Ja cfare nuk u pa nga mberritja e kombetares ne Shqiperi

Ja çfarë nuk u pa nga mbërritja e kombëtares në Shqipëri

Një ditë më parë u njoftua se mbërritja e Kombëtares do të bëhej në orën 17:00, por padurimi i kuqezinjve ka bërë që nisja dhe mbërritja në Shqipëri të bëhej dy orë më para sesa ishte parashikuar. Fakti që gjatë ditës së djeshme në Tiranë ka qenë një vapë e tmerrshme, ka bërë që tifozët në pritjen e Kombëtares të mos jenë të shumtë në sheshe e rrugët e kryeqytetit.

Autobusi

Autobusi

Ishte zgjedhur një autobus i hapur për udhëtimin e Kombëtares, ndonëse kushtet atmosferike ofronin një vapë sfilitëse. Nëse në fillim të udhëtimit të gjithë kërkonin të qëndronin në fillim të autobusit, më vonë vendi i preferuar ishte në fund të tij për shkak të një strehe që ofronte pak më tepër freski. Për këtë udhëtim, zëvendëskryeministri i Maqedonisë kishte mundësuar autobusin e hapur që ishte e një firme maqedonase udhëtimesh. Ndërkohë, Kombëtarja ka udhëtuar nën mbikëqyrjen e një helikopteri, "i stolisur" me flamurin shqiptar. Gjithashtu, një dron është përdorur për të filmuar gjithçka nga parakalimi i kuqezinjve.

Lenjani

Në raste të tilla parakalimesh me autobusë të hapur, ka gjithmonë shishe me shampanjë që futbollistët i hapin dhe spërkasin tifozët në shenjë triumfi. Kuqezinjtë nuk e kanë menduar këtë detaj dhe Ermir Lenjani e zëvendëson shampanjën me ujë. Disa nga shishet që i kishte pranë për të shuar etjen i ka përdorur për të shuar entuziazmin e tifozëve të pranishëm përpara Bashkisë së Tiranës.

Korrenti

Në Shqipëri, telat elektrikë i gjen rëndom të varura nëpër shtylla dhe në këtë rast që Kombëtarja ka udhëtuar me një autobus dykatësh, është kërkuar edhe vigjilenca e lojtarëve. Më shumë sesa në ekzekutimin e një goditjeje standarde për t'i shpëtuar pozicionit jashtë loje, këtë herë futbollistët është dashur t'i shpë- tojnë kontaktit me telat elektrikë. Pranë Ministrisë së Jashtme, Odise Roshi dhe disa lojtarë të tjerë është dashur që të ulin kokën, pasi për pak mund të binin në kontakt me telat e korrentit.

Untitled-3

Tosi

Fatos Kadëma, që është personi përgjegjës për bazën materiale të Kombëtares, është "harruar" jashtë kryeministrisë nga Kombëtarja. Ndërkohë që trajneri e ka përmendur edhe në fjalim, Tosi ka mbetur jashtë duke pritur daljen e kuqezinjve.

Turma

Nëse pas sigurimit të kualifikimit në Armeni kishte dhjetëra mijëra njerëz në shesh, dje kishte vetëm disa qindra nëse do të mblidhen të gjitha ndalesat së bashku. Vapa e madhe ishte një prej arsyeve kryesore të pritjes jo aq madhështore sa ishte menduar për kuqezinjtë.

13532995_1016866101757287_3441642402680062386_n

"Trajneri ultras"

Xhani De Biazi është i njohur për tipin e sjellshëm me tifozët në takimet me ta, ndërkohë që edhe dje nuk ka munguar xhentilesa e tij për fansat që e pritën Kombëtaren për shumë minuta përpara Kryeministrisë. Në dalje, pas fotove zyrtare dhe përshëndetjes me kreun e qeverisë, De Biazi është ngjitur ndër të parët në autobus. Në atë moment, tifozët e pranishëm kanë nisur të këndojnë: "O sa mirë me qenë shqiptar". Pasi ka dëgjuar tifozët, trajneri i Kombëtares ka nxjerrë telefonin e tij personal për të filmuar këtë veprim dhe më pas ka qenë ai që e ka kënduar shprehjen.

Shoferi

Ndalesa e fundit përpara turmës për Kombëtaren ka qenë në sheshin "Nënë Tereza", në "fan zonën" e ngritur për të ndjekur ndeshjet e Europianit. Pasi kanë qëndruar pak minuta mbi skenë, skuadra kombëtare ka kërkuar që të largohet dhe që të hipë në autobus. Në këtë moment, ka munguar personi më i rëndësishëm: shoferi i autobusit. Për këtë, skuadrës kombëtare i është dashur që të qëndrojë rreth 20 minuta në pritje të tij.

mustafa-3_1466711343-488914

Lodhjes së udhëtimit, të takimeve të shumta dhe sidomos në lëvizjen me mjet të hapur në temperatura ekstremisht të larta, lojtarët dhe stafi kanë pritur për disa minuta derisa është gjetur edhe shoferi i mjetit.Në fund, Kombëtarja ka darkuar edhe me kreun e qeverisë së Kosovës, atë të qeverisë së Shqipërisë dhe shumë ministra e personazhe të fushës politike. Për kuqezinjtë, do të kishte qenë edhe më pak e lodhshme sfida përballë Gjermanisë apo Uellsit, me gjithë përgatitjet që do të bënte De Biazi, sesa një ditë e tillë.

Olsi Tujani



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama