parë ishte hulumtimi në arkivin e Ministrisë së Brendshëm. Fatlumturisht, aty gjetëm dy fotografi. Njëra foto i përkiste moshës kur Skënder Daja është pushkatuar dhe një foto fëmijërisë së tij në Shtëpinë e Fëmijës. Por qëllimi ynë ishte që ne të sillnim shpirtin e Skënder Dajës dhe fatmirësisht gjetëm dhe shumë të njohur të tij që na folën për të.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama