Japin doreheqjen kater ministra ne Kuvend futen tri deputete femra

Japin doreheqjen kater ministra, ne Kuvend futen tri deputete femra

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Ermonela Felaj, kanë dorëzuar dje në Kuvend kërkesat e tyre për të lënë mandatet.



Katër ministra të kabinetit të qeverisë “Rama” kanë dorëzuar dje mandatin e deputetit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Ermonela Felaj kanë dorëzuar dje në Kuvend kërkesat e tyre për të lënë mandatet. Ndarja e funksioneve të ministrit dhe të deputetit ishte një premtim elektoral i socialistëve, që nisi të aplikohej që në muajin dhjetor. Për të mos humbur shumicën në Kuvend, mandatet u dorëzuan në grupe.

 

Shtatë të parët që dorëzuan mandatet ishin Ilirjan Celibashi, Eglantina Gjermeni, Klajda Gjosha, Edmond Haxhinasto, Nasip Naço, Erjon Veliaj dhe Milena Harito. Pas zëvendësimit të tyre, radha i takoi Mimi Kodhelit, Lindita Nikollës, Arben Ahmetaj, Ilir Beqjas dhe Saimir Tahiri. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ai për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, nuk kanë një mandat parlamentar. Më dorëzimin e mandateve në Kuvend pritet që të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve për t’i dorëzuar zyrtarisht kërkesat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku do të bëhet edhe zëvendësimi i ministrave me mandate të dorëhequr me të tjerë deputetë që vijnë nga lista. Kështu, mandati i Saimir Tahirit i kalon Erjeta Allhysës, ai i Ditmir Bushatit i kalon Ervin Bushatit. Këto sipas përllogaritjeve që KQZ ka ndjekur për zëvendësimin e mandateve dhe për ministrat e tjerë, të cilët më herët kanë dorëzuar mandatin.

 

Mandati i Damian Gjiknurit i shkon një tjetër femre, Luljeta Arapit. Me marrjen e detyrës, Felaj ka lënë edhe ajo mandatin dhe në vend të saj pritet të zgjidhet kandidatja Anila Agalliu, e cila pason listën e kandidateve femra për qarkun e Beratit. Me dorëzimin e mandateve nga anëtarët e kabinetit qeveritar, i vetmi ministër që nuk ka dhënë ende dorëheqjen nga mandati i deputetit është ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Nuk dihen ende arsyet e mosdorëzimit të mandatit, ndërkohë që nisur nga praktika e deritashme, dorëheqja e tij nga mandati i deputetit pritet të mos jetë shumë e largët. Në anën tjetër, vetë kryeministri Rama është shprehur se ai nuk ka ndërmend që të bëjë ndryshime në qeveri, veçse atëherë kur ministrat (tashmë pa mandat deputeti) do të jenë të përfshirë në skandale korruptive. Në një vit qeverisje, i vetmi ministër që dha dorëheqjen dhe që u zëvendësua me Ermonela Felajn ishte ai për Marrëdhëniet me Kuvendin, Ilirjan Celibashi. Ai motivoi dorëheqjen për arsye tërësisht personale, ndërsa shtoi asokohe se vendimmarrja e tij nuk e kishte vënë aspak në dyshim besimin dhe bindjen e tij tek ky kabinet qeveritar për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë që ata kanë marrë kundrejt qytetarëve shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama