Mario Gëce befasoi të gjithë me ven dimin e tij mbi të ardhmen. Teksa prisnin që mesfushori gjerman të largohej nga Bajerni, pasi nuk i përmbushi pritshmëritë, ai deklaroi se do të qëndrojë në Mynih.
Por, nga ky qëndrim është distancuar bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, i cili në mënyrë të pazakontë dhe indirekte i hap derën e largimit 23-vjeçarit. Klubi nuk e priste që Gëce të qëndronte, pasi prej kohësh është vendosur që Mario të largohej në fund të sezonit duke nxjerrë edhe shpenzimet që bënë për të.
Kujtojmë që Gëce u ble për 37 milionë euro dhe përfiton 12 milionë euro në sezon.
Rumenige irritohet
Gjatë një interviste për "Kicker", kreu i ekzekutivit mirëkupton qëndrimin zyrtar të Gëces, por ai zbulon se mesfushori nuk ka garanci për aktivizim. "Gëce mori vendimin në mënyrë serioze dhe të qartë.
Ai e di shumë mirë se çfarë mendon klubi dhe trajneri i ardhshëm", tha Rumenige për mesfushorin, i cili ka një kontratë deri në vitin 2017. Më pas, vetë Rumenige pohon se nuk jep dot një vlerësim të qëndrimit të lojtarit. "Është e vështirë të japësh një vlerësim. Unë bisedova si me të dhe Ançelotin.
Mario i di planet e klubit për të ardhmen e tij. Ndoshta tani ai dëshiron të jetë i qetë para Europianit. Ai duhet t'i bëjë pyetje vetes: A dua të jem pjesë e formacionit në mënyrë të vazhdueshme? Në fund vendos vetë ai", përfundoi Rumenige, duke lënë të nënkuptohet se Gëce nuk do të ketë garanci për pozicionin e titullarit.
Në këtë mënyrë, ai s'duhet të kënaqet sërish me stolin, siç i ndodhi me Pep Guardiolën.
Liverpuli, 26 mln euro
Mario Gëce nuk ka reaguar pas diskriminimit që i bëri Rumenige.
Me shumë mundësi në fund të Europianit, ai do të bindet të shkojë te Liverpuli. "Kicker" pati zbuluar se Jurgen Klop është gati të paguajë 26 milionë euro për kartonin e mesfushorit.
Mbingarkesa e mesfushës dhe stili i Ançelotit do të bëjë që Gëce të qëndrojë në stol. Riberi, Tiago, Vidal, Kosta, Myler, Roben, Koman dhe Sançes janë mjaftueshëm dhe të duhurit për Ançelotin. Gëce do të ishte i tepërt.