Joakim Lev vendos te qendroje Pres me padurim Euro 2016!

Joakim Lev vendos te qendroje: Pres me padurim Euro 2016!

Joakim Lëv nuk do të ndjekë shembullin e trajnerëve të tjerë të suksesshëm gjermanë të cilët kanë braktisur drejtimin e përfaqësueses pas fitimit të një titulli Kampion Bote apo Europe. Tekniku që ktheu përsëri këtë kombëtare në majën e futbollit botëror ka vendosur që të qëndrojë në drejtimin e saj, duke respektuar kontratën e lidhur me Federatën Gjermane (DFB) deri në vitin 2016.

“Për asnjë sekondë nuk më shkoi ndër mend të ndalesha”, tha Lëv për faqen e internetit të DFB, duke u dhënë fund të gjitha zërave të shfaqur në media gjatë këtyre javëve për interesimin e klubeve të njohura për trajnerin, apo edhe për vetë dëshirën e këtij të fundit për të bërë pushime.

“Nuk e zgjata kontratën me DFB deri në vitin 2016 që më pas ta prishja atë para kohe”, vijoi 54-vjeçari, i cili ka marrë drejtimin e kësaj përfaqësueseje në vitin 2006. Ai kishte lënë gjithçka hapur pas fitores së Kupës së Botës, por me sa duket tani ka vendosur që të qëndrojë, pasi ka parë edhe këmbënguljen e drejtuesve të futbollit gjerman, skuadrës e tifozëve. “Unë thjesht respektova atë që kishim rënë dakord para fillimit të Kampionatit Botëror, se do të uleshim me qetësi të analizonim turneun siç kemi bërë në çdo edicion. Më pas do të flisnim rreth ecurisë së mëtejshme. Por nuk mund të imagjinoj asgjë më të bukur se të vazhdoj punën me këtë skuadër, ta drejtoj atë në Europianin që zhvillohet në Francë, të vazhdoj të punoj me grupin dhe çdo lojtar në veçanti”, ishin fjalët e Lëv, për të cilin kishin shfaqur interesim sidomos klubet turke, të cilat i ofronin atij kushte shumë më të mira financiare sesa DFB.

Megjithatë, suksesi i jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare ka bërë që Lëv të mos vinte në diskutim qëndrimin e tij në stolin e përfaqësueses. “Jam i motivuar si në ditën e parë të punës. Ne festuam një sukses të jashtëzakonshëm në Brazil, por ka ende objektiva të tjerë që duam t’i arrijmë. Kupa e Botës 2014 ishte pika kulmore, por nuk ishte përfundimi i punës sonë”, premtoi Lëv.

Trajneri më pas ka folur rreth lamtumirës së kapitenit Filip Lahm, që e kishte lajmëruar paraprakisht për vendimin që do të bënte publik pas kthimit në vendlindje. “Për mua nuk ishte surprizë, pasi ai më lajmëroi në mëngjesin pas finales. Nga ana sportive dhe njerëzore është humbje shumë e madhe për mua. Nuk mund të kisha pasur një kapiten më të mirë se ai, ka përfaqësuar dhe influencuar ekipin në mënyrë të shkëlqyer. Ndaj më vjen keq që nuk do të jetë më i gatshëm për ekipin kombëtar. Por e pranoj dhe e respektoj vendimin e tij. Filip ka punuar 10 vite për këtë sukses, ndaj të gjithë thjesht duhet ta falënderojmë atë”, deklaroi trajneri në intervistën e tij. Zgjedhja e kapitenit të ri kombëtares do të jetë detyra e parë e trajnerit për këtë edicion, me Shvajnshtajger që për momentin është më në avantazh sesa Nojer.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama