Jo ilace 10 rekomandime kujdesi per femijet ne kushte shtepie

Jo ilace, 10 rekomandime kujdesi per femijet ne kushte shtepie

Shumë prindër vrapojnë të blejnë ilaçe tek farmacia e lagjes sapo fëmija i tyre nis të teshtijë apo të kollitet. Por Akademia Amerikane e Pediatrisë paralajmëron se mbidoza e medikamenteve për trajtimin e kollës dhe ftohjeve të zakonshme nuk është e sigurt për fëmijët nën 2 vjeç, ndërsa nuk mund të bëjnë punë por vetëm do ta dëmtojnë seriozisht një fëmijë nën moshën 6 vjeç.

Që të mos vraponi direkt tek ilaçet, pediatrit rekomandojnë 10 mënyra të sigurta të trajtimit në kushte shtëpie. Nëse fëmija juaj ka kollë, të ftohtë ose grip, ju mund të provoni këto mjete të buta, efektive, dhe të sigurta në shtëpi. Një i ftohtë apo grip zakonisht merr rreth dhjetë ditë për t’u larguar plotësisht nga trupi. Ndërkohë që asnjë nga këto mjekime në kushte shtëpie nuk do ta shkurtojë sëmundjen e fëmijës suaj, ato mund ta ndihmojnë atë të ndjehet shumë më mirë. Ndërsa ilaçet e marra gabimisht për një virozë të stinës do t’i bëjnë vetëm dëm.

1) Shumë pushim ( Rekomandohet për të gjitha moshat)

Fëmija merr energji për të luftuar një infeksion. Koha e pushimit duhet të jetë aq sa koha e shërimit. Studimet tregojnë që stresi luan një rol të madh në sëmundje, gjithashtu. Nëse fëmija juaj është nën presion për shkak të shkollës apo miqve, apo diçka ndodh në shtëpi,  duke i mundësuar atij një pushim absolut mund të jetë në fakt e vetmja gjë për të cilën ai ka nevojë për të luftuar simptomat e sëmundjes.

Çfarë ju duhet? Një vend i rehatshëm për fëmijën tuaj për të pushuar dhe disa aktivitete të vogla që mund t’i mbushin ditën.  Si të bëhet kjo?Tani është koha për ta lënë fëmijën tuaj që të shohë atë video apo program televiziv të preferuar. Ose t’i sjellësh atij një pako me letra për të ngjyrosur apo një libër të këndshëm për ta lexuar. Natyrisht, një krevat nuk është domosdoshmërisht vendi më i mirë për të pushuar. Ndonjëherë një ndryshim i peizazhit është i dobishëm. Nëse moti është i mirë, krijoni një vend të rehatshëm në oborr ose në verandë për fëmijën tuaj për të pushuar.

Nëse fëmija juaj e ka të vështirë për të qëndruar një kohë të gjatë shtrirë (mërzitet), ndihmojeni atë duke biseduar ose duke i lexuar disa libra. Mësojini atij disa vjersha ose tregoni histori së bashku, ose afroni telefonin në mënyrë që ai mund të bisedojë me gjyshen apo me një mik.

2) Ajri i lagësht (për të gjitha moshat)

Si ndihmon? Frymëmarrja në ajër me lagështi ndihmon të lirojë mukusin në kanalet e hundës. Një dush i ngrohtë (banjo me avull) është shumë i dobishëm për relaksimin e fëmijës suaj.

Çfarë ju duhet? Një rregullues i lagështisë së ambientit (janë pajisje të posaçme) ose një banjo me avull. Gjithashtu mund të zieni një tenxhere me gjethe eukalipti, lule bliri apo gjethe dafine në dhomë.

Mund ta lini disa minuta në një dush të ngrohtë në një banjo me avull. Lëreni ujin e nxehtë të rrjedhë për disa minuta, para se të bëhet gati vaska për fëmijën tuaj. Në qoftë se ai është mjaft  i rritur, lëreni të luajë në dush për sa kohë që i pëlqen. Për fëmijët mbi moshën 2 vjeç, duke shtuar disa pika mente në ujë mund ta ndihmojë atë të ndjehet më pak i bllokuar nga hundët. Vaji i mentes është në dispozicion në dyqanet ushqimore.

3) Përdor shiringa me ujë të kripur (fiziologjik) (Për të gjitha moshat)

Kur fëmijët janë shumë të vegjël për të hedhur në hundë një shiringë me ujë fiziologjik me shiringa (gjendet në farmaci), atëherë përdorni një tjetër me pika. Rekomandohet që t’i hidhet disa pika ujë para se të ushqehet me gji ose para se të hajë bukë, në mënyrë që t’i ketë hundët e lira e të mos e pengojnë në frymëmarrje. Provoni ta përdorni atë rreth 15 minuta para ushqimit.

Për ta bërë këtë, në farmaci gjeni shiringa të posaçme gome që mos ta vrisni pa dashur kur i hidhi ujin në hundë, madje ka dhe disa pompa të posaçme për foshnja, me anë të të cilave mund t’i tërhiqni mukozën poshtë duke i çliruar kanalet e frymëmarrjes. Nëse nuk mund të shkoni ta blini në farmaci, mund të krijoni vetë në shtëpi ujë me kripë sipas kësaj recete: Tretni rreth 1/2 lugë çaji me kripë në 8 lugë ujë të ngrohtë. Bëni një sasi të freskët çdo ditë dhe ruajeni atë në një vend të pastër, të mbuluar në një kavanoz qelqi. Bakteret mund të rriten në të, kështu që nuk e mbani atë për më shumë se 24 orë.

Se si ta përdorni? Këshillohet që t’ia mbani kokën fëmijës suaj pak mbrapa, ose të mbështetet mbi një jastëk. Shtrydhni dy ose tri pika (për foshnjat) dhe një shiringë plot (për fëmijët më të rritur) ujë të kripur në secilën vrimë hunde dhe do të shihni që do të lirohet mukusi. Mundohuni t’ia mbani kokën ende për rreth 30 sekonda në atë pozicion.

Të rriturit e shfryjnë vetë hundën, ndërsa për bebet përdorni pompën prej gome duke e futur në njërën vrimë hunde, duke e thithur mukusin pasi i kemi hedhur ujin me kripë. Mos e thithni hundën e fëmijës suaj më shumë se disa herë në ditë, sepse mund ta irritoni. Mos përdorni ujë të kripur për më shumë se katër ditë rresht, sepse ai mund ta thajë hundën me kalimin e kohës, duke i bërë gjërat më keq.

Kujdes! Mos përdorni zhbllokues spray për hundët te fëmija juaj. Mjekët nuk e rekomandojnë atë për fëmijët e vegjël dhe zakonisht nuk i këshillojnë as për ata më të rritur. Spray-t për hundët nuk janë efektivë dhe mund të shkaktojnë një efekt negativ, duke e bërë të ngjeshur më keq mukusin në afat më të gjatë.

4) Balsam me mente ose eukalipt (3 muaj e lart)

Fërkimi i kraharorit me disa balsamra që janë të përbërë nga ekstrakt menteje ose eukalipti mund të ndihmojë fëmijët të flenë mirë gjatë natës. Hulumtimet sugjerojnë se këta përbërës në fakt nuk kanë efekt në zhbllokimin e hundëve, por ata e bëjnë një të sëmurë me grip që të ndjejë sikur ky masazh e bën të marrë frymë më mirë duke prodhuar një ndjesi të ftohjes në hundë.

Çfarë ju duhet? Ju tani mund të gjeni prodhimet e tilla të bërë posaçërisht për bebe 3-muajsh dhe më të mëdha. Versioni më i sigurt përmban vazelinë, vajra dhe eukalipt. Ato me mente nuk duhet të përdoren te fëmijët më të vegjël se 2 vjeç.

Balsamra natyrore gjithashtu mund të gjeni në qoftë se ju do të preferoni të mos përdorni produkte që përmbajnë produkte kimike. Këto janë bërë në mënyrë tipike me aloe vera, bimë, vajra dhe vajra esenciale. Ju gjithashtu mund të gjeni receta për ta bërë vetë balsamin tuaj.

Si bëhet masazhi? Masazhi me balsamin me eukalipt i bëhet fëmijës në gjoks, qafë dhe në kurriz. Kujdes, mos e aplikoni në lëkurë të ndjeshme apo ta aplikoni atë në gojën dhe hundën e fëmijës suaj, rreth syve, apo kudo në fytyrë.

5) Sa më shumë lëngje (nga 6-muajsh e lart)

Pirja e sa më shumë lëngjeve ndihmon në parandalimin e dehidrimit dhe në tharjen e sekrecioneve të hundës së fëmijës suaj. Sa më shumë lëngje të pijë, aq më mirë. Uji i thjeshtë është i pari në listë dhe në sasinë më të madhe, por fëmija juaj mund të mos e gjejë shumë tërheqës. Provoni shtrydhni fruta dhe pijen e tij të preferuar (siguroheni që të jetë e shëndetshme, një pije e bërë nga 100 për qind lëng).

Këshillohet dhënia e qumështit të gjirit ose formula për foshnjat më të vogla se 6-muajsh nëse mjeku juaj  nuk ju rekomandon ndryshe. Bebet e vogla nuk kanë nevojë për ujë, dhe shumë ujë mund të jetë i dëmshëm.

6) Supë pule dhe lëngje të tjera të ngrohta (6-muajsh e lart)

Lëngjet e ngrohta mund të jenë shumë qetësuese dhe të ndihmojnë në lehtësimin e mbingarkesës në rrugët e frymëmarrjes. Studimet kanë treguar se supa e pulës në të vërtetë heq simptomat e ftohjes si; dhimbje, lodhje dhe ethe.

Gjatë ditës i ofroni atij supë, çaj ose lëngje të tjera që pëlqen fëmija juaj, të shërbyera të ngrohta. Shërbejani supën të ngrohtë, jo të nxehtë. Nëse fëmija juaj është të paktën 6-muajsh, ai mund të marrë një çaj të vakët kamomil.

Përveç kamomilit, zgjidhni çajra bimorë që janë të sigurt për fëmijët, pasi jo të gjitha produktet “natyrore” janë të sigurta. Një përzierje lule bliri plus kamomil dhe pak çaj mali dhe një gjethe dafinë është ideale për gjendjen e rrufës dhe lehtësimin e kollës.

7) Ngrini jastëkun (12-muajsh e lart)

Ngritja e kokës së fëmijës suaj kur fle apo qëndron shtrirë mund ta ndihmojë të marrë frymë më qetë. Nëse fëmija juaj fle në një krevat fëmijësh, vendosni disa peshqirë apo një jastëk tjetër nën dyshek. Nëse fëmija juaj fle në një krevat të madh, një jastëk shtesë nën kokën e tij mund të bëjë punë.

Një tjetër opsion: Lëreni fëmijën tuaj të flejë në sediljen e tij të posaçme të makinës. Ashtu si shumë të rritur të cilët flenë në një pjerrtësi të preferuar, kur ata janë të sëmurë, fëmija mund të pushojë më mirë në një pozicion gjysmë të drejtë. Ai mund të flejë më qetë në një pjerrësi.

8) Mjalti (12-muajsh e lart)

Mjalti e zbut fytin dhe ndihmon në zbutjen e kollës. Në një studim të kryer në SHBA, prindër të 105 fëmijëve të moshave 2-18 vjeç, vlerësuan vlerat e dobishme të mjaltit si më të mira sesa shurupi i kollës për trajtimin e kollitjes gjatë natës së fëmijëve.

Kur është i trashë apo i ngrirë, për ta zbutur atë, disa lugë i hedhim në një enë dhe i ngrohim në një mikrovalë ose i vendosim në një enë me ujë shumë të nxehtë për pesë ose dhjetë minuta.

Fëmija juaj duhet të jetë së paku një vjeç për të provuar këtë ilaç popullor. Nëse është më i vogël, në vend që t’i bëjë mirë, do e dëmtojë. Si ta përdorni? Jepini fëmijës 1/2 e një 1 luge çaji me mjaltë.

Disa njerëz bëjnë një përzierje të mjaltit me ujë të nxehtë dhe shtojnë një limon të shtrydhur, i cili siguron marrjen e vitaminës C së bashku me mjaltin qetësues.

Kujdes! Mos i jepni mjaltë një fëmije para ditëlindjes së tij të parë. Ai mund të shkaktojë një sëmundje të rrallë dhe nganjëherë fatale, të quajtur botulizmi foshnjor.

9) Shfryrja e hundëve (2 vjeç e lart)

Pastrimi i mukusit të hundëve ndihmon fëmijën tuaj të marrë frymë dhe të flejë më lehtë dhe në përgjithësi e bën atë të ndjehet më rehat. Shumë fëmijë nuk e zotërojnë këtë aftësi deri pas moshës 4-vjeçare, por disa janë gati ta bëjnë që nga mosha 2 vjeç.

Këshilla si ta mësosh të shfryjë hundët vetë: Lëreni fëmijën tuaj t’ju kopjojë ju. Për disa fëmijë kjo është e gjitha. Shpjegoni se problemi me frymëmarrjen i vjen për shkak se nuk ka nxjerrë mukozën jashtë. Mësojeni fëmijën tuaj të mbajë mbyllur një vrimë hunde dhe të praktikojë nxjerrjen e ajrit nga ana tjetër. Duke i ofruar një pasqyrë që ta shohë kur e bën këtë veprim, ai do ta marrë dhe si lojë e do të shohë sesi vepron. Shfryrja shumë e fortë nuk rekomandohet, pasi mund të dëmtojë veshët e tij.

Mësojini fëmijës të hedhë letrat e përdorura në plehra dhe të lajë duart pasi ka shfryrë hundën e tij. Bëni mirë t’i shpjegoni se kjo është e rëndësishme, pasi nëse pas fshirjes së hundës do të prekë sytë, mund të përfundojë me një infeksion syri. Mësojini atij higjienën duke larë duart apo të përdorë një xhel antibakterial; në këtë mënyrë ai nuk do të përhapë virusin.

10) Gargarë me ujë të kripur (4 vjeç e lart)

Gargara me ujë të kripur është një mënyrë e mirë për të zbutur një dhimbje të fytit. Ajo gjithashtu ndihmon mukusin të hollohet e të dalë nga fyti. Ndërsa shkencëtarët nuk e kanë përcaktuar saktësisht pse ajo bën punë, studimet kanë treguar se mjeti është efektiv.

Thjesht kombinoni 1/2 lugë çaji kripë në një gotë me ujë të ngrohtë dhe trazojeni. Nëse fëmija juaj nuk e duron dot shijen, një shiringë ose dy me lëng limoni të freskët mund të jetë një shtesë dhe qetësues për fytin.

Fëmija juaj duhet të jetë mjaft i rritur për të mësuar si të bëjë një gargarë. Për shumë fëmijë kjo mund të ndodhë në moshën shkollore ose më të mëdhenj. Por disa fëmijë mund ta bëjnë atë më shpejt.

Bëjani gargarën katër herë në ditë kur fëmija juaj është i sëmurë. Disa këshilla për të mësuar fëmijën tuaj për të bërë gargarë: Praktikoni me ujë të thjeshtë. Tregoni fëmijës suaj si të anojë kokën lart dhe të përpiqet për ta mbajtur ujin në pjesën e pasme të fytit të tij, pa e gëlltitur atë.

Tregojini si e bën atë tingullin gërr-gërr me fytin e tij, ndoshta i duket argëtuese. Dhe pastaj mësojeni atë për ta nxjerrë nga goja ujin, në vend që ta çojë poshtë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama