Inaugurohet Tirana Business Park Rama 10 mije vende pune

Inaugurohet Tirana Business Park, Rama: 10 mije vende pune

Një “shtëpi” e përbashkët për bizneset e ngritur në hapësirë të gjelbër, “Tirana Business Park” u inaugurua këtë të martë në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i ri i Tiranës Erion Veliaj.

Duke e quajtur një projekt vizionar qendrën e madhe të biznesit të ngritur në Vorë, kryeministri tha se parashikimet flasin për të paktën 10 mijë të punësuar deri në vitin 2020. Rama foli për një histori suksesi e cila referuar eksperiencës gjermane, kurrsesi nuk mund të dështojë si investim në Shqipëri.

“Duam pak minuta nga Tirana për të ardhur në Gjermani, kjo është arsyeja pse investimet gjermane kanë një vlerë të posaçme përtej vlerës financiare, vlerës së shtuar në punësim. Gjermanët kanë vlerë kulturore për mënyrën e të jetuarit në një hapësirë ku bëhet biznes, ku ofrohen shërbime, ku informohen qytetarë. Faleminderit që na keni sjellë një copë Gjermanie në Vorë. Së dyti, investimet gjermane të këtyre përmasave kanë një tipologji të veçantë, ndryshe nga investimet e tjera evropiane, se janë investime familjesh që brez pas brezi trashëgojnë eksperiencën, dijen dhe rrisin ekonominë e tyre duke pasur një kontribut të posaçëm në rritjen e ekonomisë kombëtare, familja që ka përjetuar investim prej 100 milionë eurosh që do të shtrihet deri në vitin 2020 me të paktën 10 mijë të punësuar.

Është një nga ato histori suksesi të biznesit familjar në Gjermani që këtu ka vendosur të sjellë dhëndrin e njërës nga 4 vajzat. Një arsye më shumë për tu ndjerë të sigurt që do jetë sukses, se dhëndri nuk ka asnjë mundësi të ndahet nga vajza që ka marrë për grua duke dështuar në Shqipëri. Po të ishte vajza vetë mund të kishte edhe problem se do thoshte nuk bëhet me shqiptarët baba po kthehem. Dhëndri nuk ka mundësi të kthehet se pastaj nuk gjen as vajzën. Fat që ky investim mori rrugë. Një treg që sado i ngatërruar është një treg ku fiton cilësia e nuk ka sesi të jetë ndryshe. Tirana Business Park është një nismë e re në një drejtim të ri të kalimit të një oazi si një qytet i vogël brenda qytetit të madh që ofron jo vetëm çka aktiviteti i brendshëm përbën por edhe një vizion edhe një rrugë zbatim të një projekti infrastrukturor, urbanistik, miqësor me mjedisin”, u shpreh kreu i qeverisë Edi Rama.

Kryeministri solli gjatë fjalës së tij një fakt të konfirmuar edhe nga ambasadori gjerman, lehtësitë që Shqiëpria i ofron investitorëve të huaj.
 
“Është kënaqësi e veçantë, i mora leje ambasadorit nëse mund ta thosha dhe pasi ma konfirmoi po e them: Në atë librin e barcaletave që zoti Ulmer tha se mund të shkruajë me gjithë aventurën shumë-vjeçare të kësaj sipërmarrje në labirinthet e burokracisë, qeveria shqiptare nuk është pjesë e barcaletave. Kemi bërë gjithçka është e mundur të ndihmojmë kompaninë të zgjidhë të gjitha nyjet që i ishin bërë pengesë për këtë investim”, - u shpreh Rama.
 
Por në të njëjtën linjë, kryeministri Rama vlerësoi investimet gjermane jo vetëm për ndikimin financiar, por edhe për kulturën ndryshe të të bërit biznes që tejçojnë në vendin tonë.
 
“Investimet gjermane sjellin një kulturë të të bërit biznes dhe të punuarit për të cilën ne kemi shumë nevojë. Pa pasur iluzionin që mund të bëhemi ndonjëherë gjermane se këtë s’e realizojmë dot. Ne jemi shqiptarë dhe do të mbetemi shqiptarë me të mirat dhe të këqijat tona, por duke u përpjekur të korrigjomë të metat me ndihmën e shembullit të marrë nga puna e gjermanëve”, tha shefi i mazhorancës.
 
Sipas kryeministrit Rama historia e investimeve gjermane në Shqipëri, të cilat pas viteve ’90 llogariten në mbi 1 miliardë euro, ka treguar se: Aty ku financojnë gjermanët sistemet funksionojnë në mënyrë thuajse të përsosur, ndryshe nga të tjerët.  Ata nuk financojnë vetëm për tulla, llaç e ngrehina por edhe për rritjen e kapitalit njerëzor dhe rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. 
 
Në këtë kontekst, Rama tha se pavarësisht vështirësive, ja ka dalë të ketë mik ambasadorin gjerman.
 
“Miqtë e vërtetë janë ata që na njohin mirë që njohin mirë edhe difektet tona e megjithatë na qëndrojnë edhe në krah”. Nuk është e lehtë të kesh mik ambasadorin e Gjermanisë, sepse këta shikojnë çdo defekt e kur ka një defekt këta shohin një dramë që duhet të marrë fund”, tha Rama.
 
Tirana Business Park sjell një model të ri pune në vendin tonë, atë bashkë-funksionimit të bizneseve brenda një hapësire pune të përbashkët, një investim prej 100 milionë euro nga shoqëria gjermane “Lindner Group”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama