I thashe dorezohu se do behet puna keq me pas folem me policine dhe e moren pas disa minutash

'I thashe dorezohu se do behet puna keq, me pas folem me policine dhe e moren pas disa minutash'

Age Koçeku – Një e moshuar i ka mbushur mendjen 20-vjeçarit Sokol Mjacaj që të dorëzohej: Fillimisht më trembi, por më pas e binda që të dorëzohej. I dhashë telefonin për të folur me policinë…

Policia është ndihmuar nga një grua e moshuar nga fshati Gruda e Re për arrestimin e Sokol Mjacajt, 20-vjeçari i cili vrau dy turistët çekë. Age Koçeku ka treguar dje për mediat se Mjacaj është strehuar për disa kohë tek shtëpia e saj, ndërsa ajo është munduar që ta bindë të riun që të dorëzohet tek policia. Pasi i ka dhënë ujë, ajo ka folur me vrasësin dhe në fund ka marrë policinë në numrin 129 për t’i treguar se ku ndodhej Mjacaj. Pas disa minutash, policia ka shkuar tek vendi në fjalë dhe e ka arrestuar.

 

E moshuara

Gruaja nga Gruda e Re ka thënë se e ka parë vrasësin afër banesës së saj, në një kohë që po shikonte operacionin për arrestimin e vrasësve të turistevë çekë. Ajo ka thënë se e ka ftuar të riun që të futet në banesë, i cili kur ka hyrë i ka kërkuar një gotë ujë.

“Dola jashtë banesës dhe ai lëvizte te banesa ime. Ai ishte poshtë pallatit dhe unë lart. Kur doli atje në rrugë i thirra: Hë more shok ç’a do? Jo, kurrgjë tha ai dhe iku drejt asaj shtëpisë. Më pas hoqi çorapet, mori shapkat edhe erdhi prapë dhe më tha ‘dua ujë’. Mirë i thashë, ujë po të jap, erdhi dhe s’pyeti hiç, u ul brenda. Edhe i thashë, mos je ai djali? Po tha, ‘ai djali jam’” ka thënë gruaja.

Më pas, gruaja e shtëpisë është përpjekur të bindë 20-vjeçarin të dorëzohet pranë forcave të policisë. Vetë Sokoli nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj gruas, por i ka kërkuar telefonin që të fliste me policinë që kishte rrethuar fshatin.

“I thashë më mirë dorëzohu, se do bëhet puna edhe më keq se është bërë. Qëndroi një moment dhe më tha a ke telefon? Po i thashë kam. Më tha – a po ma merr pak policinë? Po i thashë. E mora policinë vetë, foli edhe ai. Edhe s’ka vonuar, policia ka ardhur pas disa momentesh dhe e ka marr nga aty”,- tha Age Koçeku.

Ndonëse kishte kryer një krim makabër, 20-vjeçari ka qenë shumë i qetë, sipas Ages, e cila shton se frika i ka kaluar asaj. “Më e frikësuar isha unë, se ishte ai. Ai ishte shumë i qetë, unë për vete po dridhesha. Kur mbusha ujin, gjysma e gotës m’u derdh se po thoja mos po më ther se i kishte duart në xhepa, thashë ka ndonjë pistoletë a ndonjë gjë tjetër. I thashë mos e merr veten në qafë, se po më merr më qafë mua dhe veten. Jo, jo, tha të mos kesh merak, nxori një thikë të vogël, ja këtë kam, e futi prapë në xhep dhe erdhi policia pastaj”- ka thënë Koçeku.

Ajo ka shpjeguar se biseda e Age Koçekut dhe vrasësit ka qenë shumë e shkurtër dhe kryefjalë ishte përpjekja e gruas për ta bindur të dorëzohet. Mësohet se 20-vjeçari ka qëndruar i fshehur për disa orë, pavarësisht se në Grudë të Re kanë qarkulluar dhjetëra efektivë policie.

Mësohet se 20-vjeçari është fshehur në shkollën 9-vjeçare dhe më pas ka shkuar në afërsi të banesës së zonjës. Banorët e fshatit e kanë dënuar ashpër krimin e të riut, i cili nuk ishte një emër i panjohur për ta, për drejtësinë dhe për policinë.

 

Fshati i autorit

Fshati Lotaj ku ka lindur 20-vjeçari është një fshat tejet i thellë malor. Pas daljes nga burgu, Sokol Mjacaj, jetonte me babain dhe vëllain në fshatin Lotaj, ndërsa e ëma kishte vdekur duke u vetëhelmuar para 5 vitesh në momentin që kishte marrë vesh se i biri ishte një nga njerëzit që mori pjesë në vrasjen e 13-vjeçarit. Por edhe sipas banorëve të zonës, Mjacaj ka qenë mjaft problematik për të gjithë fshatin.

Mbrëmjen e së premtes, 20-vjeçari Sokol Mjacaj i bëri pritë mjetit ku udhëtonin çifti çek Michal Stavos dhe Ana Kosinova dhe pasi u fut me nën kërcimin e armës në mjet, pas disa kilometrash rrugë, ai vendosi t’i ekzekutonte me plumb pas koke. Vetëm 48 orë pas kësaj ngjarjeje, 20-vjeçari u prangos nga forcat e policisë.

 

Policia

Gjenden në shkurre rrobat e 20-vjeçarit

Disa ditë pas vrasjes së turistëve çekë dhe arrestimit të autorit, policia ka gjetur edhe rrobat që 20-vjeçari Sokol Mjacaj kishte veshur mbrëmjen e 3 korrikut kur qëlloi pas koke me kallashnikov Michal Svatos dhe të dashurën Ana Kosinova. Menjëherë pasi ka kryer krimin brenda makinës Nissan, të çiftit ku Mjacaj kish hyrë me dhunë, autori është larguar me shpejtësi dhe rrobat e gjakosura i ka fshehur në disa shkurre pranë fshatit Prekal ku ndodhi krimi. Rrobat e gjetura këtë të hënë nga policia janë dërguar në laborator për ekzaminim. 20-vjeçari Mjacaj, i cili kishte vetëm një muaj që kish fituar lirinë pas kryerjes së dënimit me 4 vjet si bashkëpunëtor në vrasjen e një fëmije 13-vjeçar, u arrestua pasditen e së dielës në fshatin Grudë e Re në Dukagjin. Gjatë arratisë, Mjacaj mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë me veshmbathje ose mund të ketë pasur rroba të tjera në çantën që kish me vete natën e krimit të rëndë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama