Kleri dhe roli i tij ne jeten shoqerore e politike

Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene.
Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese. Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet historike përmendin priftërinj shqiptarë të katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci, Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin e tyre në akte kriminale.
Klerikët e lartë, në të kundërtën, si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të kishës ortodokse të Durrësit e më tej të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.
Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose pranë manastireve të mëdha në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj. Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike më të domosdoshme për t’iu kushtuar profesionit të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në vende të tjera. Për klerikët ortodoksë ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të Malit Athos (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë, arritën të zënë poste të rëndësishme kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250, Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës. Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea, u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan; Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë e për Durrësin.
Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë katolikë që qenë sistemuar në vende të tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini, Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374 kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.
Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë një zonë tepër delikate të konfrontimit me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu, që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë të urdhrave dominikanë e françeskanë, që u bënë propagandistë të vijës së parë të çështjes katolike në Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit, françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252), dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).
Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit, kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast, për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej gjatë një ceremonie solemne, gjatë së cilës të dërguarit e Papës, në prani të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).
Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët e dioqezës përkatëse. Në çdo rast, konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.
Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si dhe midis këtyre e Papatit.
Në çështjen e emërimit të klerit përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut të Kostandinopojës, këta u dërgonin “letra rekomandimi” pushtetarëve lokalë, me të cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të lirë edhe në çështjet kishtare, përsa u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se në dioqezat katolike të Shqipërisë së Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, “ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë laikë”. Po atë kohë patriarku i kishës ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi. Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi peshkopët e një sërë qendrave në zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet, pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë, si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.
Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga dukuri që përbënin një largim e shkelje nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje, si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve (konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit III. Megjithatë “reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve të klerit katolik shqiptar” mbeti një problem i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.
Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante të moralit kristian dhe të statusit të klerikut. Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur. Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik II Paleologu, por më vonë organizoi kundër tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë të tjerë të tij, me pozitë në administratën qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste popullin e Konstandinopojës në kryengritje.
Figura e klerikut-luftëtar është një figurë tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në ballë të organizimit të qëndresës së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit serb.
Përveç ushtrimit të armëve, që gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari të tjera jofetare, që me kohë u bënë atribut i njerëzve të fesë. Fjala është në radhë të parë për përfaqësimin diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia, besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek. XIV, të gjithë princërit e sundimtarët shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e këshilltarit ose të emisarit për çështjet shqiptare.
Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit (preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por edhe kronika të gjalla të historisë së popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë. Në një shënim të vitit 1356, në një kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit nga serbët, transportoi në krahë në një vend të sigurt bibliotekën e manastirit të Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më 1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut Teodor Muzaka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama