ISHP Teknologjia po vret komunikimin balle per balle te te miturit

ISHP: Teknologjia po vret komunikimin balle per balle te te miturit

Komunikimi online po vret atë ballë për ballë, duke bërë që të rinjtë të humbasin ndjenjën e solidaritet dhe të bashkëpunimit midis tyre. Një raport i Institutit të Shëndetit Publik thekson se 40% e 11, 13 dhe 15-vjeçarëve komunikojnë nëpërmjet Facebook, ndërsa 32% përdorim mesazhet.

 

Një tjetër çështje, për të cilën flitet në raport është edhe obeziteti te fëmijët e kësaj grupmoshe, ku 3.2% e tyre janë obezë, ndërsa te më problematikët renditen 11-vjeçarët. Për sa i përket punësimit të prindërve të fëmijëve të kësaj grupmoshe thuhet se 59% e nënave dhe 24% e baballarëve janë të papunë. Zyrtarisht mësohet se në studim kanë marrë pjesë 5084 fëmijë të grupmoshës 11, 13 dhe 15 vjeç.

 

Komunikimi online

 

Te fëmijët e grupmoshës 11-15 vjeç dhe jo vetëm, dita-ditës po humbet komunikimi ballë përballë. Teknologjia dhe rrjetet sociale po vrasin çdo ditë atë pjesë të rëndësishme të bisedës midis njerëzve që është të parit në sy. Kjo ka një sërë efektesh negative, pasi i mbyll në vetvete, krijojnë varësi, i bën më egoistë. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit publik, 40.6% e fëmijëve të grupmoshës 11-15 vjeç komunikojnë nëpërmjet Facebook-ut. Ndërkohë 32% e tyre përdorin mesazhet dhe 25% email-in. Nga të dhënat rezulton se tashmë kanë marrë fund bisedat sy më sy dhe gjithçka realizohet me anë të një pajisje.

 

Gjithashtu në studim theksohet se djemtë janë më të prirur se vajzat për komunikim online. “Lidhur me komunikimin e përditshëm elektronik, 40.6% e nxënësve raportuan se komunikonin me shokët nëpërmjet mesazheve të çastit, chat në Facebook. 32% raportuan se komunikonin nëpërmjet SMS-ve; 25.3% nëpërmjet email-it dhe 30% nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit elektronik, duke përdorur media sociale, si Facebook, duke postuar në mur My Space, Twitter, Instagram. Në të gjitha rastet u konstatua një diferencë gjinore e rëndësishme, ku djemtë raportuan shifra më të larta të komunikimit elektronik, krahasuar me vajzat”, thuhet në raportin e ISHP-së.

 

Obeziteti te fëmijët

 

Mungesa e aktivitetit fizik dhe bërja e një jete pasive apo edhe konsumimi i ushqimeve të thata ka bërë që të kemi më tepër fëmijë obezë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku lojërat në natyrë zinin një vend të rëndësishëm, sot lojërat elektronike po dominojnë. 3.2% e fëmijëve 11, 13, 15 vjeç vuajnë nga obeziteti, ndërsa një pjesë e tyre janë në dietë, ndonëse në një moshë shumë të re. Ajo çka është më tepër shqetësuese lidhet me faktin se 11-vjeçarët janë edhe më problematikë në lidhje me çështjen në fjalë. “6.7% e fëmijëve 11, 13, 15 vjeç janë në dietë për të rënë në peshë. 70.2% e fëmijëve 11, 13, 15 vjeç që ndjekin shkollën janë me peshë normale kundrejt 3.2% të klasifikuar si obezë. Krahasuar me djemtë, vajzat janë më shumë nënpeshë, 8.7% kundrejt 7%.

 

Fëmijët 11-vjeçarë janë më shumë nënpeshë, krahasuar me ata 13 dhe 15-vjeçarë. Proporcioni i vajzave që kanë perceptim negativ për peshën e tyre dhe mbajnë dietë është më i lartë në krahasim me meshkujt”, sqarohet në raportin e ISHP-së. Gjithashtu shtohet se mbajtja e dietës është një fenomen që ndodh në një masë të madhe tek adoleshentët, pavarësisht pasojave dhe rreziqeve që shpesh ka kjo gjë. “Mbajtja e dietës dhe sjelljet që kontrollojnë peshën janë të zakonshme mes adoleshentëve. Vajzat përpiqen më shumë për të rënë në peshë krahasuar me djemtë, të cilët kanë më shumë gjasa të angazhohen në sjellje të rrezikshme që kontrollojnë peshën”, theksohet në raport.

 

Punësimi i prindërve

 

Kushtet e vështira me të cilat duhet të përballen një pjesë e nxënësve kanë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre fëmijëve, por edhe në gjithë shoqërinë më pas. Pabarazitë në adoleshencë sjellin probleme shëndetësore, probleme me sjelljen, mund të ndikojnë edhe në procesin e të mësuarit. Sipas të dhënave të raportit të ISHP-së, 59% e nënave të 11, 13, 15-vjeçarëve nuk punojnë, në raport me 24% të baballarëve. Kjo një shifër e konsiderueshme, çka reflektohet edhe në të ardhurat e familjes dhe mënyrën e tyre të jetesës. “Rreth 24% e baballarëve dhe 59% e nënave të fëmijëve 11, 13, 15 vjeç që ndjekin shkollën, që jetojnë me të dy prindërit, janë të papunë.

 

Një në dy fëmijë 11, 13, 15 vjeç që ndjekin shkollën raportojnë se gjendja ekonomike e familjeve të tyre është mesatare krahasuar me gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare. Një në katër fëmijë 11, 13, 15 vjeç që ndjekin shkollën kanë dhomën e tyre personale të gjumit”, sqarohet në raport. Më tej shtohet se varfëria është një nga kërcënimet më të mëdha në realizimin e të drejtave të adoleshentëve. Ajo i kalon ata para kohe në moshën e të rriturit duke i larguar nga shkolla, i shtyn të punojnë në moshë të njomë, apo të martohen shumë herët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama