Kasano-Pacini shkembimi gati te behet realitet

Kasano-Pacini, shkembimi gati te behet realitet
Adriano Galiani dhe Masimo Morati kanë filluar zyrtarisht bisedimet për të bërë realitet shkëmbimin mes Xhampaolo Pacinit dhe Antonio Kasano. Shkëmbimi në fjalë ka edhe miratimin e trajnerëve të Milan e Inter, ndaj po diskutohen detajet e këtij transferimi, pasi Interi kërkon edhe 7 milion euro për të lënë të lirë futbollistin e tyre që sipas zikaltërve, ka më shumë vlerë tregu sesa Kasano.

Gjithçka ka marrë shkas nga vetë kërkesa e Kasano për t’u larguar nga Milani, pasi futbollisti e ka ndjerë veten të tradhtuar nga drejtuesit e klubit që i kishin premtuar se nuk do të largohej asnjë prej yjeve të skuadrës. Lojtari është takuar personalisht me trajnerin e Interit, Andrea Stramaçioni, e më pas edhe me drejtuesit e zikaltërve, duke rënë dakord edhe për rrogën, 3.5 milionë euro në sezon, por mësohet se një pjesë e këtyre parave do të lidhen me numrin e paraqitjeve dhe golave të shënuar nga sulmuesi i përfaqësueses italiane.

Përsa i përket Pacinit, Adriano Galiani dhe menaxheri i lojtarit, Tulio Tinti, do të takohen të martën për të diskutuar një kontratë të mundshme për futbollistin, i cili kërkon më shumë garanci aktivizimi, pasi kjo është arsyeja pse po largohet nga zikaltërit.

“Pacini më pëlqente edhe më parë, por tani të shohim se çfarë do të ndodhë. Kasano na kërkoi vetë që ta shitnim. Hipoteza më mundshme është ajo e shkëmbimit”, pohoi Galiani para gazetarëve, pa dhënë detaje të tjera.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama