Kemi hyre ne ciklin e rritjes se varferise

'Kemi hyre ne ciklin e rritjes se varferise'

Për varfërinë flitet shumë, por varfëria është luftuar pak. Përkundër retorikave politike, varfëria reale e shqiptarëve është rritur. Madje edhe varfëria në shifra. Ne jemi vetërelaksuar dhe vetëgënjyer duke parë në sipërfaqe disa tregues numerikë në ulje të varfërisë. Megjithatë, gjatë 5 viteve të fundit edhe shifrat po rriten

 

Para pak kohësh ju organizuat një Forum të Akademisë së Shkencave mbi ”Zhvillimin dhe Varfërinë”. Cili ishte konteksti i këtij aktiviteti?

 

Forumi Publik i Akademisë së Shkencave ”Zhvillimi, sfidant i varfërisë” ishte një ngjarje shkencore e zakonshme. Një grup ekspertësh, nga më të shquarit në vend, u ftuan të diskutojnë. Por lajmi ishte se Akademia e Shkencave u investua në diskutimin e politikave kundër varfërisë. Sepse publiku tradicionalisht është familjarizuar me idenë që Akademia merret me çështje të së kaluarës, historisë apo albanologjisë, por jo të së tashmes dhe të ardhmes. Vënia në agjendë  e sinergjisë midis zhvillimit dhe varfërisë ishte një novacion edhe për vetë institucionin dhe, siç u vlerësua nga publiku dhe media, kjo sprovë u kalua me sukses. 

 

Cili ishte thelbi i kontributit të këtij Forumi?

 

Rekomandimi kryesor i Forumit ishte se varfëria nuk mund të luftohet nëpërmjet politikave rishpërndarëse, siç ka ndodhur deri tani, por nëpërmjet politikave të zhvillimit. Vetëm këto politika mund t’i japin fund sistemit tonë atipik të mirëqënies, në të cilin gjenden më shumë të papunë se të punësuar, më shumë të papunë të fshehtë se të rregjistruar, më  shumë të varfër se jo të varfër.

 

Ju jeni prononcuar publikisht se varfëria në Shqipëri nuk është 14 përqind, por mbi 62 përqind. Si është e vërteta? 

 

Shifra 62.5 përqind nuk është një llogaritja ime, por e Bankës Botërore. Për vlerësimin e varfërisë në vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, vitet e fundit Banka po aplikon një metodologji të re: ECAPOV. Kjo teknikë ka standartizuar treguesit për të krahasuar nivelin e varfërisë midis vendeve të rajonit, mbi bazën e fuqisë blerëse të popullates. Varfëria e shqiptarëve, e matur me këtë metodë, është rreth 4.5 herë më e madhe sesa e vlerëson LSMS e vitit 2012. Ndërsa fuqia blerëse e shqiptarëve është rreth 3 herë më e vogël sesa e konsumatorëve europianë. Kjo është varfëria reale!

 

Për varfërinë ka një lumë premtimesh politike. Sa ka qenë realisht lufta kundër varfërisë në qendër të programeve qeverisës?

 

Për varfërinë flitet shumë, por varfëria është luftuar pak. Përkundër retorikave politike, varfëria reale e shqiptarëve është rritur. Madje edhe varfëria në shifra. Ne jemi vetërelaksuar dhe vetëgënjyer duke parë në sipërfaqe disa tregues numerikë në ulje të varfërisë. Megjithatë, gjatë 5 viteve të fundit edhe shifrat po rriten. Që kur varfëria filloi të matet, kemi pasur, nga pikëpamja statistikore, dy dinamika. Gjatë periudhës 2002-2008 varfëria ka ardhur duke u ulur, ndërsa gjatë periudhës 2008-2012 duke u rritur. Po ju sjell  për ilustrim dy grafikë të thjeshtë që tregojnë dinamikën e varfërisë dhe varfërisë ekstreme gjatë periudhës 2002-2012, duke u mbështetur në Anketën e Matjes së Standartit të Jetesës, LSMS, realizuar nga INSTAT, me mbështetjen e Bankës Botërore. Viti 2008 shënon kufirin midis dy cikleve. Gjatë katër viteve të fundit varfëria është rritur me rreth 12 përqind, ndërsa varfëria ekstreme është gati dyfishuar. Pra, vendi ka hyrë përsëri në ciklin e rritjes së varfërisë, ndalimi i të cilit kërkon politika dhe masa inteligjente.

 

Në këto kushte, çfarë duhet bërë, sipas jush?

 

Deri tani politikat në Shqipëri kanë targetuar të varfërit. Dhe politikat kundër varfërisë kanë qenë kryesisht shërbime sociale. Në fakt, politikat duhet të targetojnë varfërinë dhe të jenë politika zhvillimore. 

 

Po ku qëndron ndryshimi midis targetimit të varfërisë dhe targetimit të të varfërve?

 

Të varfërit janë pasoja, varfëria është shkaku. Prandaj politikat efiçiente duhet të merren me shkaqet, jo me pasojat. Asnjëherë politikat kundër varfërisë nuk kanë qenë në themel të politikave të zhvillimit. Kur shkëmbenin mendime me kolegun tim të nderuar Prof. Civicin, për disa gjetje tonat mbi enklavat dhe treguesit real të varfërisë, ai rikujtoi këshillat e FMN-së në fillim të viteve 2000: ”Kujdes se po ndiqni modelin e një rritjeje ekonomike varfëruese”! Qeverisësve kjo këshillë u ka shkuar tangent, por sot vendi vuan pasojat e kësaj ”tangencialeje”. Shqipëria ka ndjekur një model që as ka krijuar vende pune, as ka reduktuar varfërinë, por është mjaftuar me uljen e saj si rezultat i remitancave të migracionit. Tani që remitancat po përgjysmohen, dolëm zbuluar dhe po hyjmë, siç përmenda, në ciklin e rritjes së varfërisë. Ndërkohë, mënyra sesi politikat tona i kanë  trajtuar të varfërit është e vjetëruar, madje në disa raste cinike. Ne i miklojmë ata gjatë fushatave elektorale, duke u premtuar qiejt, por i harrojmë gjatë cikleve qeverisës, madje i gjurmojmë se mos marrin ndonjë dymijë lekësh më shumë! Vendit i kanë munguar politikat e zhvillimit që e përfshijnë popullsinë në tregjet e punës dhe shërbimeve.

 

Shumë-shumë në këtë aspekt ne kemi zbatuar disa politika rishpërndarëse. Ndiqni, po të doni, ligjërimin publik për politikat sociale: ajo që mbizotëron është shpërndarja, kriteret, lufta kundër abuzimeve. Të gjitha këto janë të drejta dhe të nevojshme. Por, njëkohësisht, të pamjaftueshme. Duke rishtrydhur kriteret e përfitimeve, po bëjmë shumë pak për shtimin e sponsorëve kontributivë të sistemit të mirëqënies. Imperativat e luftës efiçiente kundër varfërisë reale janë: i) shtimi i të ardhurave para rishpërndarjes; ii) shtimi i kontribuesve në sistem; iii) zhdukja e varësisë së reduktimit të varfërisë nga remitancat dhe e ashtuquajtura rritje e pensioneve dhe vendosja e varësisë nga punësimi; iv) kjo  mund të arrihet vetëm duke hapur vende pune. Në fund të fundit, varfëria nuk është thjesht mungesë të ardhurash, por mungesë akesi. Ne stërmundohemi në llogaritë rishpërndarëse, por neglizhojmë grumbullimin e të ardhurave nëpërmjet programeve kontributive. Nëse vazhdojmë kështu, nuk do të jetë e largët dita kur sistemi i mbrojtjes sociale do të rrëzohet si një piramidë financiare. Raporti midis burimeve buxhetore dhe kontributive është aktualisht i çekuilibruar dhe rrënues për sistemin. Ne duhet të mbajmë parasysh se mirëqënia nuk ka vetëm përfitues, por edhe sponsorë.

          


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama