Iken Artan Minarolli. Ilir Butka drejtori i ri i QKK-se

Iken Artan Minarolli. Ilir Butka, drejtori i ri i QKK-se

Ilir Butka është drejtori i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku i është thënë po propozimit të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, për të emëruar Butkën për postin e kreut të QKK-së. Butka zëvendëson në këtë post regjisorin Artan Minarolli, i cili e mori këtë detyrë në dhjetor të vitit 2009. Butka vjen në këtë post pas një sërë debatesh të ngritura mbi rolin e Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe mënyrën sesi duhet operuar në buxhetet e filmit shqip.

Butka është i njohur si regjisor, por më së shumti si drejtor i Tirana Film Festival, një nga eventet më të njohura të filmit me metrazh të shkurtër. Vetëm një muaj më parë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, realizoi një takim me kineastë dhe njerëz të botës së filmit, për t’u njohur më nga afër me problemet e kësaj gjinie të artit. Një nga kritikat e kineastëve kishte të bënte edhe me rolin e QKK-së, mënyrën sesi ndahen fondet dhe bordet e krijuara. E krijuar në vitin 1997, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka qenë i vetmi institucion kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri. Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë. “Qëllimi i QKK-së është zhvillimi i kinematografisë sonë duke inkurajuar vizionet e reja. Kriteri kyç në procedurën e përzgjedhjes së projekteve fituese mbetet vlera artistike.

 

QKK që prej krijimit të saj, mbështet prodhimin, distribuimin dhe promovimin e filmave me metrazh të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. QKK përkrah kineastët shqiptarë veçanërisht për bashkëprodhime ndërkombëtare. Kjo është një strategji efikase për të siguruar distribucion dhe një audiencë më të gjerë jashtë kufijve. QKK financon filma me metrazh të shkurtër të regjisorëve të rinj, si dhe ndihmon studentët kineastë në produksionet e tyre të para kinematografike”, – thuhet në faqen zyrtare të QKK-së. Ardhja e Butkës në krye të QKK-së pritet të sjellë ndryshime në konceptin që ky institucion duhet të ketë mbi prodhimet kinematografike dhe format e operimit në këtë gjini arti. Një tjetër vendim i qeverisë dje në fushën e artit ishte dhe ai i miratimit të një fondi shtesë në buxhetin e vitit 2014, për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës që do të mbahet në Venecia më 7-23 qershor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama