Ja kush rrezikon - Bllokim legalizimesh ne tirane 80 mije ndertime jashte procesit

Ja kush rrezikon - Bllokim legalizimesh ne tirane, 80 mije ndertime jashte procesit

Kreu i ALUZNI-t tha dje se Plani Rregullues i Tiranës pezullon dhe bllokon procesin e legalizimit për mbi 80 mijë ndërtesa brenda vijës së verdhë. “I kemi kërkuar Bashkisë të gjejmë një zgjidhje, por nuk kemi asnjë përgjigje” 

 

Afro 80 mijë ndërtime pa leje, që ndodhen në zonën brenda vijës së verdhë të bashkisë Tiranë rrezikojnë të mos legalizohen. Kjo pasi ndryshimet ligjore që ka paraqitur qeveria në Kuvend, në ligjin “Për legalizimin”, parashikojnë që ky proces nuk do të realizohet për të gjitha ato zona ku ka një studim apo plan urbanistik, e që parashikon zhvillimin vetëm të ndërtesave mbi 5 kate. E në rastin e Tiranës ekziston tashmë një plan urbanistik i miratuar një vit më parë, ku përcaktohen ndërtesa mbi 5 kate. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame para komisionit të Ligjeve, ku ndërmjet të tjerave ka theksuar se ky përbën një problem tepër shqetësues.

 

“Për objektet ku ka zona studimi, ju përmendët Durrësin, për një zonë me 1 mijë objekte dhe unë ju përmend Planin Rregullues të Tiranës. Dhe këtë e bëj me përgjegjësi të plotë. Plani Rregullues i Tiranës, i miratuar nga Bashkia në vitin 2013, pezullon dhe bllokon ndërtimin dhe legalizimin e të gjitha objekteve. Janë mbi 80 mijë ndërtime që përfshijnë qytetin e Tiranës. Çka do të thotë që Plani Rregullues i Tiranës parashikon ndërtime mbi 5 kate dhe u thotë qytetarëve që nuk legalizohet asgjë”, – tha Artan Lame.

 

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se qeveria nuk ka dashur që këtë çështje ta bëjë politike, ndaj ka kërkuar nga Bashkia që të dyja së bashku të gjejnë një zgjidhje. “Nuk e kemi përdorur për konsum politik, sepse kemi kërkuar që të gjejmë një zgjidhje me Bashkinë e Tiranës se çfarë do bëjmë me këto ndërtime. Deri tani nuk kemi asnjë sinjal nga Bashkia e Tiranës se ç’do bëhet. Kemi hyrë në kontakt me bashkinë dhe i themi që çfarë do bëjmë me studimet në këto zona dhe nuk kemi një feedback”, – bëri të ditur Lame. Gjithsesi, ai ka theksuar se zgjidhja e vetme për momentin, jo vetëm për banorët e Tiranës, por për banorët e të gjitha atyre zonave ku ka një plan të tillë rregullues, mbetet ajo që ata të hyjnë në negociata me pronarët e truallit. Sipas tij, këta banorë që kanë ndërtuar shtëpi në këto zona, duhet të bien dakord me pronarin e truallit që ato të prishen, por me kusht që pronari i truallit të garantojë që në pallatin që do të ndërtojë, t’u japë banorëve të këtyre shtëpive një banesë në sipërfaqen banimi të njëjtë me atë që ishte shtëpia. Sipas Lames, në këtë rast shteti duhet të marrë rolin e ndërmjetësit të këtyre marrëveshjeve. “Kjo ka sjellë paralizë në gjithë këtë fashë ndërtimi.

 

Pronari i truallit nuk ndërton dot se e ka të zënë, ndërtuesi nuk legalizon dot, sepse ia ndalon ligji, gati-gati i kemi çuar në përballje fizike, gjë që ka ndodhur dhe në disa raste. Ne ndërhymë në këtë logjikë duke thënë që të gjejmë rrugë të mesme, shteti të bëhet ndërmjetës. Kjo nuk bëhet duke u hequr të drejtën pronarëve të truallit, as duke u thënë pronarëve të truallit. Por bëhet duke u bërë presion të dyja palëve, duke i bërë presion pronarit të truallit që të gjejë një mënyrë me ndërtuesit për t’u dhënë sipërfaqe banimi atyre që kanë ndërtuar aty dhe duke u bërë presion atyre që kanë ndërtuar aty, me marrëveshje noteriale e me radhë, që gjeni një marrëveshje me ndërtuesit se ndryshe do mbeteni pa legalizuar”, – tha Lame. Një tjetër çështje që ka shkaktuar debate gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit ka qenë edhe ajo se çfarë do të bëhet me ndërtimet pa leje të ndërtuara pas vitit 2009 në truallin shtet dhe në atë të të tretëve. Lame nga njëra anë ka deklaruar se këto banesa nuk i trajton ky ligj, por nga ana tjetër ka theksuar se ato nuk do të prishen menjëherë, por vetëm atëherë kur në këto zona do të ketë një projekt zhvillimi. “Në ligj thuhet që do prishen sipas dispozitave të ligjit të ndërtimit etj, pikërisht në këtë logjikë që asnjë ndërtim i bërë pa leje pas vitit 2009 në truall shtet dhe në truall me pronar nuk do prishet, pa patur një projekt real në atë zonë, projekt që mund të jetë sot, mund të jetë pas 5 vjetësh, mund të jetë pas 10 vjetësh”, – tha Lame.

 

Në një muaj, 6600 aplikime të reja në ALUIZN

 

Nga 1 marsi deri më 15 prill, pranë zyrave të ALUIZNI-t janë bërë afro 6600 aplikime të reja për legalizim objektesh. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur kreu i këtij institucioni, Artan Lame, i cili gjithashtu theksoi faktin se të gjithë aplikantët nuk pranojnë të bëjnë pagesat sipas ligjit të vjetër, pasi kanë besim se qeveria do ta zhvillojë këtë proces falas. Por ai, ashtu si dhe ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, kanë bërë të qartë edhe dje në komisionin e Ligjeve se falas do të jetë vetëm procedura, por jo trualli mbi të cilin është ngritur një banesë e caktuar. Sa i përket procedurave, Lame ka bërë të ditur se faturat variojnë nga 20 deri në 40 mijë lekë të reja, të cilat sipas tij, qytetarët në bazë të këtyre ndryshimeve të reja nuk do t’i paguajnë. “Vlera e sotme juridikisht e një dosjeje varion për banesa nga 20 mijë lekë të reja deri në 40 mijë lekë të reja.

 

Sepse për njësitë ekonomike shkon deri 3 milionë”, – tha Lame. Ndërkohë që sa i përket vlerës së truallit, ai ka bërë të ditur se ajo do të përllogaritet duke filluar me 50 për qind të vlerës së tregut dhe deri 1500 lekë maksimumi. “Me formatin që do të përdoret për pagesën e truallit, fillimi i përllogaritjes së vlerës së truallit është 50 për qind e vlerës tregut, por jo më shumë se 1500 lekë për metër katror. Kjo është dyshemeja nga fillon llogaritja e çmimit të vlerës së truallit për banesat. Sa i përket vlerës që do të përftohet nga pagesa e truallit, kjo shumë nuk do shkojë më 100 për qind në fondin special të ish-pronarëve, por do të ndahet 70 për qind për këtë fond dhe 30 për qind për nevojat e ALUIZNI-t. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e opozitës së djathtë, e cila ka akuzuar qeverinë se po bën falas procedurat e legalizimit në kurriz të pronarëve të truallit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama