Januzaj le kombetaren ne dore te nje kompanie

Januzaj le kombetaren ne dore te nje kompanie

Kombëtarja që Adnan Januzaj do të përfaqësojë në të ardhmen, do të jetë një zgjedhje e bazuar mbi studimin e tregut dhe jo mbi patriotizmin apo krenarinë kombëtare. Për këtë janë të bindur në Angli, ku talenti shqiptar që aktivizohet te Mançester Junajtid sapo ka nënshkruar me “Doyen Global”, një kompani mjaft e njohur e cila menaxhon të drejtat e emrave të njohur të futbollit botëror si Devid Bekam, Neimar, Çavi, Alvaro Negredo apo edhe ish-tenistit Boris Beker.

19-vjeçari ka hedhur dje firmën në kontratën afatgjatë, detajet financiare të së cilës nuk janë bërë ende të ditura. Në bazë të kësaj kontrate, menaxheri i Januzajt mbetet belgu Dirk De Vrijs, i cili do të merret vetëm me anën sportive të karrierës së tij. Aktivitetet komerciale, marrëdhëniet me publikun dhe strategjia dixhitale do të përfaqësohen dhe organizohen në vijim nga “Doyen Global”.

“Vitet e ardhshme të karrierës sime do të jenë shumë të rëndësishëm dhe është thelbësore të kem përreth njerëzit e duhur për të më ndihmuar në udhëzimin tim apo në menaxhimin në mënyrë profesionale të karrierës sime. Eksperienca e kësaj kompanie nuk ka të krahasuar me askënd, ndaj pres me kënaqësi të filloj punën me këtë skuadër”, ishin fjalët e Januzajt pas firmës së kësaj kontrate që rreshton emrin e tij mes të mëdhenjve të futbollit botëror.

Drejtori operativ i “Doyen Global”, Saimon Oliver, ishte po aq i lumtur që kishte siguruar firmën e një prej talenteve më premtues të futbollit botëror. “Adnani nuk është vetëm një talent i jashtëzakonshëm, ai ka edhe një sjellje fantastike që do ta çojë atë në majat më të larta të futbollit. Presim me padurim të punojmë me të, drejt një të ardhme të shkëlqyer që po e pret”, ishin fjalët e Oliver, i cili është njëkohësisht një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Devid Bekam, duke e ndihmuar anglezin të bëhet një prej personazheve më mediatike të futbollit botëror.

Në Angli kanë filluar menjëherë spekulimet mbi të ardhmen e Janzuajt, pasi tashmë kompania që do të menaxhojë të drejtat e imazhit të tij do të ketë një rol thelbësor në thuajse çdo zgjedhje që do të bëjë në karrierën e tij talenti shqiptar. Tema e kombëtares është ajo që diskutohet thuajse nga të gjitha mediat angleze, të cilat janë të bindura se drejtuesit e “Doyen Global”, Saimon Oliveira dhe Metiu Kei, do të kenë si detyrë të parë pikërisht përzgjedhjen e fanellës së shtetit që do të përfaqësojë Januzaj në arenën ndërkombëtare. Kompania pritet të zhvillojë një studim të mirëfilltë tregu gjatë muajit në vazhdim për të kuptuar se cila mes Shqipërisë, Kosovës, Belgjikës dhe Anglisë do të ndihmonte më shumë rritjen e imazhit të futbollistit të talentuar.

Në këtë situatë, të gjithë duken të bindur se tërheqja e familjes Januzaj nga vendimi për zgjedhjen e kombëtares, favorizon direkt Belgjikën dhe Anglinë. Përfaqësimi i sigurt në aktivitete madhore ndërkombëtare me këto dy përfaqësuese do të përmirësonte ndjeshëm imazhin e Januzajt e si rrjedhojë edhe të ardhurat ekonomike. Ndaj “Doyen Global” do të jetë më shumë e fokusuar mbi këto dy alternativa, duke i dhënë një rol dytësor atdhetarizmit e identitetit kombëtar, që praktikisht i mbyll derën mundësisë për të parë Januzajn në të ardhmen me fanellën e përfaqësueses shqiptare apo atë kosovare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama