Interneti largon rrezikun e depresionit te te moshuarit

Interneti largon rrezikun e depresionit te te moshuarit

Navigimi në internet mund të jetë një ndihmë e madhe për personat e vetmuar dhe për të moshuarit, duke ulur mundësinë e shfaqjes së depresionit. E rëndësishme është që të mos ekzagjerohet, sepse mund të merrni efektin e kundërt

 

Studimi

 

Statistikat e fundit të ILSA (Italian Longitudinal Study on Aging), të Universitetit të Padovës, nuk janë veçanërisht inkurajuese: të moshuarit e Italisë janë më të depresionuarit e Europës. Më keq duket se janë gratë mbi 65 vjeç. Meshkujt duket se e kalojnë më mirë sfidën me moshën dhe vetëm 38% e tyre e vuajnë këtë gjë. Megjithatë duket se një rrugëzgjidhje ekziston. Sipas disa studiuesve të Universitetit të Miçiganit, përdorimi i internetit mund të reduktojë probabilitetin e depresionit të paktën me 30 për qind. Depresioni është më i zakonshëm tek ata të moshuar që janë vetëm, nuk kanë një partner/e, që nuk jetojnë bashkë me familjen e tyre ose më e keqja që vuajnë nga disa lloje paqëndrueshmërish personaliteti. Përdorimi i internetit duket se ka luajtur një rol vendimtar për të reduktuar ndjeshëm problemin. “Ky është një efekt shumë i fortë dhe e gjitha kjo ka të bëjë me personat e moshuar, të cilët janë në gjendje që të komunikojnë, të qëndrojnë në kontakt nëpërmjet faqeve të tyre sociale për të mos u ndier vetëm”, shpjegon Sheila Cotten, profesoresha e telekomunikacionit në Universitetin e Miçiganit të Shteteve të Bashkuara dhe koordinatorja e studimit.

 

Për të arritur në konkluzione të tilla u analizuan të dhënat e mbledhura nga “Health and Retirement Survey”, një mbledhje informacionesh të përftuara nga më shumë se 22 mijë amerikanë të moshuar. “Ky është një nga sondazhet më të plota dhe më të mëdha të këtij lloji”, deklaron Cotten. Por, gjithsesi, nuk është i pari që zbulon rolin e përdorimit të internetit në ndihmesën e personave për të kapërcyer depresionin. Ndryshimi substancial i këtij zbulimi të ri është arritja e evidentimit të ndryshimit të humorit përpara dhe pas përdorimit të internetit. Përveç kësaj, studiuesit kanë tentuar të kuptojnë se gjendjet depresive të shkuara mund të kenë në një farë mënyre ndikim në ato të ardhshmet. Megjithatë, studiuesit bëjnë të ditur se jo të gjithë personat ia kanë arritur që të dalin nga depresioni; disa kanë qenë keq, edhe pse kanë përdorur internetin. Në çdo rast, sipas Cotten, përdorimi i internetit redukton gjithsesi gjendjen depresive.

 

Pra, studimi aktual nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka konfirmuar të mëparshmit, të cilët propozonin socializimin përmes internetit, si një instrument për të përmirësuar humorin e personave që ndihen vetëm. “Ky studim jep një kontribut domethënës në studimin e përdorimit të internetit dhe të depresionit te të moshuarit dhe pensionistët”, vazhdon më tej Cotten. Padyshim, studiuesja nuk harron të thotë se në çdo rast duhet ekuilibër, pra edhe në përdorimin e teknologjisë: pak mund të ndihmojë, shumë mund të dëmtojë. “Nëse mund të ulesh përpara një kompjuteri gjatë gjithë ditës, duke injoruar rolet e tjera në jetë dhe gjërat që duhet të realizohen si pjesë e së përditshmes, atëherë mund të shkohet drejt një ndikimi negativ personal. Por nëse interneti përdoret me moderim dhe njëkohësisht bëhen edhe gjërat që përmirësojnë jetën, impaktet do të jenë padyshim pozitive në drejtim të shëndetit dhe të mirëqenies”, përfundon Cotten.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama