Junajtid e shkarkon trajnerin David Mojes

Junajtid e shkarkon trajnerin David Mojes

Klubi i Mancester Junajtid ka shkarkuar trajnerin David Mojes, veprim që ka efekt të menjëhershëm, pasi pronarët e “djajve të kuq”, familja “Glazer”, më në fund e ka humbur durimin me skocezin që pasoi legjendën Aleks Ferguson. 50-vjeçari, i cili krijoi një mori rekordesh të padëshiruara gjatë rolit të tij të shkurtër si trajner në “Old Trafford”, bëhet trajneri i parë i Junajtid, që shkarkohet, qysh nga koha e Ron Atkinson, në vitin 1986. Duke njoftuar largimin Mojesit në llogarinë e tyre zyrtare në “Twitter”, drejtuesit e Mancester Junajtid shtojnë: “Klubi do të donte për të shprehur, mbi rekordet negative rezultative, falenderimet e veta për punën e madhe, ndershmërinë dhe integritetin që Mojes solli.”

 

Mojes kishte prodhuar dhe vuajtur një fushatë të nxehtë në krye të kampionëve në shkurorëzim e sipër të Premier Ligës, por kulmi arriti me humbjen e së dielës, 2-0 ndaj ish-klubit të tij, Evertonit, cka e bën të sigurtë faktin se “djajtë e kuq” do ta humbasin mundësinë për të kapur një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Humbja në “Goodison Park” ishte e 11-ta sezonale për Junajtid dhe Mojes në drejtim, ndërkohë që skocezi u largua nga klubi që lëngon në vendin e shtatë në klasifikim. Mojes ishte zgjedhur me kujdes nga Sër Aleks Ferguson, që po shijon tashmë pensionimin e tij. Me Junajtid duke vuajtur aq shumë nën drejtimin e Mojesit, hierarkia e klubit të njohur anglez ishte gjithnjë e më e shqetësuar se ai nuk ishte njeriu i duhur për t’ia besuar cekun prej 200,000,000 £, për t’i shpenzuar merkaton e kësaj vere.

 

Gigs, trajner i përkohshëm - Mancester Junajtid ka zbuluar se Rajan Gigs do të marrë përgjegjësinë e të parit të skuadrës, në rolin e trajnerit të përkohshëm të “djajve të kuq”, derisa drejtuesit të emërojnë në mënyrë të përhershme zëvendësuesin e David Mojes. Skocezi u shkarkua nga detyrat e tij të martën në mëngjes, vetëm pas10-muajsh mbretërim në “Old Trafford”, edhe pse kishte një kontratë gjashtëvjeçare. Shkak për këtë u bë sezoni më i keq i klubit në epokën e Premier Ligës. Gigs, i cili ka regjistruar një shifër rekord prej 962 paraqitjesh me fanellën e Junajtid, pritej gjerësisht të përfundonte karrierën e tij duke luajtur këtë verë, por do të bëjë edhe rolin e trajnerit në ndeshjet përfundimtare të sezonit. Në një deklaratë të klubit anglez lexohet: “Pas largimit të David Mojes si trajner, Mancester Junajtid ka njoftuar se Rajan Gigs, lojtari më i dekoruar i klubit, do të marrë përgjegjësinë e drejtimit të ekipit të parë deri në një emërim të përhershëm të pasuesit të Mojes. Klubi nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejshëm mbi këtë proces deri sa të jetë përfunduar emërimi definitiv i trajnerit të ri.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama