Ja pse e burgosen Fullanin!

Ja pse e burgosen Fullanin!

Avokati mbrojtës i Ardian Fullanit, Maks Haxhia ka komentuar arsyet që çuan në arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas avokatit, politika ka ushtruar presion të madh ndaj sistemit gjyqësor për të arrestuar klientin e tij. Haxhiaj ka sqaruar se sistemin gjyqësor nuk mund ta quajmë të pavarur si organ. Ai ka saktësuar se, nëse gjyqësori dhe prokuroria kanë problemet e tyre, ky nuk është justifikim për të bërë gabime kaq të mëdha. I vetmi faj i z. Fullani, sipas avokatit, është se guvernatori, duke pasur një status mbarëkombëtar, ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. “Fullani jetoi, duke u dukur. Dhe kjo bëri që të krijohen dhe xhelozira në shtresat mendjembyllura të politikës apo të medias, apo të atyre që përdorin media”, tha Haxhia. Avokati theksoi se ai e ka ankimuar vendimin, dhe, sipas tij, nëse do të ndiqet rruga normale e një procesi të pandikuar nga asnjëra palë, guvernatori do të lirohet menjëherë. Më tej, ai nënvizoi se janë një zinxhir presionesh që kulmuan me këtë vendim. Ndërkohë ajo që shqetëson avokatin është precedenti i krijuar. Haxhia thotë se në rastin e z. Fullani nuk identifikohet asnjë shkelje administrative dha as shkelje penale. Sipas tij, ka pasur ministra të akuzuar për shpërdorim detyre dhe nuk është arrestuar asnjeri, maksimumi janë çuar në gjykatë dhe kanë marrë pafajësi, apo kanë marrë dënime të lehta. Por absolutisht nuk ka ndodhur që të arrestohet dikush.

Si e keni pritur arrestimin e klientit tuaj, që në këtë rast është guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani?

 Lidhur me faktin që unë jam në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Fullani, dua të them që nuk kemi qenë në dijeni se ka pasur një proces penal të filluar ndaj tij. Kuptohet që mediat, politika, kishte lëvizje në drejtim të kërkesave të ndryshme për dorëheqje, si dhe për mbajtjen e përgjegjësive, por jo deri në këtë masë sa për të ndërmarrë një procedurë penale. Dhe, krejt rastësisht, ka qenë në zyrën e tij për punët e përditshme, dhe të premten në darkë pas përfundimit të ditës së punës, pasi kishte qenë gjatë gjithë ditës në ambientet e bankës, ai arrestohet nga ana e organeve të policisë në bazë të një vendimi gjykate të rrethit gjyqësor në Tiranë. Vendim që ishte marrë nga gjykata me kërkesë të prokurorisë Tiranë. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar në gjykatë një gjë të tillë dhe gjykata në mungesë kishte vendosur për marrjen e masës së arrestit. Sigurisht që ishte një surprizë e vërtetë për ne që nuk ndikohemi nga politika apo lëvizjet sociale si dhe presionet e tyre. Këto presione ndikojnë në opinionin publik, por janë të motivuara politikisht. Edhe në bazën teknike ky arrestim nuk mund të bëhej, pasi procedura të tilla për masa arresti në mungesë zhvillohen përkundër atyre personave që nuk ndodhen në Shqipëri, dhe në rastin e personave që i shmangen hetimit, personave që nuk u dihet adresa apo personave që janë shumë të rrezikshëm. Në këtë sens, Kodi i Procedurës Penale aplikon këtë procedurë speciale, por ndaj një personaliteti bankar, ndaj një personi të njohur. Kur mund të kishte mjaftuar një kërkesë për marrjen në pyetje pa qenë nevoja për të kaluar në një masë të tillë ekstreme. Kjo për sa i përket pikës së parë, kurse pika e dytë, po vazhdon një traditë, një mentalitet jo i civilizuar, qoftë ky i frymëzuar nga politika, media apo nga klanet sociale ku çdo gjë procedohet me arrest në burg. Kuptohet se arresti me burg është një masë ekstreme në tërësinë e masave ndaluese. Kjo masë merret nëse një person rrezikon të largohet nga territori i Shqipërisë. Por dhe në këtë rast mund të marrësh masën me detyrim paraqitjeje, apo vënia si garanci e një shume të caktuar, apo edhe arresti në shtëpi. Një opinion normal e kupton që një masë arresti në burg aplikohet në raste ekstreme, për një person të rrezikshmërisë  të lartë, për vepra të rënda penale. Ndërsa z. Fullani akuzohet për një vepër penale shumë të thjeshtë, nga më ordineret, atë të abuzimit me detyrën. Kjo është dhe një nga akuzat më të përhapura. Pasi sipas dispozitave juridike përballë një akuze të tillë mund të vendosësh çdo funksionar shtetëror. Neni 106 në kodin penal që parashikon dhe këtë vepër penale, në terminologjinë juridike ne e konsiderojmë si një thes pa fund.

Ju thoni se arrestimi bie ndesh me normat juridike, atëherë sipas jush pse ndodhi arrestimi i z. Fullani?

Ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë si shoqëri, krijimi i një precedenti. Dhe krijimi i një precedenti të tillë ndaj një funksionari të lartë të çon të mendosh se këto janë veprime me prapavijë politike. Gjykata ka dhënë një vendim që nuk bazohet në ligj. Dhe për mua është argument për të thënë se është një veprim me prapavijë politike. Nuk ka prova që të vërtetojnë që z. Fullani ka kryer vjedhjen, që gjithsesi përbën një rast të rëndë për sistemin bankar. Por nuk mund të dënosh titullarin për krimet që bëjnë nëpunësit. Me këtë precedent dhe një ministër, si për shembull ministri i rendit, duhet të dënohet për ndonjë krim që mund të bëjë një drejtor burgu. Duhet të ndajmë përgjegjësinë morale nga ajo administrativja. Janë precedentë që e vendosin administratën shtetërore në një kornizë frike. Dhe duke e bërë këtë ai nuk mund të jetë operativ në punën e tij.

Cili ishte qëndrimi i z. Fullani në lidhje me vjedhjen që është bërë në Bankën e Shqipërisë

Në mënyrë absolute klienti im, është nga ata titullarë që e ka denoncuar menjëherë atë që ka ndodhur, pra vjedhjen në bankë. Unë e vlerësoj si një masë të nxituar prokurorisë dhe gjykatës. Nuk i vë faj deri diku pasi politika ushtron një presion shumë të madh ndaj sistemit gjyqësor dhe ende nuk mund ta quajmë të pavarur si organ. Gjyqësori dhe prokuroria kanë problemet e tyre, por ky nuk është justifikim për të bërë gabime të tilla. I vetmi faj i z. Fullani është se, për shkak të statusit të guvernatorit, një status mbarëkombëtar, ai ka qenë gjithmonë në dukje, pra në qendër të vëmendjes. Bankierëve nuk u lejohet të vishen keq dhe nuk u lejohet të kenë standarde të ulëta, ata nuk duhen të kenë boshllëqe pasi nuk duhet të joshen nga paratë. Pastaj Z.Fullani është dhe pak burrë i pashëm dhe kjo ndikon në faktin që është një personalitet që bie në sy. Fullani jetoi duke u dukur. Dhe kjo bëri që të krijohen dhe xhelozira në shtresat mendjembyllura të politikës, medias apo të atyre që përdorin media. Dhe kjo u shfrytëzua në një moment që djali i tij adoleshent publikoi diçka në instagram dhe kjo nuk ka të bëjë fare. Kjo tregoi dhe njëherë se disa shqiptarë janë mendjembyllur dhe ne duhet të civilizojmë mentalitetin tonë.

Cila do të jetë hapi juaj i radhës dhe çfarë prisni nga ky proces?

 Ne e kemi ankimuam vendimin dhe, nëse do të ndiqet rruga normale e një procesi të pandikuar nga asnjëra palë, ai sigurisht që do të lirohet menjëherë. Ka pasur ministra të akuzuar për shpërdorim detyre dhe nuk është arrestuar asnjeri. Maksimumi janë çuar në gjykatë dhe kanë marrë pafajësi, apo kanë marrë dënime të lehta. Por absolutisht nuk ka ndodhur që të arrestohet dikush. Ka qenë një zinxhir presionesh që kulmuan në këtë vendim. Por precedenti i krijuar, e theksoj edhe një herë, më tremb. Pasi nuk identifikohet një shkelje administrative nga një shkelje penale. Kam grumbulluar një sërë materialesh, dhe fillimisht duhet të lirohet, ai është një specialist prej 35 vitesh, një investim i shoqërisë të cilin nuk mund ta hedhësh kaq kollaj. Më vjen keq që mediat dhe interpretimin në internet për analizat që bëjnë, pasi nuk mund të flasësh për sa kohë i takon drejtësisë të flasë. Por kjo tregon dhe njëherë injorancën dhe faktin që shoqëria jonë ka nevojë për civilizim. Shoqëria duhet të ngrejë ato probleme, si korrupsioni, dhe papunësia si dhe probleme të tjera. Me çështjen konkrete nuk duhet të merret as politika, as media dhe as shoqëria civile, për sa kohë flitet për një sistem që duhet të jetë i ftohtë dhe i pavarur, bëhet fjalë për sistemin gjyqësor.

Çfarë mendoni se e ka penalizuar z. Fullani që situata të precipitojë deri në arrestimin e tij?

Dy çështje janë: guvernatori ose ka qenë i paaftë, ose neglizhent, por prapë asnjëra nga këto nuk të çon në veprën penale për të cilën akuzohet. Duhet që ai t’i ketë kryer me dashje që të akuzohet për shpërdorim detyre. Vjedhja nuk ka ndodhur për veprime të z. Fullanit, por për probleme të asaj fushe, pra të fushës së sistemit bankar dhe Këshillit Mbikëqyrës.

Shkarkimi i Fullanit, Kuvendi akoma s’ka nisur procedurat

Ndonëse është bërë zyrtare në mënyrë verbale se Ardian Fullani nuk është më Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Kuvendi nuk ka nisur ende procedurat e shkarkimit të tij. Nga Kuvendi bëhet me dije se Këshilli Mbikëqyrës ende nuk ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e guvernatorit të marrë menjëherë pas arrestimit të tij. Sipas procedurave menjëherë pas mbërritjes së propozimit të Këshillit Mbikëqyrës me kërkesë për shkarkimin e guvernatorit Fullani duhet të mblidhej konferenca e kryetarëve për ta futur në rend dite. Pas kësaj kërkesa kalon në komision dhe më pas për miratim në Parlament. Këshilli Mbikëqyrës vendosi shkarkimin e Fullanit në një mbledhje maratonë dhe emëroi në detyrë Zv.Guvernatoren Elisabeta Gjoni. Në ditët në vijim priten edhe procedurat që më pas do të çojnë për miratim në seancën e radhës të Parlamentit. Këshilli Mbikëqyrës, që nga bërja publike e këtij skandali e deri në ditët e sotme është mbledhur gjithsej 2 herë. Herën e parë anëtarja Ermelinda Meksi kërkoi e vetme shkarkimin anit, mirëpo 6 vota kundër e mbajtën ende në detyrë ish-guvernatorin. Megjithatë, i njëjti këshill e mohoi publikisht faktin se Meksi kishte kërkuar shkarkimin e Fullanit dhe publikoi në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një sërë masash që duheshin marrë për forcimin e masave të sigurisë. Ndërkohë para tre dite në mbledhjen e dytë, Këshilli Mbikqyrës analizoi të gjitha rrethanat e ngjarjes si dhe zhvillimet pas arrestimit të Fullanit, ku së fundmi vendosi shkarkimin e tij. Me një anëtar më pak dhe pa kryetarin, ky këshill vijon të jetë funksional dhe të garantojë mbarëvajtjen e sistemit bankar, nën drejtimin e Gjonit, deri në emërimin e një guvernatori tjetër. Tre ditë më parë tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Petraq Milo, Ardian Civici dhe Dhori Kule, dhanë dëshmitë e tyre për rreth 2 orë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për vjedhjen e 713 milionë lekëve. Nga ana tjetër, të hënën ka ndodhur edhe lëvizja e Ardian Bitrajt nga burgu 302 drejt 313-ës, duke ia lënë vendin Fullanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama